< Lev 7 Lev 9 >
Lexim prej librit të Levitikut(Lev 8)
8

1 Zoti foli me Moisiun e i tha:

2 “Merre Aronin me bijtë e tij, petkat e tyre dhe vajin e shugurimit, mëzatin për fli të mëkatimit, dy desh, shportën me bukë të pabrumë,

3 dhe mblidhe mbarë bashkësinë te hyrja e Tendës së takimit”.

4 Moisiu veproi ashtu si i kishte urdhëruar Zoti. Si u mblodh mbarë bashkësia te dera e Tendës së takimit,

5 Moisiu tha: “Ja çka urdhëroi Zoti të bëhet”.

6 Dhe menjëherë bëri të afrohet Aroni e bijtë e tij. Pasi i lau me ujë,

7 e veshi Aronin si prift me këmishë të linjtë, e ngjeshi me brez, ia veshi gunën vjollce dhe përmbi atë ia vuri shpinoren.

8 Këtë e shtrëngoi mirë me brezin e shpinores. Atëherë e vuri parzmoren, në të cilën vuri Urim dhe Tumim.

9 Kokën ia mbuloi me kësulë e mbi të në ballë i vuri paftën e artë, kezën e shenjtë, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

10 Pastaj Moisiu mori vajin e shugurimit e me të leu Banesën me të gjitha pjesët përkatëse të sajat dhe i shuguroi.

11 Pasi e stërpiku me të lterin shtatë herë, e leu atë dhe të gjitha enët e tija, po ashtu edhe legenin me fundësorin e tij e shuguroi me vaj.

12 I qiti Aronit mbi kokë vajin e shugurimit, e leu dhe e shuguroi.

13 Po ashtu i afroi edhe bijtë e Aronit, i veshi me këmisha të linjta dhe i ngjeshi me brez. Në kokë u vuri kësulat si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

14 Atëherë e afroi edhe mëzatin për fli të mëkatimit dhe, pasi i vunë duart mbi kokë të tij Aroni e bijtë e tij,

15 e theri. Atëherë Moisiu mori me gisht të vet ca prej gjakut të tij dhe vuri mbi brirët e lterit rreth e rreth dhe kështu e pastroi. Pjesën tjetër të gjakut e ndikoi në themelet e tija dhe e shenjtëroi duke kryer ritin e zgjidhjes.

16 Atëherë Moisiu mori tërë dhjamin që i mbështillte zorrët, rizën e mëlçisë, dy veshkat me dhjamin e tyre dhe i dogj mbi lter,

17 kurse mëzatin me lëkurë, me mish e me ut i dogji jashtë zemërimiës, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

18 E solli edhe dashin për fli të shkrumbimit e, pasi mbi kokë të tij i vunë duart Aroni dhe bijtë e tij,

19 e theri dhe gjakun ia derdhi rreth e rreth lterit.

20 Pasi dashin e ndau në pjesë, kokën, copat dhe dhjamin i dogji në zjarr.

21 Pasi qenë larë rropullitë e këmbët, të gjitha së bashku ‑ krejt dashin e dogji mbi lter. Ishte kjo fli e shkrumbimit në erë të këndshme, fli e shqimur prej zjarrit në nder të Zotit, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

22 E solli edhe dashin e dytë, dashin fli shuguruese. Mbi kokën e tij i vunë duart e veta Aroni dhe bijtë e tij.

23 Moisiu e preu, mori ca prej gjakut të tij e ia preku bulën e veshit të djathtë Aronit, pëlqyerin e dorës së tij të djathtë, po ashtu edhe të këmbës.

24 I afroi edhe bijtë e Aronit e, pasi me gjakun e dashit të prerë ia preku secilit bulën e veshit të djathtë si dhe secilit, pëlqyerin e dorës e të këmbës së djathtë, pjesën që teproi e derdhi rreth e rreth mbi lter.

25 Mori dhjamin e bishtin dhe tërë dhjamin që mbështjell zorrët dhe rizën e mëlçisë dhe të dy veshkat me dhjamin e tyre e shpatullën e djathtë.

26 Prej shportës së bukëve të pabrume, që ishte para Zotit, një bukë të pabrume, një kulaç me vaj e një pite dhe i vuri mbi dhjamë e mbi shpatullën e djathtë.

27 Të gjitha këto i vuri në duar të Aronit e të bijve të tij, të cilët pasi i lartësuan para Zotit me sjelljen e flisë së lartësimit,

28 e, pasi i mori përsëri prej duarve të tyre, i dogji si erë të mirë në lter përmbi flinë e shkrumbimit. Kjo ishte fli e hyrjes në pushtet, erë e këndshme, ushqim i shkrumbuar në nder të Zotit.

29 Moisiu pastaj mori edhe gjoksin, e paraqiti si fli lartësimi para Zotit. Ishte kjo pjesa prej dashit të flisë së hyrjes në pushtet që i takonte Moisiut, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

30 Pastaj mori ca prej vajit të shugurimit dhe ca prej gjakut që ishte në lter, e stërpiku Aronin dhe petkat e tija e po ashtu i stërpiku bijtë e Aronit dhe petkat e tyre.

31 Pasi i shuguroi ata në të veshmet e tyre, u urdhëroi me këto fjalë: “Zieni këtë mish në të hyrë të Tendës së takimit, dhe aty hajeni. Hani edhe bukët e kushtuara që janë në shportë, ashtu si më qe urdhëruar: ‘Le t’i hanë ato Aroni e bijtë e tij;

32 e sa të teprojë prej mishit e prej bukëve, ato t’i djegë zjarri’.

33 Për shtatë ditë mos u largoni prej derës së Tendës së takimit ‑ deri ditën kur kryhet hyrja juaj në pushtet, sepse duhen shtatë ditë që të marrë fund shugurimi juaj.

34 Zoti urdhëroi të veprohet siç u veprua sot për t’u kryer mbi ju riti i zgjidhjes.

35 Ditë e natë do të rrini në derën e Tendës së takimit duke zbatuar udhrin e Zotit, që të mos vdisni. Kështu më qe urdhëruar”.

36 Aroni dhe bijtë e tij bënë krejt ashtu si u kishte urdhëruar Zoti nëpër Moisiun.



Fjala e Zotit