< Lev 6 Lev 8 >
Lexim prej librit të Levitikut(Lev 7)
7

1 “Ky është riti për flinë e shpërblimit. Është tejet e shenjtë!

2 Prandaj, aty ku theret flia e shkrumbimit, aty le të theret edhe flia e shpërblimit. Gjaku i saj le të derdhet rreth e rreth lterit.

3 Atëherë le ta kushtojë krejt dhjamin e saj, d. m. th. bishtin me dhjamë, dhjamin e zorrëve,

4 dy veshkat dhe dhjamin që i mbështjell ato deri në të hollë, dhe rizën e mëlçisë: le ta nxjerrë bashkë me veshkat.

5 Prifti le ta djegë mbi lter si fli të djegur në nder të Zotit. Kjo është flia e shpërblimit.

6 Çdo mashkull i gjakut të priftërinjve mund ta hajë në vendin e shuguruar. Është gjë tejet e shenjtë”.

7 “Siç është flia për mëkat ashtu është edhe flia e shpërblimit: të dyja kanë po të njëjtin rit. Flia i përket priftit që kryen ritin e zgjidhjes.

8 Prifti që e flijon flinë e shkrumbimit të ndokujt, e merr për vete lëkurën e flisë që flijon.

9 Pastaj çdo fli kushtimore bimore që piqet në furrë si dhe çdo tjetër që përgatitet në kusi ose në tepsi, do t’i përkasë atij prifti që ta ketë flijuar.

10 Çdo fli kushtimore bimore, qoftë e njomur me vaj apo e thatë, u takon së bashku të gjithë bijve të Aronit në masë të barabartë për secilin”.

11 “Ky është riti i flisë së pajtimit që i kushtohet Zotit.

12 Nëse flia është për të përcjellë “lavdin”, për flinë e lavdit kushtohen kuleç të pabrumë të përgatitur me vaj, petë të lyera me vaj, por pa brumë dhe kuleç të përgatitur me më të mirin miell të ngjeshur me vaj.

13 Le të kushtohen edhe, si fli, përveç këtyre kuleçve, edhe kuleç të mbaruar për të shoqëruar flinë,

14 prej të cilëve njëri le t’i kushtohet Zotit në emër të ndihmesës, dhe le t’i takojë priftit që do ta derdhë gjakun e flisë së pajtimit.

15 Mishi i kësaj flie le të hahet po atë ditë dhe s’do të lihet asgjë për të nesërmen”.

16 “E nëse flia që paraqitet është fli kushtimore ose vullnetare, le të hahet po atë ditë që kushtohet; nëse tepron gjë për të nesërmen, është e lejuar të hahet;

17 porse, çkado që të teprojë për të tretën ditë, të digjet në zjarr”.

18 “Nëse ndokush ha prej mishit të flisë së pajtimit të tretën ditë, flia do të shkojë hupës dhe nuk do t’i numërohet atij që e kushton. Ky mish është i prishur dhe ai që ha prej këtij mishi le ta marrë mbi vete përgjegjësinë e fajit.

19 Mishi që preket në ndonjë gjë të ndyrë, të mos hahet, por të digjet në zjarr; ndryshe, kushdo që është i pastër, mund ta hajë mishin.

20 Ai që i papastër do të guxonte të hajë mishin e flisë së pajtimit që i është kushtuar Zotit, le të zhduket prej popullit të vet.

21 Po edhe ai që prek çkado të papastër ‑ qoftë fëlliqësi të njeriut ose të bagëtisë, ose çfarëdo krijese të ndytë ‑ e guxon të hajë mish të këtyre flive, le të zhduket prej popullit të vet”.

22 Zoti foli me Moisiun e i tha:

23 “Thuaju bijve të Izraelit: mos e hani dhjamin e gjedhit, të deles e të dhisë.

24 Dhjamin e bagëtisë së ngordhur të kafshës që e shqyen bisha, mund ta përdorni për shërbime të ndryshme, por mos e hani.

25 Ai që ha dhjamin e bagëtisë që mund t’i kushtohet fli shkrumbimi Zotit, le të ndahet prej popullit të vet.

26 Po as gjakun e asnjë kafshe mos e përdorni për ushqim: as të shpendit as të bagëtisë.

27 Kushdo të hajë gjak, le të zhduket prej popullit të vet”.

28 Zoti foli me Moisiun e i tha:

29 “Thuaju bijve të Izraelit: Ai që ia kushton Zotit flinë e pajtimit, le t’i sjellë si dhuratë Zotit pjesët prej flisë së pajtimit.

30 Le t’ia paraqesë vetë Zotit me duart e veta flinë e shkrumbimit: le të sjellë, pra, dhjamin e të sjellë edhe gjoksin: gjoksi që të kushtohet si fli lartësimi para Zotit.

31 Prifti le ta djegë dhjamin përmbi lter; kurse gjoksi le t’i takojë Aronit e bijve të tij.

32 Po edhe shpatulla e djathtë e flive të pajtimit le t’i jepet si dhuratë priftit.

33 Ai që do ta kushtojë prej bijve të Aronit gjakun dhe dhjamin e flisë së pajtimit, ai le ta marrë si pjesë të veten shpatullën e djathtë;

34 sepse, unë prej flive të pajtimit që i kushtojnë bijtë e Izraelit e ndava gjoksin e ritit të lartësimit dhe shpatullën e ritit të ndihmesës e ia dhurova Aronit prift dhe bijve të tij. Është ligj i përhershëm që i detyrohet të gjithë bijve të Izraelit”.

35 Kjo është pjesa e Aronit dhe e bijve të tij prej flive të djegura në nder të Zotit që atë ditë kur i paraqiti për të ushtruar priftërinë.

36 Këto urdhëroi Zoti t’u jepen prej bijve të Izraelit atë ditë që i shuguroi. Urdhër i përhershëm ndër breznitë e tyre”.

37 Ky është riti i flisë së shkrumbimit, i flisë kushtimore bimore, i flisë për mëkat e për shpërblim, për shugurim të flisë së pajtimit,

38 që Zoti i urdhëroi Moisiut në malin Sinai, kur Zoti u urdhëroi bijve të Izraelit t’i kushtojnë Zotit fli në shkretëtirën e Sinait.



Fjala e Zotit