< Jer 24 Jer 26 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 25)
25

1 Fjala e Zotit e drejtuar Jeremisë në lidhje me mbarë popullin e Judesë, në të katërtin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës ‑, d. m. th. në vitin e parë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit.

2 Këtë fjalë Jeremia profet ia kumtoi mbarë popullit të Judës e të gjithë banorëve të Jerusalemit. U tha:

3 ”Që nga viti i trembëdhjetë i Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, deri në ditën e sotme ‑ e ky është viti i njëzetetretë ‑ më ka qenë drejtuar fjala e Zotit dhe jua kam kumtuar pa u lodhur, por ju s’më keni dëgjuar.

4 Për më tepër Zoti i ka dërguar vazhdimisht te ju të gjithë shërbëtorët e vet, profetët, por ju nuk i dëgjuat as nuk deshët t’ua vini veshin për të dëgjuar,

5 kur ju thoshte: ‘Le ta lërë secili udhën e vet të mbrapshtë dhe kthehuni nga veprat tuaja të paudha e atëherë do të mund të qëndroni në vendin, që jua dha juve Zoti e etërve tuaj prej shekulli në shekuj.

6 Mos shkoni pas hyjnive të huaja për t’u shërbyer e për t’i adhuruar. Mos më ngacmoni me veprat e duarve tuaja në hidhërim: atëherë unë nuk do t’ju çoj asnjë të keqe.

7 Por ju nuk deshët të më dëgjoni ‑ është fjala e Zotit ‑ të mos më ngacmoni në hidhërim me veprat e duarve tuaja, për të keqen tuaj.’

8 Për këtë arsye kështu thotë Zoti i Ushtrive: ‘Pasi ju nuk i dëgjuat fjalët e mia,

9 ja, unë po dërgoj t’i marrë të gjithë popujt nga Veriu ‑ është fjala e Zotit ‑ edhe Nabukodonozorin, mbretin e Babilonit, shërbëtorin tim, e do t’i sjell ata kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij dhe kundër të gjithë popujve që janë rreth tij; do t’i vras, do t’i bëj tmerr, përqeshje dhe rrënojë të përhershme.

10 Do të bëj të zhduket në mesin e tyre zëri i gëzimit e i haresë, zëri i dhëndrit e i nuses, krismën e mokrës e dritën e kandilit.

11 Krejt ky vend do të kthehet në shkretëtirë e në tmerr dhe të gjithë këta popuj do të bëhen skllevër të mbretit të Babilonit për shtatëdhjetë vjet.

12 Pasi të jenë mbushur shtatëdhjetë vjet, do ta ndëshkoj mbretin e Babilonit edhe atë popull ‑ është fjala e Zotit ‑ për shkak të paudhësisë së tyre; gjithashtu edhe tokën e kaldenjve do ta kthej në shkretëtirë të përhershme.

13 Do të bëj, pra, kundër këtij vendi të shkojnë në vend të gjitha fjalët e mia që i kam thënë kundër tij, gjithçka është shkruar në këtë libër, gjithçka parafoli Jeremia kundër të gjithë popujve.

14 Sepse edhe këtyre do t’u shërbejnë njëmend popuj të shumtë e mbretër të mëdhenj, por unë do t’i bëj të paguajnë sipas veprave të tyre, sipas veprave të duarve të veta.”

15 Ja se çka më tha Zoti, Hyji i Izraelit: “Merre nga dora ime këtë kupë me verë të zemërimit tim dhe jepu të pijnë prej saj të gjithë popujt te të cilët unë do të të dërgoj.

16 Ata do të pijnë, do të marrakoten e do të dalin mendësh para shpatës që do ta shpie në mesin e tyre.”

17 Unë e mora gotën nga dora e Zotit dhe ua dhashë të gjithë popujve, te të cilët më dërgoi Zoti:

18 Jerusalemit e qyteteve të Judës ‑ mbretërve të saj e princave të saj, për t’i bërë grumbull rrënojash, tmerr e pëshpëritje për të keq e mallkim, siç janë edhe në ditën e sotme, ‑

19 faraonit, mbretit të Egjiptit, ministrave të tij, princave të tij dhe mbarë popullit të tij; ‑

20 të gjithë asaj përzirjeje të popujve, mbarë mbretërve të tokës së Husit, të gjithë mbretërve të filistinëve, Askalonit, Gazës, Akaronit dhe tepricave të Azotit,

21 Edomit, Moabit e bijve të Amonit;

22 të gjithë mbretërve të Tirit, të gjithë mbretërve të Sidonit e mbretërve të ishujve, përtej detit;

23 Dedanit, Temës, Buzit e të atyre që qethin tëmthat;

24 të gjithë mbretërve të Arabisë, të gjithë mbretërve të popujve të përzier, që banojnë në shkretëtirë;

25 të gjithë mbretërve të Zimbrit, mbarë mbretërve të Elamit, mbarë mbretërve të medëve,

26 gjithashtu mbarë mbretërve të Veriut, të afërm e të largët, njërit pas tjetrit, dhe mbarë mbretërve të tokës që janë mbi sipërfaqen e dheut. Pas tyre do të pijë mbreti Sesak.

27 Ti thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Pini, dehuni e villni! Rrëzohuni e mos u ngritni pas shpatës që do ta dërgoj në mesin tuaj.

28 Nëse nuk do të duan ta marrin kupën prej dorës sate për ta pirë, thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Patjetër do të pini!

29 Sepse, ja: fillova ta ndëshkoj Qytetin që mban emrin tim e ju kujtoni se do të mbeteni të pandëshkuar? Jo, s’i shpëtuat ndëshkimit! Ja, unë e thirra shpatën kundër të gjithë banorëve të tokës ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive.

30 E ti kumtoju atyre të gjitha këto fjalë e thuaju:

Prej së larti Zoti ulërin,

nga banesa e tij e shenjtë i buçet zëri.

Ulërin thekshëm mbi kullota të veta,

buçet porsi ata që shtrydhin rrush

kundër të gjithë banorëve të tokës.

31 I arrin zëri luftarak deri në skaje të tokës:

Zoti ka gjyq kundër të gjithë popujve,

hap gjykimin kundër çdo njeriu,

fajtorët shpatës ia lëshon

‑ është fjala e Zotit.

32 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Ja, e keqja po kalon

prej një populli në popullin tjetër;

po ngrihet stuhi e madhe

prej skajeve të rruzullimit!

33 Atë ditë të goditurit prej Zotit do të jenë nga një skaj i tokës deri në tjetrin; askush s’do t’i vajtojë as nuk do t’i mbledhë as nuk do t’i varrosë: pleh do të mbesin mbi sipërfaqen e tokës!

34 Qani, barinj, e vajtoni,

bujarë të grigjës zhgërryhuni në pluhur

se ju plotësuan ditët e therjes,

ditët e shpartallimit tuaj,

do të rrëzoheni si enë të çmueshme.

35 Vrimë s’do të ketë për strehim të barinjve,

as shpëtim për bujarët e grigjës.

36 Ndihet britma e barinjve,

ulërijnë bujarët grigjës:

Zoti po ua rrënon kullotat!

37 I mb’loi heshtja kullotat e qeta

për shkak të furisë së zemërimit të Zotit!

38 E lë luani strofullin e vet,

sepse toka e tyre u shndërrua në shkretëtirë,

para hidhërimit të furishëm,

para zemërimit të zemërimit të Zotit.



Fjala e Zotit