1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:
2 “Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemtë që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose te cilido prift prej bijve të tij.
3 Prifti le ta shikojë pjesën e sëmurë të lëkurës. Nëse qimja në vendin e sëmurë është bërë e bardhë dhe duket se varra është më e thellë se lëkura në mish: është sëmundja e gërbulës. Pasi prifti ta ketë shikuar, le ta shpallë të papastër.
4 Por, në qoftë se njolla e bardhemtë në lëkurë nuk duket se ka depërtuar më thellë në mish dhe nëse qimja nuk ka ndryshuar e është zbardhuar, prifti le ta mbajë veçuar për shatë ditë.
5 Të shtatën ditë le ta shikojë përsëri, në qoftë se njolla nuk është rritur më tepër e nuk është përhapur edhe më tepër në lëkurë, le ta mbajë përsëri të veçuar edhe shtatë ditë të tjera.
6 Të shtatën ditë le ta shikojë përsëri: nëse vëren se njolla e ka humbur shndritësinë e mëparshme dhe nëse nuk është përhapur më tepër në lëkurë, le ta shpallë të pastër: sepse është vetëm kromë. Njeriu le t’i lajë petkat e veta e do të jetë i pastër.
7 Por, në qoftë se pasi prifti ta ketë parë dhe shpallur të pastër, kroma rritet përsëri, le të sillet te prifti
8 e prifti le ta shikojë prapë. Nëse kroma është përhapur vërtet më fort, prifti le ta shpallë të papastër: është gërbula”.
9 “Nëse ndokujt i shfaqet sëmundja e gërbulës, i tilli le të sillet te prifti
10 e ky le ta shikojë. Nëse mëllëri në lëkurë është bërë i bardhë e qimet t’i jenë shndërruar në të bardhemtë e mishi i është enjtur në çiban të gjallë,
11
le të shpallet gërbulë e kahmotshme e zhvilluar në lëkurë. Prifti le ta shpallë të papastër e s’ka nevojë ta veçojë sepse është e qartë se është i papastër.
12 Porse, nëse gërbula e përhapur mbi lëkurë në mënyrë që e përfshin tërë lëkurën prej majës së kresë deri në fund të këmbëve, në të gjitha pjesët e trupit që prifti mund t’i shohë,
13 prifti le ta shikojë. Nëse gërbula ia ka përfshirë tërë trupin, le ta shpallë të pastër, pasi është gërbula e kthyer në ngjyrë plotësisht të bardhë, e prandaj edhe njeriu le të shpallet i pastër.
14 Por, kur të shfaqet në të mish i gjallë, le të shpallet i papastër.
15 Kur ta ketë shikuar prifti, le ta çmojë ndër të papastër: mishi i gjallë është i papastër: është gërbula.
16 Por, nëse shndërrohet prapë në të bardhë, le të vijë te prifti,
17 e ky, pasi ta ketë vërtetuar se është ashtu, le ta shpallë të pastër”.
18 “Kur ndokush ka pasur në lëkurë e mish ndonjë mëllë që është shëruar,
19 por aty ku ka qenë mëllëri del i thatë i bardhë ose njollë e kuqrremtë, i tilli le të shkojë ta vështrojë prifti.
20 Prifti pasi ta ketë vërtetuar se vendi i njollës është më thellë në mish se tjetërkund dhe se qimet i janë zbardhuar, le ta shpallë të papastër: është rasti i gërbulës që shpërthen në çiban.
21 Por, nëse prifti sheh se qimja nuk ka ndryshuar ngjyrën, vrraga është e murrme dhe nuk është më thellë se mishi rreth saj, le ta mbajë të veçuar për shtatë ditë.
22 E, në qoftë se rritet, le ta vlerësojë gërbulë;
23 por, nëse qëndron vetëm në vendin e vet e njolla nuk rritet, është vrraga e mëllërit, dhe prifti ta vlerësojë të pastër”.
24 “Nëse ndokush djeg lëkurën në zjarr, dhe vendi i djegur merr dukjen e dangës së murrme ose të bardhë,
25 le ta shikojë prifti, dhe nëse qimja i është shndërruar në të bardhë dhe vendi i saj është më thellë se lëkura rreth saj, le ta shpallë të papastër, sepse është gërbula që shpërthen nga djegia.
26 Por, në qoftë se ngjyra e qimeve nuk ka ndryshuar, dhe njolla nuk është më thellë se mishi në tjetër vend dhe vetë duka e gërbulës disi e errët, le ta mbajë të veçuar për shtatë ditë.
27 Të shtatën ditë le ta vërejë. Nëse në lëkurë rritet njolla, le ta shpallë të papastër: është gërbulë.
28 Ndryshe, nëse njolla s’është përhapur nga ai vend dhe nuk është mjaft e qartë, atëherë është enjtje nga djegia, e prandaj le ta shpallë të pastër, sepse është vrragë e djegies.”
