< Lk 10 Lk 12 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 11)
11

1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

2 “Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni:

O Atë!

U shenjtëroftë Emri yt!

Ardhtë Mbretëria jote!

3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!

4 Na i fal mëkatet tona,

sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.

E mos lejo të biem në tundim!”

5 Dhe u tha:

“Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë

6 se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë, ’

7 e ai prej brenda i përgjigjet: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ ‑

8 Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit.

9 Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet.

10 Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që troket, i hapet dera.

11 Dhe, cili prej jush që është babë, po i lypi djali peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër?

12 Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep?

13 Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!”


14 Një herë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit.

15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.”

16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit.

17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:

“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën.

18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij?

19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj.

20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt.

22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.”


24 “Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e gjetur, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time nga dola’.

25 Kur kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur.

26 Atëherë shkon e merr me vete edhe shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se veten, hyjnë e banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.”

27 Ndërsa ai po fliste për këtë gjë, një grua në mes të turmës e çoi zërin e i tha:

“Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!”

28 Ai u përgjigj:

“Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!”


29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:

“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.

30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!

32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”


33 “Askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë në vend të fshehtë [ose nën shinik], por përmbi pishtar, që ta shohin dritën ata që hyjnë.

34 Syri yt është dritëza e trupit. Kur syri yt është i shëndoshë, krejt trupi është në dritë, porse, kur është i sëmurë, edhe trupi yt është në terr.

35 Shiko, pra, që drita që është në ty të mos jetë e errët!

36 Nëse, pra, trupi yt i tërë është në dritë, pa asnjë pjesë të errët, atëherë do të jetë i tërë në dritë, sikurse kur dritëza të ndriçon me rrezet e veta.”


37 Ndërsa ai ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë.

38 Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit.

39 Zotëria i tha:

“Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi.

40 Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë?

41 Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.

42 Porse; vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e lini pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s’është dashur të lihen!

43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe!

44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit, pa ditur, ecin mbi to!”

45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha:

“Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!”

46 “Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!

47 Të mjerët ju, që u ngritni përmendore profetëve, kurse etërit tuaj i patën vrarë.

48 Kështu dëshmoni se i pëlqeni veprat e etërve tuaj; ata vranë, ndërsa ju ndërtoni përmendore!

49 Këndej edhe Dija e Hyjit tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre,

50 që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës:

51 prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet lterit e shenjtërores’. Po, unë po ju them: do të kërkohet llogari prej kësaj breznie.

52 Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!”

53 Kur Jezusi doli prej andej, skribët e farisenjtë filluan ta sulmojnë rëndë dhe t’i bëjnë shumë pyetje,

54 duke i ngrehur leqe për ta zënë pisk në ndonjë fjalë prej gojës së tij.



Fjala e Zotit