1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 ”Mos u marto e mos ki bij as bija në këtë vend.
3 Sepse kështu thotë Zoti për bij e bija, që lindin në këtë vend dhe për nënat që i lindin ata e për etërit e tyre, të cilëve do t’u lindin në këtë vend:
4 Do të vdesin me vdekje shumë të keqe, gjëmë s’do t’u bëhet as nuk do të varrosen; do të bëhen pleh për ara; do t’u tresë fara prej shpatës e prej urisë e kufomat e tyre do të jenë ushqim për shpendët e qiellit e bishat e malit”.
5 Sepse kështu thotë Zoti: “Mos hyr në shtëpitë ku shtrohen dreka, mos shko në salikime as mos merr pjesë në vajtime me ta, sepse unë e tërhoqa paqen time prej këtij populli ‑ është fjala e Zotit, ‑ dhimbjen dhe dhembshurinë.
6 Në këtë vend do të vdesin të mëdhenj e të vegjël, s’do të varrosen as s’do t’u bëhet gjëmë; askush për ta s’do të gërvishtet as nuk do të qethë flokët.
7 Atij që është në zi s’do t’ia ndajë kush bukën e ngushëllimit për të ndjerin e tij dhe s’do t’ia japë kush gotën e ngushëllimit në rastin e vdekjes së babait e të nënës së tij, për ta ngushëlluar.
8 Mos hyr në shtëpi ku bëhen drekat që të rrish me ta e të hash e të pish.
9 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të bëj të zhduken nga këtu, prej syve tuaj, në ditët tuaja brohoritjet e gëzimit e të haresë, zërin e dhëndrit e zërin e nuses!
10 Kur t’ia kesh lajmëruar këtij populli të gjitha këto fjalë e ata të thonë: ‘Përse Zoti ka urdhëruar gjithë këtë fatkeqësi të madhe? Cili është faji ynë e cili është mëkati ynë që e kemi bërë kundër Zotit, Hyjit tonë?’,
11 përgjigju: Sepse etërit tuaj më lanë mua ‑ është fjala e Zotit ‑ shkuan pas zotave të huaj, u shërbyen atyre, i adhuruan, mua më lanë e nuk e zbatuan Ligjin tim.
12 Por edhe ju punuat, madje edhe më zi se etërit tuaj: ja, secili prej jush ecën pas zemrës së vet të keqe për të mos më dëgjuar mua.
13 Unë do t’ju nxjerr nga ky vend në një vend të panjohur për ju ashtu si ishte e panjohur edhe për etërit tuaj. Atje do t’u shërbeni hyjnive të huaja ditë e natë: sepse më s’do të kem mëshirë për ju.
14 Prandaj, ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur nuk do të thuhet më ‘Pasha jetën e Zotit, që i nxori izraelitët prej Egjiptit’,
15 por: ‘Pasha jetën e Zotit, që i nxori izraelitët prej tokës së Veriut dhe nga të gjitha vendet, në të cilat i pata humbur!’ Unë do t’i kthej në tokën e tyre që ua dhurova etërve të tyre.
16 Ja, ‑ thotë Zoti ‑ unë do të dërgoj një mori peshkatarësh që do t’i peshkojnë; pas tyre do të dërgoj një mori gjuetarësh, të cilët do t’i gjuajnë në çdo mal e kodër edhe plasa të qetave!
17 Sepse sytë e mi i përcjellin të gjitha shtigjet e tyre: para meje s’mbetet e fshehtë asnjë sjellje e tyre dhe fajësia e tyre s’mund të fshihet prej syve të mi.
18 Madje dyfish do t’i shpaguaj paudhësitë e mëkatet e tyre, sepse e përdhosën tokën time me qelbësirat e idhujve të tyre dhe me turpësitë e tyre e mbuluan pronën time.
19 O Zot, forca ime e kështjella ime,
strehimi im në ditën e ngushticës!
Te ti do të vijnë paganët
nga skajet e tokës e do të thonë:
‘Etërit tanë vërtetë për pjesë
patën Gënjeshtrën, Kotësinë
që s’vlen asgjë!
20 Njeriu a mund t’krijojë zotat për vete?
Atëherë ata zota s’janë!
21 Ja, pra: dua t’i njoftoj,
kësaj here do t’ua dëftoj
dorën time e fuqinë time:
do ta kuptojnë se emri im është Zot.