1 Në atë kohë ‑ thotë Zoti ‑ do t’i nxjerrin nga varret e tyre eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e prijësve të tij, eshtrat e priftërinjve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e atyre që banuan në Jerusalem
2 dhe do t’i shpërndajnë në drejtim të diellit, të hënës e të mbarë ushtrisë qiellore, të cilët i deshën, të cilëve u shërbyen, pas të cilëve ecën, të cilët i kërkuan e të cilët i adhuruan; nuk do të mblidhen e nuk do të varrosen: pleh do të jenë mbi sipërfaqen e tokës.
3 Më e mirë do të jetë vdekja se jeta për të gjithë ata që do të mbesin gjallë prej kësaj breznie të prishur në të gjitha vendet ku do t’i shpërndaj ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive.
4 Ti thuaju atyre: kështu thotë Zoti:
Vallë, kush rrëzohet, a thua më nuk çohet,
nëse e humb rrugën, a thua prapë s’kthehet?
5 Pse atëherë endet ky popull,
Jerusalemi vazhdimisht pse është kundër?
U qepën pas gënjeshtrës,
të kthehen nuk dëgjojnë!
6 Dëgjova me kujdes:
nuk flasin siç ka hije,
asnjë nuk pendohet
për të keqen e vet
e s’thotë:
“Çfarë bëra?”
Të gjithë e ndjekin pa u kthyer vrapin e vet,
porsi kali që sulet në luftë.
7 Edhe lejleku nën qiell
e njeh kohën e vet,
turtulli, dallëndyshja edhe mullibardha
e di kohën kur duhet të kthehen,
kurse populli im
nuk e njeh të drejtën e Zotit!
8 Si mund të thoni: “Ne jemi të urtë
e me ne është Ligji i Zotit?”
Vërtet në gënjeshtër e ka shndërruar
lapsi gënjeshtar i shkruesve.
9 Të turpëruar do të mbesin të urtët,
të tmerruar e të zënë në leqe,
sepse përbuzën fjalën e Zotit,
e në ta s’mbeti kurrfarë urtie.
10 Prandaj, gratë e tyre të tjerëve do t’ua jap,
pushtuesve arat e tyre,
sepse prej më të voglit deri tek më i madhi,
të gjithë janë dhënë pas horrjatisë,
prej profetit deri te prifti
të gjithë si një po bëjnë dredhi.
11 Mendjelehtas shërojnë plagën
e bijës së popullit tim
e thonë: “Paqe! Paqe!” e paqe s’ka.
12 Janë turpëruar pse bënë turpëri,
por ata nuk dinë për turp,
por mjerisht nuk dinë të skuqen.
“Ja, pra, do të rrëzohen porsi të tjerët,
rrafsh do të bien kur t’i ndëshkoj
‑ është fjala e Zotit.
13 Doja në ta vetë të vjel
‑ është fjala e Zotit ‑
por në hardhia rrush nuk ka,
as në fiq, fiq nuk ka,
u janë vyshkur deri edhe gjethet!
Do t’u jap atyre që mbi ta shkelin.
14 ‑ “Përse ne rrimë me duar në ijë?
Në këmbë! Të hyjmë brenda në fortesa,
aty të vdesim,
pasi Zoti, Hyji ynë,
na dorëzoi në vdekje,
na dha të pimë ujët e helmuar,
pse mëkatuam kundër tij.
15 Prisnim paqen: por të mirë s’ka,
të na vijë dita e shërimit,
dhe ja, tmerri!”
16 Nga Dani hingëllima e kuajve të tij dëgjohet,
prej ushtimës së hingëllimës së
hamëshorëve të tij
tundet mbarë toka;
po vijnë
të përpijnë tokën me çka ka në të,
qytetin me banorët e tij!
17 ‑ Ja, po nisi kundër jush
shlliga të helmuara,
kundër të cilash s’ndihmon shortia,
do t’ju hanë
‑ është fjala e Zotit.
18 Gëzimi im m’u shndërrua në dhimbje,
ma mbuloi zemrën trishtimi!
19 Ja, dëgjoj britmat e vajtueshme
të bijës së popullit tim
që ushtojnë nga një tokë e largët:
“Vallë, thua Zoti s’është më në Sion?
Mbreti i tij s’është më në të?
‑ Pse me idhuj më ngacmojnë të zemërohem,
më fyejnë me asgjësitë e huaja?”
20 ‑ Kaloi korrja, iku vera,
e shpëtim për ne nuk ka!
21 Për shkak të ndrydhjes së popullit tim
jam i ndrydhur, i përvëluar,
krejtësisht më pushtoi habia.
22 Në Galaad thua më s’ka balsam?
S’ka atje thua asnjë mjek?
Pse atëherë nuk u përtha
vrraga e bijës së popullit tim?
23 Oh, kush ma shndërron kokën në gurrë,
sytë e mi currila lotësh
që të vajtoj unë ditë e natë
të vrarët e popullit tim!