< Jer 22 Jer 24 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 23)
23

1 “Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime” ‑ thotë Zoti.

2 Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e humbët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! ‑ është fjala e Zotit!

3 Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen.

4 Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë ‑ është fjala e Zotit.

5 “Ja, po vijnë ditët

‑ është fjala e Zotit ‑

kur do t’ia ngre Davidit pinjollin e drejtë;

që do të mbretërojë si mbret i vërtetë

dhe do të jetë i urtë

e do të ushtrojë në vend

të drejtën e drejtësinë.

6 Ndër ato ditë Juda do shpëtojë

e Izraeli do të jetojë në paqe.

Ja emri me të cilin do ta quajnë:

“Zotynë ‑ drejtësia ‑ jonë”!

7 Prandaj, ja po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur nuk do të thuhet më: “Pasha Zotin e gjallë, që i nxori bijtë e Izraelit nga toka e Egjiptit!”,

8 por: “Pasha Zotin e gjallë, që e nxori dhe e solli farën e shtëpisë së Izraelit nga toka e Veriut dhe nga të gjitha vendet”, ku i kisha flakur; dhe do të banojnë në vendin e vet.”

9 Kundër profetëve.

Copë m’u bë në parzëm zemra,

trishtim më morën të gjitha gjymtyrët;

i përngjaj njeriut të dehur,

si njeriu që e trudhos vera,

për shkak të Zotit,

për shkak të fjalëve të tij të shenjta.

10 “U mbush vendi me të pabesë,

për shkak të mallkimit në zi u vesh vendi,

shkrumb u bënë kullotat në shkretëtirë.

Vrap lëshohen për të bërë të keqen,

zotësia e tyre ‑ padrejtësia!

11 Të paudhë janë profet e prift:

der’ në Shtëpi time ua gjej keqësinë

‑ është fjala e Zotit.

12 Këndej udha e tyre do të jetë rrëshqitëse,

në errësirë do të ndeshen e do të rrëzohen.

Madje unë do të sjell mbi ta fatkeqësinë,

vitin e ndëshkimit të tyre

‑ është fjala e Zotit.

13 Ndër profetët e Samarisë

kam parë marrëzi të mëdha:

profetizojnë në emër të Baalit

dhe e ngashënjejnë popullin tim, Izraelin.

14 Ndër profetët e Jerusalemit

pashë turpësi të mëdha:

bëjnë pabesi e jetojnë në gënjeshtër;

keqbërësve ua ngjesin dorën

që askush të mos kthehet

nga jeta e vet e mbrapshtë:

të gjithë u bënë për mua porsi Sodoma,

banorët e tij porsi Gomorra!”

15 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive

kundër profetëve:

“Ja, me mendër do t’i ushqej,

do t’u jap të pijnë ujë me vrer,

sepse prej profetëve të Jerusalemit

u shpërnda nëpër mbarë vendin

papastërtia.”

16 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Mos i dëgjoni fjalët e profetëve

që ju profetizojnë e ju rrejnë;

ju tregojnë vegimet e zemrës së tyre

e jo çka vjen nga goja e Zotit.

17 U flasin atyre që mua më përbuzin:

‘Zoti ka thënë: S’do t’ju mungojë paqja!’;

dhe të gjithëve që ndjekin zemrën e keqe të vetën

u thanë: ‘Asnjë e keqe s’do të vijë mbi ju!’

18 Por kush mori pjesë në këshillin e Zotit, e pa dhe e dëgjoi fjalën e tij? Kush ia vë veshin fjalës së tij? Kush e dëgjon?

19 Ja, furtuna e Zotit,

dheun mori zemërimi i tij,

stuhia shpërthyese sulet

përmbi koka të të patenzonëve.

20 S’do të pushojë zemërimi i Zotit

der’ t’i ketë kryer,

t’i ketë çuar në vend synimet e veta:

qartë në të ardhmen do ta kuptoni!

21 S’i dërgova unë këta profetë

e ata vrapojnë!

Unë atyre nuk u fola

e ata profetizojnë!

