1 Ja fjalët e letrës që Jeremia profet ia dërgoi nga Jerusalemi Tepricës së të shpërngulurve ‑ krerëve, priftërinjve, profetëve e mbarë popullit, të cilët i shpërnguli nga Jerusalemi Nabukodonozori dhe i çoi në Babiloni,
2 pasi ishin nisur nga Jerusalemi mbreti Jekonia, zonja mbretëreshë, bujarët e pallatit, prijësit e Judës e të Jerusalemit, mjeshtër e argjendarë.
3 Letra i qe dërguar për dorë të Elasës, birit të Safanit, e të Gamarisë, birit të Helcisë, të cilët i dërgoi Sedecia, mbreti i Judës, te Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Babiloni.
Në letër thoshte:
4 “Kështu u thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, të gjithë të humburve që i shpërngula nga Jerusalemi në Babiloni:
5 Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to; mbillni kopshte e hani frutat e tyre;
6 martohuni e lindni djem e vajza; merruni djemve tuaj gra, martojini vajzat tuaja, e të lindin bij e bija e shtohuni atje e mos u pakësoni!
7 Kërkojeni të mirën e vendit ku ju kam tretur e luteni Zotin për të, sepse në mirëqenien e tij qëndron edhe e mira juaj.
8 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Mos lejoni t’ju bëjnë të gaboni profetët që janë në mesin tuaj, dhe shortarët tuaj, dhe mos kini besim në ëndrrat tuaja që ju i ëndërroni,
9 sepse ata ju parakallëzojnë rrena në emër tim, e pra, unë nuk i dërgova ata ‑ është fjala e Zotit.
10 Sepse kjo është fjala e Zotit: Vetëm kur të mbushen shtatëdhjetë vjetët në Babiloni, vetëm atëherë do të vij t’ju shoh e do ta çoj në vend premtimin tim se do t’ju riatdhesoj.
11 Sepse unë e di mirë synimin që e kam me ju ‑ është fjala e Zotit ‑ synime paqeje e jo mjerimi: synoj t’ju jap pasardhësi dhe shpresë.
12 Ju do të më thirrni në ndihmë e do të vini tek unë; do të më luteni dhe unë do t’ju dëgjoj.
13 Do të më kërkoni e do të më gjeni sa herë që të më kërkoni me zemër të çiltër.
14 Do të lejoj të gjendem prej jush ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe do të bëj të marrë fund skllavëria juaj, do t’ju bashkoj nga të gjithë popujt e nga të gjitha vendet, në të cilat ju pata tretur ‑ është fjala e Zotit ‑. Unë do të bëj të ktheheni në vendin, nga i cili ju pata shpërngulur.
15 E vërtet ju thoni: ‘Zoti na ngriti profetë në Babilon... ’,
16 Ja, veç, se çka thotë Zoti për mbretin që rri mbi fronin e Davidit, për mbarë popullin, banorët e këtij qyteti, vëllezërit tuaj, të cilët nuk qenë tretur bashkë me ju në mërgim,
17 kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ja, po dërgoj mbi ta shpatën, urinë e murtajën; do t’i bëj si fiq të prishur që s’mund të hahen ngaqë janë shumë të këqij.
18 Do t’i përndjek me shpatë, me uri e me murtajë e do t’i bëj tmerr për të gjitha mbretëritë e tokës, shenjë mallkimi, habie, pëshpëritjeje dhe turp për të gjithë popujt, ku unë i flaka,
19 sepse nuk deshën t’i dëgjojnë fjalët e mia ‑ është fjala e Zotit ‑ që ua dërgova me anë të profetëve, shërbëtorëve të mi vazhdimisht pa u lodhur, por ju s’më dëgjuat ‑ është fjala e Zotit ‑.
20 Por ju, o mërgimtarë, dëgjojeni të gjithë fjalën e Zotit, që po jua dërgoj nga Jerusalemi në Babilon.
21 Kështu i thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, Akabit, birit të Kolisë, e Sedecisë, birit të Maasisë, që në emër tim ju profetizojnë rrejshëm: Ja, unë do t’i lë në duar të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, dhe do t’i godasë ndër sytë tuaj.
22 Me ta si me nëmë do të mallkojnë të gjithë të treturit e Judës në Babiloni e do të thonë: Qofsh mallkuar si Sedecia e si Akabi, që mbreti i Babilonisë i poqi në zjarr!’,
23 për arsye se bënë poshtërsi në Izrael dhe kurorëthyerje me gratë e miqve të vet e rrejshëm e folën fjalën time në emër tim, që unë nuk u kam urdhëruar. Unë e di këtë dhe jam dëshmitar i kësaj gjëje ‑ është fjala e Zotit.”
24 E Semejë Nehelamitajt thuaji:
25 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Për arsye se në emër tënd i ke dërguar mbarë popullit që është në Jerusalem si edhe priftit Sofoni, të birit të Maasisë, dhe të gjithë priftërinjve një letër, ku thua:
26 Zoti të ka vënë prift në vend të priftit Jojadë për të qenë mbikëqyrës në Tempullin e Zotit mbi çdo njeri kryekëcyer që don të luajë rolin e profetit e për ta hedhur në pranga e në hekura.
27 Pse atëherë nuk e ke ndëshkuar botërisht Jereminë nga Anatoti që po shitet ndër ju për profet?
28 Sepse, përmbi të gjitha, ai edhe neve na shkruan në Babiloni: ‘Do të kalojë shumë kohë e gjatë! Ndërtoni shtëpi e banoni në to, mbëltoni kopshte e hani frytet e tyre!’“
29 Prifti Sofoni ia lexoi letrën Jeremisë profet.
30 Po atëherë Jeremisë i qe drejtuar fjala e Zotit e i tha:
31 Dërgoju të gjithë të treturve këtë lajm: Kështu i thotë Zoti Semejës Nehelamit: Pasi Semeja ju profetizoi pa e pasë dërguar vetë, dhe ai ju bëri të keni besim në gënjeshtër,
32 prandaj kështu thotë Zoti: Unë do ta ndëshkoj Semejën e Nehelamit e mbarë farën e tij; askush prej farës së tij s’do të rrijë në mes të këtij populli; s’do ta shohë të mirën që unë do t’ia bëj popullit tim ‑ është fjala e Zotit ‑ sepse ka predikuar kryengritjen kundër Zotit.”