1 Posa Jeremia ia tha mbarë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Hyjit të tyre, të gjitha ato fjalë për të cilat e kishte dërguar Zoti, Hyji i tyre, për t’ua thënë,
2 Azaria, biri i Ozaisë, Johanani, biri i Kareesë, e të gjithë ata njerëz, krenarë e kryengritës, i thanë Jeremisë: “Ti po na rren! Zoti, Hyji ynë, nuk të dërgoi të na thuash: ‘Mos shkoni në Egjipt për t’u strehuar atje!’,
3 por Baruku, biri i Nerisë, të ngacmon kundër nesh, që të na lëshojë në duar të kaldenjve për të na vrarë e për të na tretur në Babilon.”
4 Johanani, biri i Kareesë, të gjithë oficerët dhe mbarë populli nuk e dëgjuan zërin e Zotit që të qëndroni në tokën e Judesë.
5 Por Johanani, biri i Kareesë, dhe të gjithë oficerët morën mbarë tepricën e Judës, që ishin kthyer nga të gjitha vendet, ku më parë kishin qenë shpërndarë, që më vonë të ktheheshin në tokën e Judës:
6 burra e gra, të vegjlit e bijat e mbretit dhe çdo njeri që e kishte lënë Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, me Godolinë, birin e Ahikamit, të birit të Safanit. Morën edhe Jereminë profet edhe Barukun, birin e Nerisë,
7 dhe hynë në tokën e Egjiptit, sepse nuk e dëgjuan zërin e Zotit. Kështu arritën në Tafnis.
8 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë në Tafnis:
9 “Merr gurë të mëdhenj dhe fshehi në llaç ndër sy të judenjve në kalldrëmin që është para derës së shtëpisë së faraonit në Tafnis
10 e thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do ta dërgoj e do ta marr mbretin e Babilonisë, Nabukodonozorin, shërbëtorin tim, dhe fronin e tij do ta vendos mbi këta gurë që i fsheha; ai do ta vendosë selinë e vet mbi ta.
11 Do të vijë e do ta godasë tokën e Egjiptit:
Kush të jetë për vdekje, në vdekje!
Kush të jetë për mërgim, në mërgim!
Kush të jetë për shpatë, në shpatë!
12 Me zjarr do t’i shkrumbojë tempujt e zotave të Egjiptit, do t’i djegë, e do t’i dëbojë në mërgim zotat dhe do ta shkundë tokën e Egjiptit siç e shkund bariu për ta pastruar prej morrave leshnikun e vet e prej andej do të dalë pa i hyrë ferrë në këmbë.
13 Copë e grimë do t’i bëj truporet e tempullit të Diellit, që janë në dheun e Egjiptit, me zjarr do t’i shkrumboj faltoret e zotave të Egjiptit.”