1 Zoti foli me Moisiun e tha:
2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:
Unë jam Zoti, Hyji juaj!
3 Mos veproni si veprohet në dheun e Egjiptit ku keni jetuar dhe mos bëni siç bëhet në dheun e Kanaanit, ku unë do t’ju çoj: ruhuni se i ndiqni doket e tyre!
4 Zbatoni rregullat e mia, mbani ligjet e mia, jetoni sipas urdhërimeve të mia.
Unë jam Zoti, Hyji juaj:
5 mbani ligjet e urdhërimet e mia. Ai njeri që do t’i zbatojë, do ta gjejë jetën në to.
Unë jam Zoti.
6 Askush të mos i afrohet farefisnorit të vet të afërm për t’i zbuluar lakuriqësinë e tij.
Unë jam Zoti.
7 Mos e zbulo lakuriqësinë e babait e të nënës sate: ajo është nëna jote: mos e zbulo lakuriqësinë e saj.
8 Mos e zbulo lakuriqësinë e gruas së babait tënd: sepse është lakuriqësia e babait tënd.
9 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës sate qoftë prej babait e qoftë prej nënës, qoftë e lindur në shtëpi apo jashtë.
10 Mos e zbulo lakuriqësinë e bijës së birit tënd as lakuriqësinë e bijës së bijës sate: sepse lakuriqësia e tyre është lakuriqësia jote.
11 Mos ia zbulo lakuriqësinë vajzës së gruas së babait tënd, që ia lindi babait tënd: është motra jote.
12 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së babait tënd, sepse është mishi i babait tënd.
13 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është mishi i nënës sate.
14 Mos e zbulo lakuriqësinë e ungjit tënd! D. m. th. mos iu afro gruas së tij! Sepse është gruaja e ungjit tënd.
15
Mos e zbulo lakuriqësinë e resë sate! Ajo është gruaja e djalit tënd! Mos e zbulo lakuriqësinë e saj!
16 Mos e zbulo lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd, sepse është lakuriqësia e vëllait tënd.
17 Mos e zbulo lakuriqësinë e ndonjë gruaje e të bijës së saj. Mos u marto me vajzën e birit të saj as me vajzën e vajzës së saj për t’ua zbuluar lakuriqësinë e tyre, sepse janë mishi i saj: është punë e turpshme!
18 Mos e merr për grua motrën e gruas sate sa të jetë gruaja gjallë që të mos nxitësh mendjen e zezë duke i zbuluar lakuriqësinë e saj.
19 Mos iu afro gruas që vuan nga pastrimi mujor dhe mos ia zbulo ndytësinë e saj.
20 Mos bjer me gruan e të afërmit tënd që të mos dangosesh me përzierjen e farës.
21 Nuk guxon të japësh ndonjë fëmijë t’i flijohet Molokut, nuk guxon ta çnderosh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti!
22 Mos bjer me mashkull siç bihet me femër! Është vepër e tmerrshme!
23 Mos fëlliqëso me bagëti, mos u përdhos me të! Gruaja të mos fëlliqësojë me bagëti! Do të ishte një përdhosje e çoroditur.
24 Me asnjë prej këtyre mos u përdhosni! Me këto janë fëlliqur popujt, që unë do t’i zhduk para fytyrës tuaj!
25 Me to edhe toka u bë e papastër. Këndej edhe unë do ta ndëshkoj paudhësinë e saj. Ajo i volli banorët e vet!
26 Kurse ju, ju mbani ligjet e mia e urdhëresat e mia dhe mos e bëni asnjë prej këtyre fëllqësive, as ju vendasit as i huaji që banon ndër ju!
27 Të gjitha këto mbrapshti i bëri gjindja e vendit që ishte para jush dhe e fëlliqi dheun.
28 Ruajuni, pra, që edhe ju të mos ju vjellë toka, nëse e fëlliqni atë, ashtu si i volli popujt që qenë këtu para jush!
29 Secili që do ta bëjë njërën ose tjetrën prej këtyre mbrapshtive, do të zhduket prej gjirit të popullit të vet!
30 Mbani urdhërimet e mia! Ruhuni se ndiqni ndonjë prej këtyre zakoneve mos, o Zot, më zi! që i ushtruan ata që qenë para jush, që të mos përdhoseni me to. Unë jam Zoti, Hyji juaj”!