1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Jeremisë:
2 ”Qëndro para derës së shtëpisë së Zotit, shpalle aty këtë fjalë e thuaj: Dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju o judenj, që hyni nëpër këtë derë, për ta adhuruar Zotin.
3 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Përmirësoni udhët tuaja dhe veprat tuaja e do t’jua mundësoj të banoni në këtë vend.
4 Mos shpresoni në fjalët e rreme: ‘Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit!’
5 Por, në qoftë se ju përnjëmend e përmirësoni sjelljen tuaj dhe veprat tuaja, në qoftë se ju njëmend e zbatoni të drejtën njëri kundrejt tjetrit,
6 në qoftë se nuk do ta shfrytëzoni ardhacakun, bonjakun e të vejën, në qoftë se nuk do ta derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend dhe në qoftë se nuk do të ecni pas hyjnive të huaja në dëmin tuaj,
7 unë do të bëj që të banoni në këtë vend, në tokën që ua dhashë etërve tuaj përgjithmonë e jetës.
8 Por, ja, se ju e keni vënë shpresën tuaj në fjalë të rreme, që gjë s’ju ndihmojnë.
9 Çfarë? Të vidhni, të vritni, të fëlligështoni, të përbetoheni rrejshëm, t’i kushtoni Baalit kem, të shkoni pas hyjnive të huaja që nuk i njihni,
10 e atëherë të vini e të paraqiteni para meje në këtë Shtëpi, mbi të cilën është thirrur emri im e të thoni: ‘Kemi shpëtuar!’, që të vazhdoni t’i bëni të gjitha këto turpëri.
11 Pse a shpellë cubash është bërë kjo Shtëpi, mbi të cilën është thirrur emri im ndër sytë tuaj? Po, por as unë nuk jam i verbër ‑ thotë Zoti.
12 Shkoni në vendin tim në Silo, ku dikur banoi emri im e shikoni çfarë i bëra atij për shkak të mbrapshtisë së popullit tim, Izraelit.
13 E tashti, pasi ju i keni bërë të gjitha këto të zeza ‑ thotë Zoti ‑ megjithëse ju kam folur pa pushuar e s’më keni dëgjuar, ju kam thirrur e nuk më jeni përgjigjur,
14 do të bëj me këtë Shtëpi, mbi të cilën u thirr emri im, e në të cilën ju keni shpresë e me këtë vend, që jua dhashë juve e etërve tuaj, siç bëra me Silon:
15 do t’ju flak larg fytyrës sime, siç i flaka të gjithë vëllezërit tuaj, mbarë farën e Efraimit.
16 E ti, ruaj se ndërmjetëson për këtë popull, ruaj se ndërmerr lutje ose përlutje, as mos m’u vër, sepse nuk do ta dëgjoj lutjen tënde.
17 Pse a nuk sheh se çka bëjnë në qytetet e Judës e në rrugë të Jerusalemit?
18 Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarr e gratë ngjeshin brumin për të pjekur kuleç “mbretëreshës së qiellit” edhe njomin njomje hyjnive të huaja për të më ngacmuar mua që të hidhërohem.
19 A thua më poshtërojnë mua ‑ është fjala e Zotit ‑ e jo vetveten për turpin e vet?
20 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, zemërimi im e zemërimi im do të zbrazet mbi këtë vend, mbi njerëz e mbi kafshë, mbi drurët e fushës e mbi frytet e tokës, flakë do të ndizet e nuk do të fiket.
21 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Shtojuni flive tuaja flitë e shkrumbimit dhe hajuani mishin.
22 Sepse unë nuk u kam thënë as nuk u kam urdhëruar etërve tuaj ditën që i nxora nga toka e Egjiptit në lidhje me flitë e shkrumbimit e të theroreve.
23 Porse unë u kam dhënë këtë urdhër: Dëgjojeni zërin tim dhe unë do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im. Ecni vazhdimisht udhës që do t’ju urdhëroj që të jeni të lumë.
24 Por nuk më dëgjuan as nuk e prirën veshin e vet, por shkuan sipas ëndjeve dhe mbrapshtisë së zemrës së vet të prishur edhe ma kthyen shpinën e jo fytyrën,
25 që nga dita kur etërit tuaj dolën nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme. E unë ju dërgova të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, si një ditë përditë e me kujdes.
26 Por ata s’më dëgjuan as s’më vunë vesh dhe u bënë kokëfortë dhe vepruan edhe më zi se etërit e tyre.
27 Ti thuaju të gjitha këto fjalë, por ata s’do të dëgjojnë; do t’i thërrasësh, por ata s’do të të përgjigjen.
28 Atëherë thuaju: Ky është një popull që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Hyjit të vet, e nuk e pranon mësimin. U zhduk besnikëria, u zhduk nga goja e tyre.
29 Preji flokët e gjatë dhe flaki!
Nisja kodrave të zhveshura gjëmës,
sepse Zoti e përbuzi dhe e flaku
brezninë që e zemëroi.
30 Sepse bijtë e Judës bënë çka është e keqe para syve të mi ‑ është fjala e Zotit; vendosën Turpëritë e veta në Tempullin që mbart emrin tim, për ta dhunuar.
31 Ndërtuan vende të larta të Tofetit që është në luginën Benennom për t’i djegur bijtë e bijat e veta në zjarr ‑ çka kurrë nuk u kam urdhëruar as kurrë nuk më ka shkuar nëpër mend.
32 Dhe, ja, po vijnë ditët ‑ thotë Zoti ‑ kur nuk do të quhet më Tofet as lugina Benennom, por lugina e Vrasjes. Në Tofet do të varrosen të vdekurit, sepse gjetiu nuk do të ketë vend.
33 Kufomat e këtij populli do të jenë ushqim për shpendët e ajrit e për bishat e malit dhe s’do të ketë kush t’i trembë.
34 Do të bëj të shuhen në qytetet e Judës e në rrugë të Jerusalemit zërat e gëzimit e të haresë, zëri i dhëndrit e zëri i nuses, sepse vendi do të kthehet në shkretëtirë.