1 Pa dyshim, o Zot, ti je i drejtë
që unë të mund të rragas me ty.
Megjithatë, doja të të sjell një fjalë mbi drejtësinë.
Pse punët e të këqijve po përparojnë?
Pse të gjithë tradhtarët e keqbërësit janë mirë?
2 Ti i mbëltove e ata lëshuan rrënjë,
përparojnë e qesin fryt.
Ti je afër gojës së tyre
e larg nga zemra e tyre.
3 Por ti, o Zot, më njeh, më sheh,
ti e vërtetove se zemra ime është me ty.
ndaj veçmas ata porsi qengjat për thertore,
ruaji për ditën e prerjes!
4 Deri kur do të mbajë zi vendi
e do të thahet bari i mbarë fushës
për shkak të paudhësisë së banorëve të saj?
Sharruan bagëti e shpendë
pse ata thonë:
‘Nuk e sheh Ai të ardhmen tonë’.
5 Nëse në vrap lodhesh me këmbësorë,
si do të vihesh në vrapim me kuaj?
Kur as në vend paqeje s’je i sigurt,
ç’do të bësh në pyllin e dendur të Jordanit?
6 Deri edhe vëllezërit e tu
edhe shtëpia e babait tënd,
janë me zhibla kundrejt teje,
edhe ata të shajnë pas shpine me sa munden.
Mos u beso
kur të flasin fjalë të bukura!
7 E braktisa shtëpinë time,
e lashë trashëgimin tim,
më të dashurën e shpirtit tim
e dhashë në duar të armiqëve të saj.
8 Trashëgimi im u bë për mua
porsi luani në pyll;
ulëriti kundër meje
prandaj edhe m’u neverit.
9 Pse, a sorrë e larme është prona ime?
Shpendët përreth vallë, ta sulmojnë?
Ejani, bashkohuni,
të gjitha kafshët e pyllit,
nxitoni të përlugëtoni!
10 Barinj të shumtë e shkretuan vreshtin tim,
e shkelmuan pronën time,
pjesën time, atë më të dashurën,
e kanë kthyer në djerrishtë të shkretë!
11 Krejtësisht e shpartalluan,
vajton e mjeruar para meje!
I shkretuar është krejt vendi,
pse askush për të s’vret mendjen!
12 Mbi çdo lartësirë të shkretëtirës
ia arritën shkatërruesit,
shpata e Zotit po përpin
prej një skaji në skaj tjetër të vendit:
s’ka më paqe për askënd!
13 Mbollën drithë e korrën ferra,
u munduan e gjë s’prodhuan.
Turpërohuni për frytet tuaja
për shkak të zemërimit të Zotit.
14 Kështu thotë Zoti kundër të gjithë të afërmve të mi tejet të këqij që prekin pronën, të cilën ia ndava popullit tim, Izraelit: “Ja, unë do t’i çrrënjos ata nga toka e tyre si edhe shtëpinë e Judës do ta nxjerr nga mesi i tyre.
15 Por, kur t’i kem shkulur, atëherë do të kthehem kah ata e do t’i përdëllej: do t’i kthej ata secilin në trashëgimin e vet e secilin në vendin e vet.
16 E në qoftë se i mësojnë udhët e popullit tim kështu që të përbetohen në emër tim: ‘Pasha Zotin e gjallë!’, ashtu siç e mësuan popullin tim të përbetohet në Baalin, atëherë ata do të ngulin në mes të popullit tim.
17 Por, në qoftë se nuk dëgjojnë, do ta çrrënjos e do t’ia tres farën atij populli ‑ është fjala e Zotit.