< Lk 9 Lk 11 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 10)
10

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte.

2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta.

3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish!

4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd!

5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’

6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju.

7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara.

9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni:

11 ’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’

12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”

13 “Vaj për ty, o Korazin, vaj për ty, o Betsaidë! Sepse të kishin ndodhur në Tir e në Sidon mrekullitë që ndodhën në ju, kaherë, të veshur në grathore e të mbuluar me hi do të kishin bërë pendesë!

14 Prandaj, Tiri e Sidoni Ditën e Gjyqit do ta kenë më lehtë se ju!

15 E ti, o Kafarnaum, a thua ndoshta ‘do të lartësohesh deri në qiell?

do të plandosesh deri në fund të ferrit!’

16 Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua. Kush ju përbuz ju, më përbuz mua. Kush përbuz mua, përbuz Atë që më ka dërguar.”

17 Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim e thanë:

“Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!”

18 Jezusi u tha:

“Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit!

19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq.

20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”

21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare:

“Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!

Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu!

22 Gjithçka më dorëzoi im Atë!

Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit,

dhe kush është Ati, përveç Birit

dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht:

“Lum sytë që shohin çka po shihni ju!

24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.”

25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:

“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”

27 Dijetari iu përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“

28

Jezusi i tha:

“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”

30 Jezusi vazhdoi e tha:

“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.

31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën.

32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën.

33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të,

34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të.

35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”

37 Ai iu përgjigj:

“Ai që pati mëshirë për të!”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”

38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi.

39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij.

40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha:

“Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”

41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra,

42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”



Fjala e Zotit