1 Kjo fjalë i qe drejtuar Jeremisë prej Zotit në të dhjetin vit të Sedecisë, mbretit të Judës, d. m. th. në të tetëmbëdhjetin vit të Nabukodonozorit.
2 Asohere ushtria e mbretit të Babilonisë e mbante në rrethim Jerusalemin dhe profeti Jeremi ishte i burgosur në oborrin e pallatit të mbretit të Judës.
3 Sedecia, mbreti i Judës, e kishte burgosur me këto fjalë: “Pse profetizon e thua: ‘Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta lëshoj këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë.
4 As Sedecia, mbreti i Judës, nuk do t’u shpëtojë duarve të kaldenjve, por do të bjerë në duar të mbretit të Babilonisë dhe do të bisedojë me të gojë për gojë dhe do ta shikojë sy ndër sy.
5 Sedecinë do ta çojë në Babilon dhe atje do të qëndrojë derisa unë t’i shkoj në pasi ‑ është fjala e Zotit. Por, edhe në qoftë se do të luftoni kundër kaldenjve, s’do të keni kurrfarë suksesi!’“?
6 Jeremia i tha: “Kështu më qe drejtuar fjala e Zotit:
7 Ja, Hanameeli, biri i Salumit, djali i ungjit tënd, po vjen te ti e do të thotë: ‘Bleje arën time që është në Anatot; sepse ty të takon ta blesh pasi je kushëriri’.
8 Kushëriri im Hanameeli erdhi tek unë ashtu siç ishte fjala e Zotit. Erdhi te dera e oborrit të burgut e më tha: ‘Bëje pronë tënden arën time që e kam në Anatot, në tokën e Beniaminit, sepse ty të takon trashëgimi, dhe ti je më i afërmi që i takon ta shpaguajë.’ E kuptova se ishte fjala e Zotit
9 dhe e bleva arën prej Hanameelit, djalit të ungjit tim, që është në Anatot, dhe ia peshova argjendin: shtatëmbëdhjetë sikla të argjendta.
10 E shkrova kontratën e shitblerjes, e nënshkrova, mora dëshmitarët dhe e peshova argjendin në peshore.
11 Atëherë e mora dokumentin e blerjes të vulosur ‑ sipas rregulloreve të përpikta.
12 Dokumentin e pronësisë ia dhashë Barukut, birit të Neriut, birit të Maasisë, ndër sy të Hanameelit, kushëririt tim, ndër sy të dëshmitarëve, që nënshkruan në dokumentin e shitblerjes dhe ndër sy të të gjithë judenjve, që ndodheshin në oborrin e burgut.
13 Ndër sy të tyre Barukut i dhashë këtë urdhër:
14 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Merri këto dokumente, këtë dokument të blerjes të vulosur, si dhe këtë dokumentin tjetër që është i hapur, shtjeri në enë argjile, që të mund të qëndrojnë për kohë të gjatë.
15 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Edhe pas kësaj dite do të blehen shtëpi, ara dhe vreshta në këtë vend!
16 Pasi ia dorëzova kontratën e blerjes Barukut, birit të Neriut, iu luta Zotit e thashë:
17 Ah, o Zot, Hyj, ti e përftove qiellin e tokën me fuqinë tënde të madhe e me krah të shtrirë! Për ty asgjë s’është e vështirë!
18 Ti ke mëshirë për mijëra, por edhe e ndëshkon fajësinë e etërve mbi bijtë e tyre pas tyre! O Hyj i madhërishëm, i gjithëpushtetshëm! Zot i Ushtrive është emri i tij:
19 i madhërueshëm në synime, i gjithëpushtetshëm në vepra. Sytë e tij rrinë hapur mbi sjelljet e bijve të Adamit, për ta shpërblyer gjithcilin sipas sjelljes dhe sipas fryteve të veprave të secilit.
20 Ti bëre shenja e mrekulli në tokën e Egjiptit deri në ditën e sotme në Izrael e mes njerëzve dhe e madhërove emrin tënd siç mund ta shohim sot!
21 Ti e nxore popullin tënd Izraelin nga toka e Egjiptit me shenja e me mrekulli të mëdha me krah të shtrirë e me tmerr të madh.
22 Ti ua dhe këtë tokë, për të cilën u qe betuar etërve të tyre se do t’ua japësh, këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë.
23 Ata hynë dhe e pronësuan, por nuk e dëgjuan zërin tënd dhe nuk ecën sipas Ligjit tënd: nuk bënë gjithçka ti i kishe urdhëruar të bëjnë, prandaj ti i çove përmbi ta të gjitha këto të vështira.
