1 U tregoi edhe shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.
2 Ai tha:
“Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kokën.
3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’
4 Por ai s’u shqetësua për një kohë të gjatë. Dikur tha me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kokën, megjithatë,
5 pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore. ’“
6 Zotëria vazhdoi:
“Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë!
7 Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre?
8 Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?”
9 U tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët:
10 “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës.
11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës.
12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’
13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’
14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”
15 Disa ia binin edhe foshnjat që t’i bekonte. Nxënësit, kur i shihnin, ua ndalonin.
16 Jezusi i grishi fëmijët dhe tha:
“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos ua ndaloni, sepse për të tillët është Mbretëria e Hyjit.
17 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija, nuk do të hyjë në të.”
18 Një bujar i bëri këtë pyetje:
“Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”
19 Jezusi iu përgjigj:
“Përse më thua ‘i mirë?’ Askush s’është i mirë, përveç një Hyji të vetëm!
20 Urdhërimet i di:
‘Mos the kurorën!
Mos vra!
Mos vidh!
Mos dëshmo rrejshëm!
Ndero babain tënd dhe nënën!’“
21 Ai atëherë i tha:
“Të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë!”
22 Kur e dëgjoi, Jezusi i tha:
“Të mungon vetëm edhe një gjë: shit gjithçka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh visar në qiell! Atëherë eja e më ndiq!”
23 Ky, si e dëgjoi këtë fjalë, u trishtua, sepse ishte shumë i pasur.
24 Jezusi, kur e pa [se u trishtua], tha:
“Sa të vështirë e kanë pasanikët të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit!
25 Më lehtë e ka devja të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit!”
26 Ata që dëgjuan, i thanë:
“Po kush atëherë do të mund të shëlbohet?”
27 “Çka s’mund të bëjnë njerëzit ‑ u tha ‑ Hyji mund ta bëjë.”
28 Atëherë foli Pjetri:
“Ja, ne lamë gjithçka patëm e erdhëm pas teje.”
29 Jezusi u tha nxënësve:
“Për të vërtetë po ju them: nuk mund të gjendet kund ai njeri që la për dashuri ndaj Mbretërisë së Hyjit, shtëpinë ose gruan, ose vëllezërit ose prindërit ose fëmijët
30 që të mos marrë shumëfish edhe në këtë e në botën e ardhshme jetën e pasosur.”
31 Pastaj i mori me vete të Dymbëdhjetët dhe u tha:
“Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe do të plotësohen të gjitha që u shkruan nga profetët për Birin e njeriut:
32 sepse do t’u dorëzohet paganëve, të cilët do ta vënë në lojë, do ta salvojnë e do ta pështyjnë,
33 e, pasi ta frushkullojnë, do ta vrasin. Ai veç do të ngjallet të tretën ditë.”
34 Por ata s’morën vesh asgjë çka u tha. Këto fjalë për ta ishin fshehtësi e nuk kuptonin çka Jezusi u thoshte.
35 Kur Jezusi po i afrohej Jerihos, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte.
36 Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç’është.
37 Ata i thanë:
“Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.”
38 Ai zuri të bërtasë:
“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
39 Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe:
“Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
40 Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t’ia sillnin para. Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti:
41 “Çka dëshiron të bëj për ty?”
Ai u përgjigj:
“Zotëri, që të shoh”
42 “Shih! ‑ i tha Jezusi ‑ Të shpëtoi feja jote!”
43 Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.