29 “Nëse ndonjë burri ose gruaje i shfaqet në kokë ose në mjekër ndonjë varrë, le ta shikojë prifti.
30 E në qoftë se vendi është më i thellë se mishi rreth saj e qimja si e zverdhuar dhe më e hollë se rëndom, le t’i shpallë të papastër: është qerosa, d. m. th. gërbula në kokë ose në mjekërr.
31 Ndryshe, nëse sheh se varra e qerosës nuk është më e thellë se mishi rreth saj dhe, ja, qimja në të nuk është e zezë, le t’i ndajë për shtatë ditë.
32 Të shtatën ditë le ta vërejë varrën, nëse qerosa nuk përhapet edhe më, dhe nëse qimja në të nuk është bërë e zezë, dhe duket se vendi i varrës është i njënjëshëm me pjesën tjetër,
33 i tilli le të rruhet përveç vendit të sëmurë, e prifti le ta mbajë të veçuar edhe për shtatë ditë të tjera.
34 Nëse varra duket se të shtatën ditë s’është përhapur nga ai vend, dhe se nuk është më thellë se mishi rreth saj, prifti le ta shpallë të pastër; pasi t’i ketë larë petkat, le të jetë i pastër.
35 Porse, në qoftë se pasi shpallet pastërtia, qerosa rritet përsëri në lëkurë,
36 prifti as të mos shikojë më a ka qime të verdhë, sepse është e qartë se është i papastër.
37 Por, nëse vëren se ka zënë vend qerosa dhe kanë dalë qime të zeza, le ta dijë se ai njeri është shëruar dhe le ta shpallë të pastër”.
38 “Kur t’u dukën ndonjë burri ose gruaje në lëkurë të tyre njolla të bardha, le t’i shikojë prifti.
39 Nëse sheh se ato njolla janë në lëkurë të bardha disi në të mbyllët le ta dijë se në lëkurë u ka dalë kurteshi: është i pastër”.
40 “Njeriut, të cilit flokët i bien prej kokës, është tullac, prandaj është i pastër;
41 nëse flokët i bien në pjesën e përparme është i shogët, por i pastër.
42 Por, nëse në tullacinë ose në shogën e tij duket varrë e bardhë ose e kuqrremtë në të bardhë, është gërbula e kresë.
43 Prifti le ta shikojë dhe, ja, nëse është çibani i kuqrremtë që i përngjan gërbulës së lëkurës së mishit,
44 njeriu është i gërbulur, dhe prifti le ta shpallë të papastër pa farë ngurrimi: gërbulën e ka në kokë”.
45 “I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbartë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrrën e mbuluar e të bërtasë: “I ndyri! I ndyri!”.
46 Gjatë gjithë kohës sa gërbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë zemërimiës”.
47 “Kur gërbula të shfaqet në të veshme, qofshin ato të leshta ose të linjta,
48 qoftë në end e qoftë në ind të linjtë apo të leshtë, ose në lëkurë; ose edhe në çfarëdo petku lëkure,
49 nëse danga është e zbehtë ose e kuqe, le të mbahet për gërbulë e le t’i dëftohet priftit.
50 Prifti le ta shikojë petkun me njolla, ta lërë në vend të veçuar shtatë ditë.
51 Të shtatën ditë ta shikojë përsëri, nëse sheh se është rritur, është gërbulë që pushon; le ta çmojë petkun dhe gjithçka ku është gjetur aty të papastër,
52 e prandaj le të digjet në flakë.
53 Nëse sheh se nuk është përhapur,
54 atëherë le të urdhërojë ajo gjë, në të cilin është njolla, të lahet e le ta mbajë të ndryrë edhe shtatë ditë të tjera.
55 E kur të shohë se pasi të lahet nuk ka ndryshuar pamjen, edhe pse njolla nuk është përhapur, le të çmohet gjë e papastër, dhe të digjet në zjarr: është e kalbur si në të mbarën si në të mbrapshtën.
56 Po në qoftë se danga është më e mbyllët, pasi sendi të jetë larë, prifti ta shqyejë atë pjesë e ta ndajë nga pjesa e shëndoshë.
57 Po nëse danga edhe pas kësaj dëftohet në këto gjëra, ku më parë s’kishin danga, është gërbulë fluturuese e endacake, digji të gjitha.
58 Kurse atyre petkave që, pasi t’i ketë larë, humbi njolla, t’i lajë edhe një herë, e do të jenë të pastra.
59 Këto janë rregullore për sëmundjen e gërbulës së petkave të leshta e të linjta, në end e në ind dhe të çdo petku lëkure për t’u shpallur të pastra ose të papastra”.