1
Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar.
2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:
“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?
5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah,
6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’
7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”
8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë?
9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’
10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”
11 Pastaj vijoi:
“Një njeri kishte dy djem.
12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë.
13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.
14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen.
15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë.
16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.
17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie!
18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje!
19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.
Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi.
21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir... !’
22
Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vëriani unazën në dorë e sandalet në këmbë!
23 Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë,
24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’
E filluan të dëfrehen.
25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle,
26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi.
27 Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’
28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut.
29 Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi.
30 Por, kur të erdhi ky ‑ djali yt ‑ që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’
31 ’Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja.
32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky ‑ vëllai yt ‑ pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“