1 Dëgjojeni fjalën
që jua drejton Zoti juve,
o shtëpia e Izraelit:
2 Kështu thotë Zoti:
“Mos i bëni tuajat zakonet e paganëve,
frikë mos kini nga shenjat e qiellit,
sepse prej tyre tremben vetëm paganët,
3 sepse ritet e paganëve janë një asgjësi,
një dru që pritet në pyll,
vepër e dorës së mjeshtrit që e laton me sëpatë,
4 e stolis me argjend e me ar,
e forcon me gozhda e me çekiç
që të mos luajë vendit.
5 Janë si surrati që vihet në bostan
e që s’mund të flasë,
duhet të mbarten se të ecin nuk munden:
pra, frikë mos i kini
se s’mund të bëjnë as keq as mirë!”
6 Jo, s’janë si ti, o Zot,
sepse ti je i madhërueshëm,
i madh është pushteti i emrit tënd!
7 Kush ty të mos të të druajë, o mbreti i popujve?!
Vërtet kjo të takon ty,
sepse ndër të gjithë të dijshmit e popujve,
ndër mbarë mbretëritë e tyre,
asnjë s’mund të krahasohet me ty.
8 Njëkohësisht janë të pamend e të marrë,
mësimi i tyre i kotë ‑ dru e thjeshtë,
9 argjend i përpunuar që sillet nga Tarsisi
edhe ar prej Ofazit,
vepër mjeshtri dhe duarsh argjendari,
petkat e tyre pëlhure të kuqe e të purpurt:
të gjitha këto vepër e duarve të mjeshtrit!
10 Kurse Zoti është Hyj i vërtetë,
Ai është Hyj i gjallë, Mbret i amshueshëm;
kur ai zemërohet, tundet mbarë toka,
ballë s’mund t’i bëjnë popujt zemërimit të tij!
11 Ja, se çka duhet të thoni për ta: “Zotat që nuk e krijuan qiellin e tokën, le të zhduken nga faqja e dheut e nën qiell!”
12 Ai me fuqinë e vet i dha trajtë tokës,
me urtinë e vet të qëndrueshme e bëri botën,
me dijen e vet qiellin e shtriu.
13 Me zërin e vet bën të grumbullohen
ujëra të shumtë në qiell
dhe i ngrit retë nga skajet e tokës,
bën që vetëtimat të shpërthejnë në shi,
e nxjerr erën nga strofujt ku e ndryen.
14 Shtang mbetet çdo njeri, s’është në gjendje të kuptojë,
turpërohet çdo argjendar për truporen e vet,
sepse është e rreme ajo që ka shkrirë,
sepse në të frymë jete s’ka.
15 Janë një kotësi, vepra qesharake,
ditën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.
16 Jo, s’është e tillë “Pjesa e Jakobit”:
sepse Ai e ka trajtuar gjithësinë,
Izraeli është fisi i trashëgimit të tij,
emri i tij është Zoti i Ushtrive.
17 Mblidh nga vendi plaçkat e tua,
ti që banon në rrethim,
18 sepse kështu thotë Zoti:
“Ja, larg do t’i flak kësaj herë
banorët e vendit
ngushtë do t’ua çoj
që të dinë të më gjejnë!”
19 I mjeri unë për varrën time,
për plagën time të pashërueshme!
E mua më thoshte mendja:
‘Është vetëm një dhimbje
që mund ta duroj!’
20 Tenda ime është shkatërruar,
janë copëtuar litarët e saj,
fëmijët më shkuan, më nuk janë,
s’ka kush as çadrën të ma ngrehë,
t’i shtrijë pëlhurat e saj!
21 Sepse marrëzisht vepruan barinjtë
të lumin Zot nuk e kërkuan,
prandaj punët nuk po u shkojnë mbarë,
të gjitha grigjat u shpërndanë.
22 Dëgjojeni lajmin! Ja, ç’po ndodh!
Poterë e madhe po na vjen nga toka e Veriut
qytetet e Judës për t’i shndërruar,
në shkretëtirë, strofull çakejsh!
23 E di, o Zot,
që s’është në dorë të njeriut udha e tij,
që s’është i zoti ai që ecën
që t’i drejtojë hapat e vet.
24 Më ndëshko, o Zot, por me masë të drejtë,
jo me zemërim që të mos më zhdukësh!
25 Zbraze zemërimit tënd mbi popuj
që nuk të pranojnë
e mbi fise
që s’e thërrasin emrin tënd,
sepse gjallë e përpinë Jakobin,
e përlanë, krejtësisht e shqimën,
e shkretuan lagjen e tij.