< Jer 37 Jer 39 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 38)
38

1

Por dëgjuan Safatia, biri i Matanit, Gedalia, biri i Fasurit, Jukali, biri i Selemisë dhe Fasuri, biri i Malkisë për fjalët që Jeremia ia thoshte mbarë popullit:

2 ”Kështu thotë Zoti: Kushdo që të qëndrojë në këtë qytet, do të vdesë nga shpata, uria e murtaja, ndërsa kush të ikë te kaldenjtë, do të jetojë; do të jetë i lumë që e ka shpëtuar kokën e do të jetojë.

3 Sepse kështu thotë Zoti: Me siguri ky qytet do të bjerë në duar të mbretit të Babilonit dhe ai do ta pushtojë!”

4 Atëherë paria i thanë mbretit: “Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua humb guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën.

5 Mbreti Sedeci tha: “Ja, ai është në duart tuaja; mbreti s’ka se si t’ju mohojë ndonjë gjë!”

6 Kështu, pra, e morën Jereminë dhe e hodhën në një sternë të Malkisë, birit të mbretit, që ishte në oborr të burgut. Në sternë Jereminë e lëshuan me litarë. Në ubël nuk kishte ujë, por baltë. Kështu Jeremia u zhyt në baltë.

7 Por dëgjoi Abdemeleku etiopas, një oborrtar në pallatin e mbretit, se e kishin hedhur Jereminë në ubël. Mbreti ishte ndalur te dera e Beniaminit;

8 Abdemeleku doli nga pallati mbretëror dhe foli me mbretin. I tha:

9 “Imzot, o mbret, kanë vepruar keq ata njerëz gjithçka kanë bërë kundër profetit Jeremi: e kanë hedhur në ubël që të vdesë aty prej urisë, sepse në qytet nuk ka më bukë!”

10 Atëherë mbreti i dha Abdemelekut etiopas këtë urdhër: “Merri me vete prej këtu tre burra dhe nxirre profetin Jeremi nga ubla para se të vdesë!”

11 Abdemeleku, si i mori me vete njerëzit, hyri në shtëpinë e mbretit, në odën që ishte nën thesar, i mori disa zhele prej petkave të vjetra, i shqeu dhe i lëshoi me litarë te Jeremia në ubël.

12 Atëherë Abdemeleku etiopian i tha Jeremisë: “Vëri këto peca e këto zhele nën sqetull e mbi to litarin!” Jeremia bëri ashtu.

13 Me litarë e nxorën Jereminë dhe e hodhën përjashta ublës. Jeremia u ndal në oborrin e burgut.

14 Mbreti Sedeci dërgoi dhe bëri të sillet tek ai profeti Jeremi te dera e tretë që ishte në Shtëpinë e Zotit. Mbreti i tha Jeremisë: “Dua të të pyes një fjalë, mos më fsheh asgjë!”

15 E Jeremia iu përgjigj Sedecisë: “A nuk më vret nëse ta shpall? Por në qoftë se të këshilloj, ti s’do të më dëgjosh!”

16 Prandaj mbreti Sedeci iu përbetua fshehtazi Jeremisë: “Pasha Zotin e gjallë, që na e jep këtë jetë, nuk do të të vras as nuk do të të lëshoj në duar të njerëzve që e kërkojnë kokën tënde.”

17 Atëherë Jeremia i tha Sedecisë: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse del e u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ti do ta shpëtosh kokën, ky qytet nuk do të digjet, ti dhe familja jote do të shpëtoni.

18 Por, në qoftë se nuk do të dalësh t’u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t’u lihet në dorë kaldenjve. Ata do ta djegin me zjarr dhe ti s’do të shpëtosh prej duarve të tyre.”

19 Atëherë mbreti Sedeci i tha Jeremisë: “Jam shumë i brengosur për shkak të judenjve që kanë kaluar te kaldenjtë: kam frikë se ndoshta më lëshojnë në duar të tyre e ata më përqeshin!”

20 Por Jeremia iu përgjigj: “S’do të të dorëzojnë! Dëgjoje, po të lutem, fjalën e Zotit, që unë po ta them dhe do të jetë mirë për ty dhe do të të shpëtojë jeta.

21 Por, në qoftë se s’do të duash të dalësh, ja se ç’më ka dëftuar Zoti:

22 Ja, të gjitha gratë që ende qëndrojnë në pallatin e mbretit të Judës, do t’i çojnë te oficerët e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë:

‘Të kanë ngashnjyer e të kanë tradhtuar

njerëzit që ti u besoje;

në llom po të zhyten këmbët,

kurse ata të lanë e shkuan.’

23 Po, se të gjitha gratë e tua e të gjithë fëmijët e tu do t’i çojnë te kaldenjtë. Po as ti nuk do t’u shpëtosh duarve të tyre, por do të biesh në dorën e mbretit të Babilonit, kurse këtë qytet do ta djegë.”

24 Atëherë Sedecia i tha Jeremisë: “Askush të mos i dijë këto fjalë, përndryshe do të vritesh.

25 Por, në qoftë se do ta marrin vesh dinjitarët se kam folur me ty e në qoftë se vijnë te ti e të pyesin: ‘ Na trego çka ke biseduar me mbretin, mos na fsheh gjë e nuk do të të vrasim, si edhe çka ka biseduar me ty mbreti’,

26 thuaju:’ I bëra lutje mbretit të mos urdhërojë të më kthejnë në shtëpinë e Jonatanit që të mos vdes atje. ’“

27 Vërtet shkuan të gjithë dinjitarët te Jeremia dhe e pyetën. Ai u tha të gjitha fjalët që ia kishte urdhëruar mbreti. Kështu ata e lanë në qetësi, sepse gjë s’u mor vesh prej asaj bisede.

28 Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jerusalemi.



Fjala e Zotit