1 Kështu më tha Zoti: “Shko e bleje një brez të lintë dhe ngjeshi me të ijët e tua, por mos e shtjer në ujë.”
2 Unë e bleva brezin si më tha Zoti dhe e ngjesha rreth ijëve të mia.
3 Së dyti më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha:
4 “Merre brezin që bleve, që e ke rreth belit tënd, çohu e shko në Eufrat dhe fshehe atje në një vrimë shkëmbi”.
5 Shkova dhe e fsheha te Eufrati siç më kishte urdhëruar Zotynë.
6 Pas shumë ditësh Zotynë më tha: “Ngrehu e shko në Eufrat dhe merre prej andej brezin që të urdhërova ta fshehësh atje”.
7 Shkova tek Eufrati, e hapa vrimën dhe e nxora brezin nga vendi, ku e kisha fshehur, dhe, ja, brezi ishte kalbur, kështu që s’vlente më për kurrgjë.
8 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
9 ”Kështu do të bëj të kalbet krenaria e madhe e Judës dhe e Jerusalemit.
10 Ky popull tejet i keq ‑ që s’duan t’i dëgjojnë fjalët e mia dhe jetojnë sipas zemërkeqësisë së tyre dhe shkuan pas zotave të huaj për t’u shërbyer e për t’i adhuruar ‑ do të jetë porsi ky brez që s’vlen më për kurrgjë.
11 Sepse, sikurse brezi që ngjeshet rreth ijëve të njeriut, kështu kam dashur që të ngjeshet rreth meje mbarë shtëpia e Izraelit e mbarë shtëpia e Judës ‑ është fjala e Zotit – që, populli im të jetë zëri im i mirë, lavdia ime, nderi im, por nuk dëgjuan!”
12 “Prandaj thuaji këtij populli: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Çdo katruve mbushet me verë! E ata do të përgjigjen: Vallë, a nuk e dimë se çdo katruve mund të mbushet me verë?
13 Atëherë thuaju: Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t’i mbush me dehje të gjithë banorët e këtij vendi, mbretërit prej barkut të Davidit që rrinë mbi fronin e tij, priftërinjtë, profetët dhe të gjithë banorët e Jerusalemit
14 dhe do t’i thyej njërin për tjetrin, etërit së bashku me bijtë e tyre ‑ është fjala e Zotit ‑ s’do të kem dhembshuri, s’do t’i kursej e s’do të kem mëshirë, por do t’i zhduk!”
15 Dëgjoni, vini vesh, mos çoni kokë,
sepse po flet Zoti.
16 Jepini lavdi Zotit, Hyjit tuaj,
para se të erret,
para se këmba juaj të marrë në thua
në malet e errëta!
Ju pritni dritën,
por ai do ta shndërrojë në terr,
në terr të zi porsi futa!
17 Po, në qoftë se për këtë nuk do të më dëgjoni,
shpirti im do të qajë në fshehtësi
për shkak të krenarisë suaj;
thekshëm do të qajë
e lotë do të derdhin sytë e mi
sepse grigja e Zotit po humbasin në mërgim!
18 Thuaji mbretit e nënës mbretëreshë:
“Uluni rrafsh
se kurora e lavdisë
ra prej kokës suaj!
19 Të mbyllura janë qytetet e jugut
dhe s’është askush që t’i çelë;
mbarë Judën e shpërngulën,
e shpërngulën krejtësisht!”
20 Lartësoji sytë e shikoji
ata që po vijnë nga Veriu.
Ku është grigja që t’u besua,
delet e lavdisë sate?
21 Çdo të thuash kur të të ndëshkojë?
Sepse ti vetë i joshe kundër vetes,
i bëre miq për kokë!
Vallë, a nuk do të të pushtojnë dhimbjet
porsi gruan kur lind fëmijën?
22 E nëse në mend të shkon të pyetësh:
“Pse po më ndodh e gjithë kjo?”
Për shkak të paudhësisë sate të madhe
t’i zbuluan fajet e tua
e të dhunuan.
23 Vallë, a mundet etiopasi të ndërrojë lëkurën,
ose leopardi larat e lëkurës së vet?
Atëherë edhe ju do të mund të bëni mirë,
ju që jeni mësuar të bëni të keqen.
24 Do t’i shpërndajë porsi bykun
që e humbet era e shkretëtirës.
25 Ky është shorti yt, pjesa e masës sate prej meje
‑ është fjala e Zotit ‑
pasi mua më ke harruar
dhe e e ke vënë shpresën në gënjeshtër.
26 Këndej edhe unë vetë
deri në fytyrë do të t’i çoj rrobat
që të shihet turpi yt,
27 kurorëthyerjet e tua e hingëllimet
lavirësinë tënde të turpshme!
Përmbi kodra e nëpër ara
i kam parë iritë e tua.
Vaj, për ty, o Jerusalem! Ende nuk u pastrove dot!
Po deri kur kështu...?