1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:
2 “Tregonu bijve të Izraelit:
Këto janë kafshët që mund t’i hani prej të gjitha kafshëve të tokës:
3 Hani çdo kafshë që ka thundrën plotësisht të ndarë dhe që ripërtypet.
4 Por, mos i hani këto prej atyre që ripërtypen ose e kanë thundrën e ndarë: gamilen ‑ se edhe pse ripërtypet, nuk e ka thundrën e ndarë: çmoje ndër të papastra.
5 Hiraci, i cili ripërtypet, por nuk e ka thundrën e ndarë: është i papastër.
6 Po ashtu edhe lepuri, njëmend edhe ky ripërtypet, por nuk e ka thundrën e ndarë.
7 Thiu, i cili edhe pse e ka thundrën plotësisht të ndarë, nuk ripërtypet.
8 Mishin e këtyre kafshëve mos e hani dhe mos e prekni ngordhësirën e tyre ‑ sepse këto janë për ju të papastra”.
9 “Këto janë kafshët që lejnë në ujë e mund të hahen: secilën që ka fletë e luspat qoftë në det e në lumenj e përrenj: mund ta hani:
10 Kurse çdo gjë e gjallë që nuk ka fletë e luspa, qoftë ajo zvarranik ose çfarëdo lloji kafshe tjetër që lëviz në ujë, le të jetë për ju e urryeshme
11 dhe le të mbetet e përbuzshme: mos e hani mishin e tyre as mos i prekni ngordhësirat e tyre.
12 Të gjitha kafshët që nuk kanë fletë e luspa, mbani për të papastra për ju”.
13 “Këta janë shpendët që nuk guxoni t’i hani e duhet t’i mbani për të papastër: shqiponja, shqiponja kufomëngrënëse, shqiponja e detit,
14 skifteri dhe çdo lloj sokoli,
15 çdo lloj korbi,
16 struci, kukuvajke, gjelaroje, gjeraçine e të gjitha llojeve;
17 huti, zhytrra, ibisi,
18 mjellma, pelikani, shqiponja qafë shogët,
19 lejleku, çdo lloj çapke, pupci dhe lakuriqi”.
20 “Të gjitha kandrrat me krahë, që ecin në katër këmbë, mbani për të papastra.
21 Prej të gjitha këtyre kandrrave që ecin në katër këmbë, por kanë këmbët e sprasme më të gjata e me pulpa, me anë të të cilave kërcejnë përmbi tokë,
22 mund t’i hani. Të tilla janë: të gjitha llojet e karkalecave, gjinkallave dhe bulkthi;
23 kurse të gjitha llojet e kandrrave të tjera me krahë, e që ecin me katër këmbë, mbani për të papastra.
24 Kushdo i prek ngordhësirat e tyre, do të bëhet i papastër e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
25 E kujtdo t’i duhet t’i mbartë ngordhësirat e cilëvedo prej tyre, le t’i lajë petkat e le të jetë i papastër deri në të perënduar të diellit.
26 Mbajeni për të papastër çdo kafshë që e ka thundrën të pandarë e nuk ripërtypet, e kush ta prekë, do të bëhet i papastër.
27 Çdo kafshë që ecën mbi putra të këmbëve, prej të gjitha kafshëve katërkëmbshe, mbajeni për të papastër; kush t’i prekë ngordhësirat e tyre, do të bëhet i papastër deri në mbrëmje.
28 Po edhe ai që t’i mbarë ngordhësirat e tyre, le t’i lajë petkat e le të jetë i papastër deri në mbrëmje; sepse për ju të gjitha këto janë të papastra”.
29 “Prej kafshëve që hiqen zvarrë përmbi tokë, këto le të jenë të papastra për ju: bukla, miu e hardhuca e të gjitha llojeve të tyre,
30 hardhuca e murit, breshka, picrraga, urithi e kamaleoni:
31 të gjitha këto janë të papastra”.
@@@
“Kush t’i prekë ngordhësirat e tyre do të jetë i papastër deri në mbrëmje;
32 e mbi çdo gjë të bjerë cilado prej ngordhësirave të tyre, le të jetë e papastër: çdo vegël e drunjtë, çdo petk, lëkurë, thes: çfarëdo gjëje të jetë: le të kalohen nëpër ujë e do të pastrohen deri në mbrëmje e veç atëherë do të bëhen të pastra.
33 Po ra ndonjë gjë prej tyre brenda në ndonjë enë dheu, thejeni: është e papastër.
34 Çdo ushqim që hani nëse i bie ndonjë pikë ujë prej aso ene, do të jetë i papastër dhe çdo lëng që pihet nga ena e tillë, do të jetë i papastër.
35 Po edhe në çkado që të bjerë prej ngordhësirave të këtyre, ajo gjë le të mbahet i papastër: qoftë ajo furrë ose vatër, le të rrënohet: janë të ndyta dhe le të mbeten për ju të papastra.
36 Kurse burimet dhe saranxhat si dhe grumbullimet e ujërave, le të jenë të pastra. Por kush ta prekë ngordhësirën e kafshës, le të jetë i papastër.
37 Nëse bie gjë prej ngordhësirës së tyre mbi farërat e drithërave, nuk do të mbahen të papastra.
38 Por nëse ndokush e lag farën me ujë e atëherë bie ndonjë gjë prej ngordhësirës së këtyre, le të jetë për ju e papastër.
39 Nëse ngordh ndonjë kafshë që guxoni ta hani, ai që do ta prekë ngordhësirën e saj, do të jetë i papastër deri në mbrëmje;
40 kush të hajë ndonjë gjë prej saj, ose e mbart ngordhësirën e saj, le t’i lajë petkat e veta dhe le të jetë i papastër deri në mbrëmje”.
41 “Çdo kafshë që hiqet zvarrë përmbi tokë, është e papastër dhe të mos merret për ushqim.
42 Asnjë kafshë që hiqet zvarrë përmbi bark ose që ecën mbi katër ose më shumë këmbë ‑ që është zvarranik, mos e hani se është e papastër.
43 Mos i fëlliqni shpirtrat tuaj, dhe mos prekni asgjë prej tyre, që të mos fëlliqeni!
44 Unë jam Zoti, Hyji juaj! Shenjtërohuni që të jeni të shenjtë, sepse edhe unë jam i shenjtë. Mos i përdhosni shpirtrat tuaj me kurrfarë zvarraniku që hiqet barkas përmbi tokë.
45 Unë jam Zoti që ju kam nxjerrë nga dheu i Egjiptit që të jem Hyji juaj: jini të shenjtë, sepse edhe vetë jam i shenjtë”.
46 Ky është ligj që ka të bëjë me frymorët, me shpendët e me çdo gjallesë që jeton në ujë ose hiqet zvarr mbi tokë,
47 që ta dini dallimin ndërmjet të pastrës e të papastrës, që të dini cilën mund ta hani e cilën të mos e hani.