1 Fjala që Zoti ia drejtoi Jeremisë, kur mbreti Sedeci i dërgoi tek ai Fasurin, birin e Malkisë, e priftin Sofoni, birin e Maasisë, me këto fjalë:
2 “Pyete për ne Zotin, sepse Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, po lufton kundër nesh; se ndoshta Zoti bën në të mirën tonë ndonjë nga mrekullitë e shumta të tij, kështu që Nabukodonozori të largohet prej nesh.”
3 Jeremia u përgjigj: “Kështu thuajini Sedecisë:
4 Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ja, unë do t’i kthej armët e luftës, që i keni në duart tuaja e me të cilat po luftoni kundër mbretit të Babilonit e kaldenjve që po ju mbajnë në rrethim përjashta muresh; unë do t’i bashkoj në mes të këtij qyteti.
5 Unë vetë do të luftoj kundër jush me dorë të shtrirë e me krah të fuqishëm, me zemërim, zemërim e me hidhërim të madh
6 dhe do t’i godas banorët e këtij qyteti ‑ njerëz e kafshë: me murtajë të tmerrshme. Ata do të vdesin!
7 E pastaj ‑ është fjala e Zotit ‑ unë do ta dorëzoj Sedecinë, mbretin e Judës, shërbëtorët e tij dhe popullin e tij, që të kenë shpëtuar në këtë qytet nga murtaja, shpata e uria, në dorë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, e në duar të armiqve të tyre që e kërkojnë jetën e tyre; ai do t’i godasë me teh të shpatës. S’do të ketë mëshirë, s’do të falë as s’do të ketë mëshirë!
8 E këtij populli thuaji: Kështu thotë Zoti: Ja, para jush po e vë udhën e jetës e udhën e vdekjes:
9 kush të qëndrojë në këtë qytet do të vdesë prej shpatës, urisë e murtajës; kurse ai që të dalë e të shkojë te kaldenjtë, që ju rrethojnë, do të jetojë, do ta mbajë veten për të lum se së paku e ka shpëtuar jetën.
10 Sepse e kam sjellë fytyrën time mbi këtë qytet për të keqen e tij e jo për të mirën ‑ është fjala e Zotit: unë do ta dorëzoj në duar të mbretit të Babilonit e ai do ta djegë”.
11
Shtëpisë mbretërore të Judës:
Dëgjojeni fjalën e Zotit,
12 shtëpia e Davidit! Kështu thotë Zoti:
Gjykoni me drejtësi për çdo mëngjes
e çlirojeni të ndrydhurin nga shfrytëzuesi,
përndryshe do të shpërthejë si zjarr zemërimi im,
flakë do të marrë e askush s’mund ta ndalë,
për shkak të fajësisë së veprave tuaja.
13 Ah, pritëm, banuesja e luginës,
qeta e rrafshit ‑ është fjala e Zotit ‑
ju që thoni: ‘Kush do të na pushtojë?
Kush guxon të hyjë në shtëpitë tona?’
14 Do t’ju ndëshkoj sipas frytit të veprave tuaja
‑ është fjala e Zotit ‑
Në pyll të saj zjarr do të ndez:
rreth e përqark gjithçka do të digjet!