< Jer 32 Jer 34 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 33)
33

1 Edhe herën e dytë i qe drejtuar Jeremisë fjala e Zotit ndërkohë që ai ishte ende në oborrin e burgut. I tha:

2 ”Kështu thotë Zoti, që do ta bëjë këtë, Zoti që do ta trajtojë atë e do ta bëjë të qëndrueshme ‑ emri i tij është Zot.

3 Kërkoje ndihmën time e unë do të të vështroj e do të të tregoj gjëra të mëdha e të pashqyrtueshme që ti s’i di.

4 Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, lidhur me shtëpitë e këtij qyteti dhe me shtëpitë e mbretit të Judës që u rrënuan nga veprimet e rrethimit e nga shpata

5 e atyre që erdhën për të luftuar kundër kaldenjve për t’i mbushur me kufoma njerëzish, që i godita në furinë time e në zemërimin tim duke e fshehur fytyrën time nga ky qytet për shkak të gjithë keqësisë së tyre.

6 Shiko: unë vetë do ta shëroj varrën e tyre, do t’i shëroj e do t’u kthej shëndetin dhe do t’u dhuroj mbushulli paqeje të vërtetë.

7 Do ta ndërroj fatin e Judës e fatin e Izraelit dhe do t’i ndërtoj porsi në fillim.

8 Unë do t’i pastroj nga çdo fajësi, me të cilën mëkatuan kundër meje, do të kem dhimbje për të gjitha fajet e tyre, me të cilat më fyen dhe më përbuzën.

9 Do të jetë për mua zë i mirë, gëzim, nder e lavdi në sy të të gjithë popujve të tokës, kur të dëgjojnë për të gjitha të mirat që unë do t’ua bëj izraelitëve e judenjve. Popujt do të mahniten e do të dridhen për shkak të të gjitha të mirave dhe për paqe të madhe që unë do ta bëj për ta.

10 Kështu thotë Zoti: Përsëri do të dëgjohet në këtë vend, për të cilin ju thoni se është i shkretuar, pasi s’ka mbetur njeri as kafshë në qytetet e Judës e në sheshet e Jerusalemit, që janë shkretuar pa njeri, pa banorë e pa bagëti,

11 zëri i gëzimit e zëri i haresë, brohoritja e dhëndrit e brohoritja e nuses, zëri i atyre që do të brohorisin:

‘Lavdërojeni Zotin e Ushtrive,

sepse Zoti është i mirë,

sepse e amshuar është dashuria e tij!’,

ata që do të sjellin kushte në Shtëpinë e Zotit: sepse unë dua ta ripërtërij këtë vend siç ka qenë më parë ‑ është fjala e Zotit.

12 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Në këtë vend që ju thoni se është i shkretuar, pa njeri e pa kafshë, në mbarë qytetet e tij, përsëri do të ketë tëbana barinjsh që kullotin grigjat.

13 Në qytetet malore, në qytetet e Sefelës, edhe në qytetet që janë në krah të mesditës, në tokën e Beniaminit e përreth Jerusalemit, po edhe në qytetet e Judës, përsëri do të kalojnë grigjat nën dorën e atyre që e numërojnë ‑ është fjala e Zotit.

14 Ja, po vijnë ditët ‑ është shpallje e Zotit ‑ e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës:

15 Në ato ditë e po në atë kohë,

do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie,

Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë.

16 Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë

e Jerusalemi do të banojë në siguri.

Dhe ja, emri me të cilin do të quhet Qyteti:

‘Zoti është Drejtësia jonë’.”

17 Sepse kështu thotë Zoti: Kurrë s’do t’i mungojë Davidit një pasardhës që të rrijë mbi fronin e Izraelit.

18 Kurrë s’do të mungojnë priftërinjtë levitë para fytyrës sime që të kushtojnë fli shkrumbimi, fjollë ta çojnë tymin e flive dhe të bëjnë fli për çdo ditë.

19 Atëherë Jeremisë i qe drejtuar fjala e Zotit. I tha:

20 “Kështu thotë Zoti: Në qoftë se mundeni ta prishni besëlidhjen time me ditën e besëlidhjen time me natën, kështu që ato të mos vijnë më në kohën e caktuar,

21 atëherë do të mund të prishet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, kështu që të mos ketë prej tij djalë që të mbretërojë mbi fronin e tij, kështu edhe me priftërinjtë levitë, shërbëtorët e mi.

22 Sikurse nuk mund të numërohen yjet e qiellit as s’mund të matet rëra e detit, po ashtu do ta shumoj farën e Davidit, shërbëtorit tim, edhe levitët, shërbëtorët e mi.”

23 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë, e i tha:

24 “A nuk e ke vënë re se çka thotë ky popull: ‘Dy barqet që Zoti i kishte zgjedhur, u përbuzën prej Zotit’, dhe e përbuzën popullin tim, sikurse më të mos ishte popull ndër sytë e tyre?

25 Kështu thotë Zoti: Në qoftë se unë nuk e kam lidhur besëlidhje me ditën e me natën e në qoftë se nuk ua kam vënë ligjet qiellit e tokës,

26 atëherë do ta përbuz edhe farën e Jakobit e të Davidit, shërbëtorit tim, dhe më nuk do të marr prej farës së tij prijës për farën e Abrahamit, Izakut e Jakobit: por unë do ta ndërroj fatin e tyre e do të kem mëshirë për ta.”



Fjala e Zotit