1 Zoti foli me Moisiun e tha:
2 “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju:
Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!
3 Secili prej jush le ta druajë t’ëmën e të atin e vet! Mbani të shtunat e mia! Unë jam Zoti, Hyji juaj!
4 Mos u ktheni kah hyjnitë e rreme dhe mos bëni për vete trupore idhujsh! Unë jam Zoti, Hyji juaj!
5 Kur t’i kushtoni Zotit fli pajtimi, bëni ashtu që t’i jeni të pëlqyeshëm.
6 Le të hahen atë ditë që të jenë kushtuar e të nesërmen; kurse, çkado që të teprojë për të pasnesërmen, le të digjet në zjarr.
7 Nëse do të hahet gjë prej saj të tretën ditë, do të ishte çnderim i gjësë së shenjtë dhe flia nuk do të pranohej.
8 Kush do ta hante, do ta mbarte mbi vete peshën e fajit që e përdhosi gjënë e shenjtë të Zotit: dhe i tilli do të zhduket prej popullit të vet.
9 Kur të korrësh prodhimet e tokës sate, mos e korr deri në skajin e arës sate dhe mos i mblidh kallinjtë që kanë rënë.
10 Kështu as në vreshtin tënd mos i mblidh vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri t’i mbledhin skamnorët dhe udhëtarët. Unë jam Zoti, Hyji juaj.
11 Mos vidhni! Mos rreni! Askush mos ta gënjejë të afërmin e vet!
12 Mos u përbe rrejshëm me emrin tim e kështu ta përdhosësh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti.
13 Mos iu shpif të afërmit tënd dhe mos e rrëmbe.
Fitimin e mëditësit mos e mbaj ti deri në mëngjes.
14 Mos e shaj të shurdhin e mos i qit para pengesës të verbërit, por druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti.
15 Mos bëni padrejtësi në gjyqe. Mos i mbaj krahun të varfërit as mos e përkrah të fortin: gjykoje me drejtësi të afërmin tënd.
16 Mos shpërpall shpifje në popullin tënd dhe mos bashkëpuno në gjakderdhjen e të afërmit tënd. Unë jam Zoti.
17 Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij.
18 Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.
19 Ruani ligjet e mia!
Mos lejo të mbarësohen kafshët e tua me kafshë të llojit tjetër. Arën tënde mos e mbill me farëra të ndryshme. Mos e vesh petkun që është i përbërë prej dy lloj pëlhurash.
20 Kush të bjerë me gruan që është skllave, por e fejuar për tjetërkë, porse ajo nuk është e shpërblyer me çmim dhe nuk i është dhënë liria, le të ndëshkohen të dy, por të mos vriten, sepse ajo nuk ka qenë e lirë.
21 Por, ai le ta sjellë në hyrje të Tendës së takimit një dash për fli shpërblimi në nder të Zotit:
22 kur prifti ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes me anë të dashit të shpërblimit në praninë e Zotit për mëkatin e bërë, atëherë asaj do t’i falet mëkati.
23 Kur të hyni në Tokën e premtuar e të mbillni pemë frutore të ndryshme, mbani frutat e tyre si të parrethprera: për tri vjet le të jenë për ju të parrethprera e të papastra: mos i hani!
24 Të katërtin vit të gjitha frutat e tyre le t’i kushtohen Zotit në një festë në lavdi të tij.
25 Vetëm të pestin vit filloni t’i hani frutat e tyre dhe vilni për vete prodhimet e tyre. Unë jam Zoti, Hyji juaj.
26 Mos hani asgjë me gjak.
Mos ushtroni as shorti as magji.
27 Mos i qethni rrumbullak anët e flokëve tuaj e mos e shkurtoni mjekrrën.