< Jer 13 Jer 15 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 14)
14

1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Jeremisë me rastin e thatësirës së madhe.

2 Judeja u mbulua në zi,

qytetet e saj rënkojnë,

të mekura rrafsh ranë përdhe,

në qiell arrin e Jerusalemit vigma!

3 Bujarët çojnë vegjëlinë për ujë:

shkojnë ndër puse e ujë nuk gjejnë,

zbrazët i kthejnë shtambat e veta

duke rrahur kokën me grushta.

4 Anembanë toka shkretuar,

sepse shiu nuk bie mbi të,

mjeruar bujqit e ngratë

me grushta e rrahin kokën.

5 Deri shuta në mal e lë pjellën e vet,

pse fije bari s’ka.

6 Gomarët e egjër grumbull mblidhen në kodra,

dihasin porsi çakejtë,

as sytë dritë më nuk u bëjnë,

pse s’gjejnë dot një fije bari.

7 Kundër nesh nëse flasin të këqijat tona,

mëshirë, o Zot, pash Emrin tënd.

Po, të mëdha janë kryengritjet tona,

kundër teje ne mëkatuam!

8 Ti, o Shpresa e Izraelit,

Shpëtimtari i tij në kohë të vështirë,

pse qëndron si i huaj në këtë vend,

si shtegtari sa për të bujtur?

9 Pse sillesh porsi i hutuari,

si trimi që s’mund të ndihmojë?

E pra, mes nesh ti je, o Zot,

emri yt u thirr mbi ne,

deh, ti dore mos na lësho!

10 Kështu i thotë Zoti këtij populli: “Atyre kështu u pëlqen të enden andej‑këndej, aspak nuk i kursejnë këmbët e veta! Këndej edhe Zotit nuk i pëlqejnë. Tashti i bien në mend fajet e tyre dhe i ndëshkon për mëkatet e tyre”.

11 Atëherë Zoti më tha: “Mos kërko mëshirë për këtë popull.

12 Po edhe sikur të agjëronin, s’do t’ua dëgjoja lutjen; po edhe në kushtofshin fli shkrumbimi dhe fli kushtimi, s’do t’ua pranoj. Unë do t’i shfaros me shpatë, me uri e me murtajë”.

13 Por unë iu përgjigja: “Ehu, o Zot Hyj! Ja, profetët u thonë: ‘Ju s’do të shihni shpatë, uri s’do të keni, por do t’u japë paqe të vërtetë në këtë vend’“.

14 Atëherë Zoti më tha: “Rrejshëm profetët profetizojnë në emër tim: unë nuk i dërgova as nuk i urdhërova, as nuk u kam folur. Ata ju parakallëzojnë vegime të rreme, shorti, dredhi e joshjet e zemrës së tyre.

15 Prandaj kështu thotë Zoti kundër profetëve, që profetizojnë në emër tim, të cilët unë nuk i dërgova, e thonë: ‘Shpatë e uri nuk do të ketë në këtë vend’: Shpata dhe uria do t’i shfarosë pikërisht këta profetë;

16 kurse njerëzit, të cilëve këta u profetizojnë, rrah do të bien nëpër rrugë të Jerusalemit prej urisë e prej shpatës e s’do ketë kush as t’i varrosë: as ata, as gratë e tyre, as bijtë e bijat e tyre. Do ta zbraz mbi ta të keqen e tyre.”

17 E ti thuaju këtë fjalë:

Le të derdhin lot sytë e mi

natë e ditë e të mos pushojnë,

sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh

virgjëra, bija e popllit tim,

me plagë të rëndë, të pashërueshme!

18 Nëse dal në fushë,

ja, të grirë prej shpatës,

e nëse hyj brenda në qytet,

kockë e lëkurë të bërë prej urisë:

profet e prift enden n’për vend

e më asgjë nuk marrin vesh.

19 ‑ Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën?

Po a aq fort t’u neverit Sioni?

Përse ne aq na godite,

sa të mos kemi shpresë shërimi?

Prisnim paqen, por të mirë s’ka,

kohë shërimi dhe, ja, tmerri!

20 E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë,

mbrapshtinë e etërve tanë:

po, mëkatuam kundër teje!

21 Mos na dëbo, pash Emrin tënd,

mos e turpëro fronin e lavdisë sate!

Të të bjerë ndër mend e mos e prish

Besëlidhjen tënde me ne!

22 Pse a ka ndër idhuj ndonjë që jep shi?

Pse vetë a qielli i jep shirat?

Pse a s’je ti, o Zot, Hyji ynë,

në të cilin ne shpresojmë?!

Ti je Ai që të gjitha këto i bën!



Fjala e Zotit