24 Ja, u rrethuan veprat e rrethimit kundër qytetit që të pushtohet dhe kalaja u la në duart e kaldenjve që po luftojnë kundër saj me shpatë, me uri e me murtajë. Gjithçka ti ke thënë, ja, po ndodh siç po sheh edhe ti vetë.
25 E pra, ti, o Zot Hyj, më thua: Bleje arën me para e thirri dëshmitarët, kurse qyteti tashmë është lënë në duar të kaldenjve!”
26 Atëherë iu drejtua fjala e Zotit Jeremisë dhe i tha:
27 “Ja, unë jam Zoti Hyji i çdo qenieje të gjallë! Pse, vallë, për mua do të jetë ndonjë gjë e pamundshme?!
28 Prandaj kështu thotë Zoti: Ja, unë po e lë në duar të kaldenjve këtë qytet dhe në duart e mbretit të Babilonisë: ai do ta pushtojë.
29 Do të hyjnë kaldenjtë që luftojnë kundër tij, do ta djegin me zjarr, do t’i bëjnë shkrumb shtëpitë, mbi taracat e të cilave u kushtonin fli Baalit dhe u kushtonin fli njomjeve hyjnive të tjera me qëllim që të më ngacmonin.
30 Sepse bijtë e Izraelit e bijtë e Judës, që nga rinia e tyre, bënin të keqen ndër sytë e mi; bijtë e Izraelit s’ditën të bëjnë tjetër deri në ditën e sotme, pos të më ngacmojnë me veprat e duarve të veta ‑ është fjala e Zotit.
31 Vërtet ky qytet, që kur u ndërtua, s’më qe për tjetër, por për hidhërim e zemërim deri në ditën e sotme që do të zhduket prej pranisë sime,
32 për shkak të keqësisë së bijve të Izraelit e të bijve të Judës, që e bënë me qëllim që të më zemërojnë ata dhe mbretërit e tyre, prijësit e tyre, priftërinjtë e profetët e tyre, judenjtë banorët e Jerusalemit.
33 Shpinën ma sollën e jo fytyrën; unë i mësoja me kujdesin më të madh, por ata s’donin të më dëgjonin për ta marrë mësimin.
34 Vendosën idhujt në Shtëpinë, mbi të cilën u thirr Emri im për ta dhunuar atë.
35 Ndërtuan lartësi për nder të Baalit në luginën Benenom për t’i kaluar nëpër zjarr bijtë e bijat e veta për nder të Molokut ‑ gjë që unë kurrën e kurrës nuk e kisha urdhëruar, as nëpër mend nuk më kishte shkuar ta bënin një poshtërsi të tillë dhe Judën ta shpinin në mëkate.”
36 Megjithatë, e po për të njëjtën arsye, kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ju thoni se me shpatë, me uri e me murtajë do t’i lihet në dorë mbretit të Babilonisë:
37 ‘Ja, unë do t’i bashkoj nga të gjitha vendet në të cilat i pata tretur ‑ në zemërimin tim, në hidhërimin tim e në zemërimin tim të madh: unë do t’i kthej në këtë vend e do të bëj të banojnë krejtësisht të sigurt.
38 Këta do të jenë populli im dhe unë do të jem Hyji i tyre.
39 Unë do t’u jap një zemër të vetme dhe një udhë të vetme që të më druajnë mua vazhdimisht, që të jenë mirë ata dhe bijtë e tyre pas tyre.
40 Unë do të lidh me ta një besëlidhje të amshueshme: nuk do të pushoj duke u bërë mirë e në zemrën e tyre do ta fus frikën time që të mos largohen prej meje.
41 Kënaqësi për mua do të jetë t’u bëj mirë. Do të bëj thellë të lëshojnë rrënjë në këtë vend me gjithë besnikërinë time, me gjithë zemrën time e me gjithë shpirtin tim.
42 Sepse kështu thotë Zoti: Sikurse mbi këtë popull solla një të keqe kaq të madhe, kështu do të sjell përmbi ta çdo të mirë që ua premtoj.
43 Do të blihen ara në këtë vend, për të cilin ju thoni se është shkretëtirë, sepse në të nuk mbeti njeri as s’mbeti kafshë, por u la në dorën e kaldenjve.
44 Arat do të blihen me para, do të shkruhen në vërtetimin e pronësisë, do t’u vihet vula e do të vërtetohen me dëshmitarë në tokën e Beniaminit, në rrethet e Jerusalemit, në qytetet e Judës, në qytetet malore, në qytetet e Sefelës dhe në qytetet e mesditës, sepse do ta shndërroj fatin e tyre ‑ është fjala e Zotit.