22 Të kishin marrë pjesë në këshillin tim,

ia kishin kumtuar fjalët e mia popullit,

e kishin kthyer prej udhës së tyre të keqe

e prej veprave të tyre të patenzona.

23 A kujton se unë jam Hyj vetëm nga afër

‑ është fjala e Zotit ‑

e prej së largu më s’jam Hyj?

24 A mund të fshihet kush në ndo’j skutë,

ku unë atë nuk mund ta shoh?

‑ është fjala e Zotit.

Vallë, s’i mbushkam unë qiell e tokë?!

‑ është fjala e Zotit!

25 Kam dëgjuar çka thonë profetët që profetizojnë në emër tim rrena. Ata thonë: ‘Ëndërrova! Ëndërrova!’.

26 Deri kur do ta kenë këtë mendim në zemër profetët që profetizojnë gënjeshtrën dhe shpallin poshtërsitë e zemrës së vet.

27 Ata synojnë që, me ëndrrat e veta që ia tregojnë njëri‑tjetrit, të bëjnë që populli im ta harrojë Emrin tim, sikurse edhe etërit e tyre e harruan Emrin tim për shkak të Baalit.

28 Profeti që ka parë ëndërr, le ta tregojë ëndrrën, kurse ai që e ka fjalën time, le ta kumtojë fjalën time besnikërisht!

Ç’kanë të përbashkët byku e gruri?

‑ është fjala e Zotit.

29 A s’janë zjarr, vallë, fjalët e mia,

‑ është fjala e Zotit ‑

a s’janë maj që thërmon shkëmbin?

30 Prandaj, ja, jam kundër profetëve ‑ është fjala e Zotit ‑ që ia vjedhin njëri‑tjetrit fjalët e mia!

31 Ja, unë jam kundër profetëve ‑ është fjala e Zotit ‑ që e stërhollojnë gjuhën e vet e thonë: ‘Thotë Zoti’.

32 Ja, unë jam kundër atyre që profetizojnë ëndrra të rreme ‑ është fjala e Zotit ‑ që i tregojnë ato e gënjejnë popullin tim me gënjeshtrat e veta e me mendjemadhësinë e vet. E unë as nuk i kam dërguar as nuk i kam urdhëruar e nuk i sjellin kurrfarë dobie këtij populli ‑ është fjala e Zotit.

33 E në qoftë se të pyet ky popull, qoftë një profet qoftë një prift, e të thotë: ‘Cila është barra e Zotit?’, ti përgjigju: ‘Ju jeni barrë, por unë do t’ju flak ‑ thotë Zoti.’

34 E nëse thotë profeti, prifti ose ndokush prej popullit: ‘Barrë e Zotit’, do ta ndëshkoj njeriun e tillë, atë dhe shtëpinë e tij.

35 Ja, si duhet të thoni me vete ‑ njëri‑tjetrit, të afërmit e vëllait: ‘Çfarë u përgjigj Zoti?’ dhe ‘Ç’ka thënë Zoti?’.

36 Por, mos e përdorni më shprehjen: ‘Barra e Zotit’, sepse barrë do t’i bëhet secilit fjala e tij, pse e shtrembëroni fjalën e Hyjit të gjallë, Zotit të Ushtrive, Hyjit tonë.

37 Kështu thuaj profetit: ‘Si të është përgjigjur Zoti?’ dhe ‘Ç’ka thënë Zoti?’.

38 Por, në qoftë se thoni: ‘Barra e Zotit’, atëherë kështu thotë Zoti: ‘Pasi ju e përdorni shprehjen: ‘Barra e Zotit’, megjithëse ju kam urdhëruar: ‘Ruajuni se thoni ‘Barra e Zotit’;

39 unë do t’ju kap dhe do t’ju mbart e do t’ju flak ju dhe qytetin që jua dhurova juve dhe etërve tuaj, larg fytyrës sime.

40 Do t’ju mbuloj me turp të përhershëm dhe me turp të përhershme që kurrë s’do ta shlyejë harresa.”



Fjala e Zotit