< Ksh 6 Ksh 8 >
Lexim prej librit të Kishtarit(Ksh 7)
7

1 Më i mirë është zëri i mirë se erërat e çmueshme,

dhe dita e vdekjes se dita e lindjes .

2 Më mirë është të shkohet në shtëpi ku është vajtimi

se në shtëpinë e gostisë:

sepse atje është fundi i çdo njeriu

dhe i gjalli le ta ketë gjithherë para sysh.

3 Më i mirë është trishtimi se të qeshurit,

sepse në fytyrën e trishtuar zemra mund të jetë e lume.

4 Zemra e të urtëve është në shtëpinë e vajtimit,

kurse zemra e të marrëve në shtëpinë e gëzimit.

5 Më mirë është të qortojë i urti

se të gëzohesh nga kënga e të marrëve,

6 sepse porsi krizma e ashklave që digjen nën kusi

është qeshja e të marrit,

sepse edhe kjo është kotësi

7 që shtypja edhe të mençurin e bën të marrë

dhe dhuratat e çmendin zemrën e njeriut.

8 “Më i mirë është mbarimi i punës se fillimi, më i mirë është i durueshmi se dhunëtari”.

9 Mos ji i shpejtë për t’u zemëruar sepse zemërimi banon në gji të të marrit.

10 Mos thuaj: “Ç’të thotë mendja cili është shkaku që kohët e mëparshme kanë qenë më të mira se ç’janë tani?”, sepse nuk pyet kështu pse je i urtë.

11 E mirë është urtia bashkë me pasuri dhe u vlen atyre që e shohin diellin.

12 Siç mbron urtia ashtu mbron edhe paraja; e përparësia e urtisë qëndron në këtë se e shpëton pronarin e vet.

13 Vëzhgoj veprat e Hyjit: askush s’mund ta ndreqë atë që ai e ka bërë të shtrembër.

14 Në ditë të mirë gëzoj të mirat, kurse në ditë të keqe mendo: Hyji e ka krijuar si njërën ashtu edhe tjetrën që njeriu të mos zbulojë asgjë në lidhje me të ardhmen.

15 Gjithçka pashë në këtë jetën e kotësisë sime:

i drejti humbet megjithëse i drejtë,

jeton gjatë i mbrapshti edhe pse i mbrapshtë.

16 Mos ji tepër i drejtë,

as i mençur më tepër se duhet!

Pse ta vrasësh vetveten?

17 Mos bëj tepër keq

dhe mos ji i patenzonë!

Përse do të vdesësh para kohës?

18 Mirë është ta mbash njërën, por as prej tjetrës mos e hiq dorën, sepse ai që e dron Hyjin i del mbarë në të gjitha këto.

19 Urtia e bën të urtin më të fortë se dhjetë prijës të fortesës.

20 Nuk ka mbi tokë njeri të drejtë që, duke bërë mirë, kurrë të mos mëkatojë.

21 Por edhe kaq: mos u vër vesh të gjitha fjalëve që fliten, se ndoshta dëgjon edhe se të ka nëmur edhe shërbëtori yt,

22 sepse e di edhe ndërgjegjja jote se edhe ti sa herë i ke mallkuar të tjerët.

23 Të gjitha këto i kam shqyrtuar me urti e kam arritur në këtë përfundim: “Dua të bëhem i urtë!”,

24 por urtia po rri larg meje edhe më shumë. Çka ka qenë është larg e thellësia është e madhe! Kush do të mund ta gjejë atë?

25 U përvesha edhe një herë me gjithë shpirt për të njohur gjithçka, për ta shqyrtuar e kërkuar urtinë e psehin, për të njohur se paudhësia është marrëzirë, gabim dhe paurtësi.

26 Gjej se më e hidhur se vdekja është gruaja: është lak gjuetarësh, zemra e saj është rrjetë e duart e saja zinxhirë. Kush i pëlqen Hyjit i ikën asaj, kurse mëkatari zihet prej saj.

27 Ja, pra, çfarë gjeta, thotë Kishtari,

duke peshuar një nga një të gjitha gjërat

për t’ua gjetur psehin.

28 Çka ende kërkoj e s’mund ta gjej është kjo:

Ndër një mijë gjeta vetëm një burrë,

por një grua ndër të gjitha nuk e gjeta.

29 Ja, hetova vetëm kaq:

Hyji e krijoi njeriun të drejtë,

por janë njerëzit që kërkojnë arsyetime të pakufishme.



Fjala e Zotit