< Jer 38 Jer 40 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 39)
39

1 Të nëntin vit të Sedecisë, mbretit të Judës, në të dhjetin muaj, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë dhe mbarë ushtria e tij te Jerusalemi dhe po e mbante të rrethuar.

2 Të njëmbëdhjetin vit të Sedecisë, në muajin e katërt, të nëntën ditë të muajit, u hap një vrimë në qytet.

3 Hynë të gjithë prijësit e mbretit të Babilonisë dhe u ndalën te dera e Mesme: Neregel Sareser, Samegar ‑ Nabu, Sarsakimi, kryekomandanti, Neregel Sereseri, kryemagjistari, dhe të gjithë prijësit e tjerë ushtarakë të mbretit të Babilonisë.

4 Kur i pa mbreti i Judës, Sedecia, e të gjithë luftëtarët e tij, u vunë në ikje e, natën, dolën prej qytetit, për rrugë të kopshtit të mbretit, nëpër derën që është ndërmjet dy mureve, dhe dolën në udhën e Arabës.

5 Por, çetat e kaldenjve i ndoqën. Sedecinë e zunë në Fushat e Jerikos dhe, pasi e kapën, e çuan te Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Reblë, që është në tokën Emat. Aty ai ia shpalli dënimin.

6 Mbreti i Babilonisë në Reblë ia preu bijtë Sedecisë ndër sy të tij; po ashtu mbreti i Babilonit e preu të gjithë parinë e Judës.

7 Pastaj Sedecisë ia nxori sytë dhe e lidhi në pranga për ta çuar në Babiloni.

8 Atëherë kaldenjtë u dhanë zjarrin pallatit të mbretit dhe shtëpive të popullit dhe i rrënuan muret e Jerusalemit.

9 Mbarë tepricën e popullit që kishte mbetur në qytet, të ikurit që kishin kaluar tek ai e mbarë tjetrin popull, Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, i shpuri në Babiloni.

10 Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, skamnorët e popullit që nuk kishin kurrgjë i la në tokën e Judës dhe me atë rast u ndau vreshta e ara.

11 Lidhur me Jereminë, Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, i dha këtë urdhër Nabuzar‑ danit, kryekomandantit të rojës trupore:

12 ”Merre dhe mos m’ia ndaj sytë! Mos i bëj kurrnjë të keqe, përkundrazi bëj për të gjithçka që të dojë ai!”

13 Kështu, pra, Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, Nabusezbani, kryetari i oborrtarëve, Neregel Sereseri, kryetari i magjistarëve dhe e gjithë paria e mbretit të Babilonisë,

14 çuan njerëzit dhe e sollën Jereminë nga oborri i burgut e ia dorëzuan Godolisë, birit të Ahikamit, të birit të Safanit, që ta çojë në shtëpi. Kështu Jeremia qëndroi në mes të popullit.

15 Ndërkohë që Jeremia ishte ende i burgosur në oborrin e burgut, fjala e Zotit i kishte qenë drejtuar kështu:

16 “Shko e thuaji Abdemelekut etiopas: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Shiko, unë dua t’i çoj në vend kundër këtij qyteti fjalët e mia që sjellin të keqen e jo të mirën. Kur të sendërtohen ndër sytë e tu, atë ditë,

17 unë do të të shpëtoj po atë ditë ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe ti nuk do të lëshohesh në duart e atyre që ti ua ke frikën,

18 por me siguri unë do të të shpëtoj dhe shpata nuk do të të presë, jeta jote e shpëtuar do të jetë thuajse preja jote, sepse ti e ke vënë shpresën tënde në mua” ‑ është fjala e Zotit.



Fjala e Zotit