1 Zoti më tha: “Po të qëndronin edhe vetë Moisiu e Samueli përpara meje, zemra ime s’do të përkulej në të mirën e këtij populli! M’i flak larg syve të mi! Le të shkojnë!
2 Në qoftë se do të thonë: ‘Ku të shkojmë?’, thuaju: Kështu thotë Zoti:
Kush është për vdekje, në vdekje!
Kush është për shpatë, nën shpatë!
Kush është për uri, në uri!
Kush është për shpërngulje, në shpërngulje!
3 Unë do të çoj mbi ta katër lloje të këqijash ‑ është fjala e Zotit: shpatën për të prerë, qentë për të shqyer, shpendët e qiellit dhe egërsirat e malit për të përpirë e për të zhdukur.
4 Do të bëj mbi ta një shembull emnese për të gjitha mbretëritë e tokës për shkak të Manaseut, birit të Ezekisë, mbretit të Judës, për të gjitha të këqijat që bëri në Jerusalem.”
5 Kush do të ketë dhimbje për ty, Jerusalem,
kush do të ta qajë hallin?
Kush do të shkojë
të pyesë për paqen tënde?
6 Ti mua më përbuze
‑ thotë Zoti ‑
shpinën ma solle;
unë e shtriva dorën mbi ty të të zhduk:
u lodha më duke të të përdëlluar!
7 Këndej edhe i flaka me terplote
nëpër qytetet e vendit;
e lashë pa fëmijë, e shova popullin tim:
sepse s’deshën të kthehen prej udhëve të veta!
8 Vejushat e tyre u bënë më të shumta
se rëra e detit.
Kundër nënës së tyre dërgova
ushtarin vrastar në pikë të ditës,
dërgova kundër saj papritmas
trazirë e tmerr.
9 E lëshoi zemra nënën e shtatë djemve,
i doli shpirti;
ende duke qenë ditë, perëndoi dielli:
i turpëruar e i poshtëruar.
Ç’mbet prej tyre, shpatës do t’ia jap
mu ndër sy të armiqve të tyre
‑ është fjala e Zotit.
10 I mjeri unë, o nëna ime,
që më linde njeri grindjesh
e kundërshtimi për mbarë vendin!
Hua s’mora as nuk i dhashë kujt,
megjithatë, të gjithë më mallkojnë!
11 Vërtet, o Zot, a nuk të shërbeva për të mirë të tyre,
a s’ndërmjetësova te ti në kohë të ngushticës,
në kohë të mjerimit për armikun?
12 Pse a me hekur këputet
hekuri i Veriut e tuçi?
13 Pasurinë tënde e visaret e tua
i lë lirisht të plaçkiten,
për shkak të të gjitha fajeve të tua
brenda mbarë kufijve të tu.
14 Do të të bëj skllavin e armikut
në një vend që ti s’e njeh,
sepse flakë u ndez zemërimi im
e do të shpërthejë kundër jush.
15 Ti di, o Zot,
më kujto e më ndihmo,
hakmerru për mua mbi armiq.
Për shkak të durimit tënd,
mos lejo që unë të mbaroj,
dije se për shkak tëndin po më poshtërojnë!
16 Kur më erdhën fjalët e tua,
i përpija, fjala jote për mua u bë
gëzim e hare e zemrës sime,
sepse u quajta me emrin tënd,
o Zot, Hyji i Ushtrive.
17 Kurrë nuk ndenja për t’u kënaqur
në shoqërinë e ëndjetarëve,
por i nxitur prej dorës sate
rrija vetëm,
sepse më mbushe me zemërim.
18 Përse fund s’merr dhimbja ime
dhe plaga ime e pashërueshme
s’do të shërohet?
Për mua u bëre përrua gënjyes
me ujë në të cilin s’mund të kem shpresë.
19 Për këtë punë Zoti m’u përgjigj:
“Nëse ti kthehesh e me lejon të të kthej,
do të qëndrosh prapë para meje,
nëse e dallon të çmueshmen prej të ultës,
ti do të bëhesh goja ime.
Ata do të kthehen kah ti,
nuk ke nevojë të kthehesh kah ata.
20 Ty do të të bëj unë për këtë popull
mur të fortë prej tumbakut.
Do të luftojnë kundër teje,
por s’do të ngadhënjejnë,
sepse unë me ty do të jem
që të të shpëtoj e të të liroj
‑ është fjala e Zotit!
21 ‑ Do të të shpëtoj prej dorës së mëkatarëve,
do të të shpaguaj prej dorës së të dhunshmëve.