< Jer 40 Jer 42 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 41)
41

1 Dhe të shtatin muaj erdhi Ismaeli, biri i Natanisë, të birit të Elisamës, nga fara mbretërore dhe një nga mbarështuesit e lartë të mbretit, dhe me të edhe dhjetë burra, te Godolia, biri i Ahikamit në Masfë. Aty edhe hëngrën bukë së bashku në Masfë.

2 Por Ismaeli, biri i Natanisë, dhe dhjetë burrat, që ishin me të, u ngritën, e goditën me shpatë Godolinë, birin e Ahikamit, të birit të Safanit; e vranë atë që mbreti i Babilonit e kishte bërë të parin e vendit.

3 Ismaeli i vrau gjithashtu edhe të gjithë judenjtë që ishin me Godolinë në Masfë, si dhe kaldenjtë që u gjendën aty e ishin ushtarë.

4 Të nesërmen, pasi u vra Godolia dhe askush ende nuk e dinte,

5 erdhën disa njerëz nga Sikemi, nga Siloja e nga Samaria, tetëdhjetë burra, me mjekërr të rruar, me petka të shqyera, me gërvishtje në trup, sillnin në duar kushte e kem për t’i flijuar në Shtëpinë e Zotit.

6 Ismaeli, biri i Natanisë, doli nga Masfa për t’i takuar. Ecte rrugës duke qarë. Kur u takua me ta, u tha: “Ejani te Godolia, biri i Ahikamit.”

7 Kur ata arritën në mes të qytetit, Ismaeli, biri i Natanisë, i preu, dhe ai, me njerëzit që ishin me të, i hodhi në sternë.

8 Ndër ta u gjetën dhjetë vetë që i thanë Ismaelit: “Mos na mbyt, sepse kemi në ara ushqime rezervë të fshehura: grurë, elb, vaj e mjaltë”. Ai atëherë hoqi dorë e nuk i vrau ata as vëllezërit e tyre.

9 Sterna, në të cilën Ismaeli i kishte hedhur kufomat e njerëzve, që i vrau, është sterna e madhe që e punoi mbreti Asë kundër Baasës, mbretit të Izraelit. Liqethin Ismaeli, biri i Natanisë, e mbushi me të vrarë.

10 Atëherë Ismaeli e mori me vete tepricën e popullit që ishte në Masfë, bijat e mbretit dhe mbarë popullin që kishte mbetur në Masfë, të cilët Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, ia kishte lënë nën kujdes Godolisë, birit të Ahikamit; Ismaeli, biri i Natanisë, i mori me vete dhe u nis për të kaluar te bijtë e Amonit.

11 Por dëgjoi Johanani, biri i Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të për këtë kërdi të madhe që e kishte bërë Ismaeli, biri i Natanisë,

12 i morën të gjithë njerëzit e vet, u nisën të luftojnë kundër Ismaelit, birit të Natanisë. E gjetën tek Ujërat e Mëdha që janë në Gabaon.

13 Mbarë populli që ishte me Ismaelin, kur e pa Johananin, birin e Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të, u gëzuan shumë.

14 Atëherë mbarë populli që Ismaeli e kishte marrë rob në Masfë, u kthye e shkoi te Johanani, biri i Kareesë.

15 Por Ismaeli, biri i Natanisë, me tetë vetë iku para syve të Johananit dhe kaloi ndër amonë.

16 Atëherë Johanani, biri i Kareesë, e oficerët që ishin me të, i morën tepricat e popullit që i kishte marrë robër Ismaeli, biri i Natanisë, nga Masfa, pasi e pati vrarë Godolinë, birin e Ahikamit: trima, gra, fëmijë e oborrtarë, të cilët u kthyen nga Gabaoni.

17 U nisën për rrugë e zunë vend në Gerutkamaam, që është afër Betlehemit. Aty pushuan pak, sepse kishin për qëllim që të vazhdonin udhën për të kaluar në Egjipt

18 larg nga kaldenjtë. Vërtet, i druanin kaldenjtë, sepse Ismaeli, biri i Natanisë, e kishte vrarë Godolinë, birin e Ahikamit, të cilin mbreti i Babilonisë e kishte bërë qeveritar të vendit.



Fjala e Zotit