1 Zoti foli me Moisiun e i tha:
2
“Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:
Kur gruaja shtatzënë lind djalë, është shtatë ditë e papastër, siç është e papastër në kohën e larjes së saj mujore.
3 Djali le të rrethpritet të tetën ditë;
4 kurse ajo të presë edhe tridhjetë e tri ditë për të pastruar gjakun e vet. Të mos prekë asgjë të shuguruar as të mos hyjë në shenjtërore derisa të kryhen ditët e pastrimit të saj.
5 Por, nëse lind vajzë, le të jetë dy javë e papastër, siç është e papastër në kohën e larjes së saj mujore, dhe le të presë edhe gjashtëdhjetë e gjashtë ditë për të pastruar gjakun e vet.
6 Kur të kryhen ditët e pastrimit të saj për djalë ose për vajzë, le ta sjellë, te dera e Tendës së takimit, një qengj vjetak për fli shkrumbimi dhe një pëllumb ose turtull për fli të mëkatimit e t’ia japë priftit.
7 Prifti le t’i kushtojë para Zotit e, kur të ketë bërë mbi të ritin e zgjidhjes, do të jetë pastruar prej derdhjes së gjakut: kjo është rregullore lidhur me gruan që lind djalë apo vajzë.
8 Por, nëse nuk ka mjete të kushtojë një qengj, le të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash, njërin për fli të shkrumbimit e tjetrin për fli të mëkatimit; prifti le të kryejë mbi të ritin e zgjidhjes dhe ajo do të pastrohet”.