1 Prifti Fasur, biri i Emerit, mbikëqyrësi prijës në Shtëpinë e Zotit, e dëgjoi Jereminë duke i profetizuar këto fjalë.
2 Fasuri e rrahu Jereminë profet dhe e vuri në pranga, që gjenden te Dera e lartë e Beniaminit në Shtëpinë e Zotit.
3 Të nesërmen, kur zbardhi drita, Fasuri e liroi Jereminë nga prangat, atëherë Jeremia i tha: “Jo më Fasur Zoti nuk e quan emrin tënd, por “Tmerr në çdo anë!”
4 Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë po të të dorëzoj tmerrit, ty e të gjithë miqtë e tu. Do të bien prej shpatës së armiqve të tyre dhe ti do t’i shohësh me sytë e tu. Mbarë Judën do ta lëshoj në duart e mbretit të Babilonit. Ai do t’i shpërngulë në Babilon dhe do t’i godasë me shpatë.
5 Do ta jap mbarë pasurinë e këtij qyteti, tërë çka u fitua me mund, gjithçka ka të çmueshme edhe të gjitha visaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre, të cilët do t’i rrëmbejnë, do t’i marrin e do t’i tresin në Babilon.
6 Kurse ty Fasur, me të gjithë anëtarët e familjes, do të ye shpërngulin. Në Babilon do të shkosh, atje do të vdesësh dhe atje do të varrosesh, ti e të gjithë miqtë e tu, të cilëve u profetizove gënjeshtrën”.
7 Më ngashënjeve, o Zot,
dhe unë lejova të ngashënjehem,
qe më i fortë se unë
dhe më mbizotërove.
U bëra gazi i ditës,
të gjithë më përqeshin.
8 Sa herë që më duhet ta shpall fjalën,
më duhet të lëshoj kushtrimin,
të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!”
Fjala e Zotit u bë për mua
poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!
9 Atëherë thashë me vete: më s’do të mendoj për Të,
në emër të Tij më nuk do të flas!
Atëherë në zemrën time u ndez
një zjarr i furishëm,
u ndrye në eshtrat e mi:
u mundova ta mposht,
por s’munda!
10 I dëgjoja shpifjet e shumëve,
tmerr gjithkund përreth:
‘Paditeni! Le ta padisim!’
Të gjithë dashamirësit e mi
vërenin rënien time:
‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet!
Do të ngadhënjejmë mbi të,
atëherë do të hakmerremi!’
11 Por me mua është Zoti si trimi i trimave,
prandaj ata që më përndjekin,
do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë:
turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit,
turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet!
12 O Zoti i Ushtrive,
ti, o sprovuesi i të drejtit,
që ia sheh veshka e zemër,
bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta,
sepse në dorë tënde e lashë çështjen time!
13 Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin,
që e çliroi shpirtin e të varfërit
nga dora e keqbërësve.
14 Qoftë mallkuar dita kur unë linda;
dita kur më lindi nëna ime
jo, mos qoftë bekuar!
15 Qoftë mallkuar ai burrë
që e lajmëroi tim atë:
‘Je bërë me djalë!’
dhe e mbushi me gëzim!’
16 U bëftë ai njeri porsi qytetet,
që Zoti i shkatërroi
e askurrë s’u pendua.
Në mëngjes ndjeftë kushtrimin
e në mesditë rropamën e luftës,
17 që s’më shitoi në barkun e nënës!
Nëna ime do të më bëhej varr
e barku i saj, shtatzënë përgjithmonë.
18 Pse ndopak dola nga barku amnor?
Që të heq keq e të vuaj
e në turp të marrin fund ditët e mia!