1 Jobi mori fjalën e tha:
2 “Vërtet e di se ashtu është:
para Hyjit kush mund të ketë të drejtë?
3 Nëse me Të do të bëjë rragatje
një në një mijë s’mund t’i përgjigjë!
4 Në mend i kthjellët e në fuqi i fortë,
e luftoi kush e fitues doli?
5 I shkul malet e ato s’e dinë,
këndej‑andej me furi i sjell!
6 çrregull tokën nga vendi e luan,
tranden të gjithë shtyllakët e saj.
7 I urdhëron diellit e ai nuk lind,
nën vulë të vet yjet i ndryen.
8 Pa ndihmë të kujt ai e shtrin qiellin,
lirisht ecën mbi valë të detit!
9 Ai krijoi Arushë e Orion,
Shenjëzat dhe Yjet e Jugut.
10 Bën punë të mëdha e të pashqyertueshme,
mrekulli që s’mund të numërohen!
11 Vjen tek unë e nuk e shoh,
Më bie përbri e s’e hetoj.
12 Nëse rrëmben, kush e pengon?
Kush t’i thotë: ‘Ç’po bën?’ guxon?
13 Hyji dalë s’tërheq zemërimin:
struken ndihmësit e Rahabit!
14 Kush jam unë që t’i përgjigjem
e me ç’fjalë t’i kundërshtoj?
15 Edhe në të drejtën sikur të isha,
s’do të përgjigjja...
do ta lutja Gjykatësin tim.
16 Po edhe lutjen të ma dëgjonte,
s’do të besoja se më ka vështruar!
17 Me stuhi Ai më thërmon,
pa arsye plagët m’i shumëzon.
18 Paqe shpirtit Ai s’ m’i jep
dhe më mbulon me athtësi.
19 Në kërkon fuqi Ai është më i forti.
Nëse kërkon drejtësi ‑ kush në gjyq e thërret?
20 Pafajësinë nëse dua të kërkoj,
goja ime do të më dënojë.
Nëse të pafajshëm veten e qes,
më vërteton se jam i keq.
21 I patëmetë sikur unë të isha,
shpirti im këtë s’do ta dija,
gjithnjë jetën do të përbuzja!
22 Gjithnjë unë këndej pohoj:
e të pafajshmin edhe të mbrapshtin
Ai i zhduk...
23 Nëse ndonjë shuplakë papritmas vret,
për dëshp’rim të pafajshmit qeshet.
24 Toka u la në duar të mëkatarëve,
gjykatarëve sytë iu mbyllën!
nëse s’është Ai, kush atëherë është?
25 Ditët e mia më shpëjt se kasneci
ikën, shkuan pa parë asnjë të mirë,
26 kaluan si lundra zunkthi,
si shqiponja fluturim për gjah.
27 Nëse them: ‘Do ta harroj ankimin,
në f’tyrë do të kthillem, i gëzueshëm do të bëhem’,
28 tmerri më kap nga mendimet e mia,
pse e di prapë se s’do të më shfajësosh!
29 Nëse edhe kështu fajtor do të jem,
pse atëherë më kot unë hoqa keq?
30 Po edhe nëse me ujë bore do të lahem,
në qoftë se duart i pastroj me fí,
31 në papastërti edhe më të madhe do të më zhytësh,
petku im i qelbët do të më duket!
32 Sepse Ai njeri nuk është si unë
të cilit më duhet t’i jap përgjegje,
s’është njeri me të cilin dal në gjyq!
33 S’ka një tjetër që të na gjykojë të dyve,
mbi të dy ta çojë dorën e vet,
34 që prej meje thuprën e vet të heqë,
droja e tij më të mos më trembë.
35 Por do të flas pa kurrfarë frike,
sepse i tillë unë nuk jam në sytë e mi.