1 Oh, ta kisha në shkretëtirë
një bujtinë strehimi udhëtarësh!
Do ta lija popullin tim,
prej tyre do të ikja larg,
sepse të gjithë janë fëlligështarë,
turmë tradhtarësh.
2 Gjuha e tyre hark i ngrehur,
rrena, e jo e vërteta,
e pushtoi vendin anembanë.
Prej një të keqeje në tjetrën bien,
e mua s’më njohin,
‑ është fjala e Zotit.
3 Gjithkush t’i ruhet të afërmit të vet,
në vëllanë e vet kush besë të mos ketë,
se çdo vëlla bën pabesi,
çdo i afërm përhap shpifje.
4 Vëllai vëllanë e tradhton,
s’ia thotë të vërtetën;
e mësuan gjuhën të flasë gënjeshtra,
bëjnë të keqen, s’duan të kthehen.
5 Padrejtësi mbi padrejtësi,
dhelpëri mbi dhelpëri:
s’duan të më pranojnë,
‑ është fjala e Zotit.
6 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive:
“Ja, do t’i shkrij, në provë do t’i vë;
ç’mund të bëj tjetër
për të bi’në e popullit tim?
7 Sh’gjetë plaguese gjuha e tyre;
e në gojë fjala mashtruese:
me gojë mikut i uron paqe,
kurse fshehtas i vë pritën.
8 Të mos i ndëshkoj për punë të tilla,
‑ është fjala e Zotit ‑
mbi një popull siç është ky
a thua s’duhet të hakmerrem?”
9 Do të vajtoj, do t’i qaj malet,
gjëmë e vaj mbi kullota të bjeshkëve,
që u dogjën e u bënë shkrumb!
Nëpër to s’kalon njeri,
blegërimë grigjash më s’dëgjohet.
Shpendët e qiellit e bagëtitë
të gjitha ikën, të gjitha u zhdukën!
10 Jerusalemin do ta shndërroj
në rrënojë gurësh, në strofull çakejsh;
të Judës qytetet në shkretëtirë
pse askush në to s’do të banojë!
11 Kush është i urtë këtë ta kuptojë?
Kujt t’ia zb’lojë goja e Zotit
që të lajmërojë kështu:
Përse vendi u shkretua,
është bërë shkrumb porsi shkretëtira
nëpër të cilën askush s’kalon?
12 Atëherë tha Zoti: “Është kështu pse e kanë lënë Ligjin tim, që ua kam dhënë, nuk e dëgjuan zërin tim dhe nuk ecën sipas tij,
13 por shkuan pas dashakeqësisë së zemrës së vet dhe ndoqën baalët, për të cilët i mësuan etërit e tyre.”
14 Prandaj, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: “Ja, unë do ta ushqej këtë popull me mendër dhe do t’i jap të pijë ujë të helmuar.
15 Do t’i shpërndaj ndër popuj që nuk i njohën as ata as etërit e tyre e do ta dërgoj shpatën pas tyre deri që t’u shuhet fara.”
16 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:
“Kujdes! Thirrni vajtoret!
Le të vijnë!
Thirrni ato më të dijshmet!
Le të shpejtojnë!
17 Le të shpejtojnë,
le t’ia nisin mbi ne vajtimit:
që sytë tanë të derdhin lot,
ujë të rrjedhin qepallat tona!”
18 Po, nga Sioni jehon vajtimi:
“Heu, si u shkretuam, u mb’luam me turp!
U shtrënguam vendin ta lëmë,
t’i braktisim vatrat tona!”
19 Dëgjojeni, o gra, fjalën e Zotit,
veshët tuaj ta ndiejnë mirë
fjalën që del prej gojës së tij.
Bijat tuaja të vajtojnë mësojini,
njëra-tjetrës këtë vajtim:
20 “Për dritaresh na hyri vdekja,
depërtoi në shtëpitë tona,
i kositi fëmijët n’për rrugë
e djelmoshat nëpër tregje.”
21 Thuaj! Kështu thotë Zoti:
“Kufoma njerëzish do të bien
porsi plehu përmbi ara,
porsi dujt pas korrtarit
e askush nuk i mbledh.”
22 Kështu thotë Zoti:
“Mos të mburret i urti me mençuri të vet,
as trimi mos të mburret më trimërinë e vet,
as pasaniku mos të mburret me pasurinë e vet;
23 por kush mburret me këtë le të mburret:
se ka dije për të më njohur mua,
se jam Zoti që bën mirësi,
zbaton të drejtën e drejtësinë në tokë,
se këto janë gjërat që më pëlqejnë
‑ është fjala e Zotit.
24 Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur do t’i ndëshkoj të gjithë ata që janë të rrethprerë në trup:
25 egjiptianët, judenjtë, edomët, bijtë e Amonit, moabët e të gjithë ata që i qethin tëmthat e kokës, që banojnë në shkretëtirë, sepse të gjithë këta janë të parrethprerë, kurse mbarë shtëpia e Izraelit janë të parrethprerë në zemër.