< Lk 8 Lk 10 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 9)
9

1 Jezusi i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u dha zotësi e pushtet mbi të gjithë djajtë si dhe aftësinë të shërojnë sëmundjet.

2 Pastaj i dërgoi të shpallin Mbretërinë e Hyjit dhe të shërojnë (të sëmurët).

3 E u tha:

“Asgjë mos merrni për udhëtim: as shkop, as strajcë, as bukë, as para, e secili të mos ketë më se dy këmisha.

4 Në atë shtëpi që të hyni, aty rrini derisa të qëndroni në atë vend.

5 Nëse ndokush nuk do t’ju pranojë, kur të dilni prej atij qyteti, shkundni pluhurin prej këmbëve tuaja si dëshmi kundër tyre.”

6 Ata u nisën dhe rende‑rendas u ranë fshatrave duke predikuar Ungjillin e duke shëruar gjithkund.

7 Herodi tetrark kishte dëgjuar për të gjitha këto ngjarje dhe ishte shumë i shqetësuar, sepse disa thoshin: “U ngjall Gjoni së vdekuri!”

8 Disa të tjerë: “U duk Elia!” Disa të tjerë prapë: “U ngjall një prej profetëve të vjetër!”

9 Kurse Herodi tha: “Gjoni! Atij unë ia preva kokën! Po ky kush do të jetë, për të cilin po dëgjoj kaq shumë?” E kërkonte rastin ta shihte.


10 Kur apostujt u kthyen, i treguan Jezusit gjithçka kishin bërë. Jezusi i mori me vete e i çoi në vetmi, në drejtim të qytetit që quhet Betsaidë.

11 Por, kur e mori vesh populli, iu vu mbrapa. Ai i pranoi me njerëzi e u predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi.

12 Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të Dymbëdhjetët dhe i thanë:

“Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.”

13 “Jepuni ju të hanë!” ‑ u tha ai.

Ata iu përgjigjën:

“Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!”

14 E ishin rreth pesë mijë burra.

Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Vërini të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!”

15 Bënë ashtu: i ulën të gjithë.

16 Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara.

17 Hëngrën të gjithë e u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.


18 Ndërsa një ditë po lutej në vetmi ‑ ishin me të vetëm nxënësit e tij ‑ ai u bëri këtë pyetje:

“Kush thonë njerëzit se jam unë?”

19 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa të tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”

20 “Po ju ‑ i pyeti atëherë ata ‑ kush mendoni se jam unë?”

U përgjigj Pjetri:

“Ti je Mesia i Hyjit!”

21 Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt.


22 E vazhdoi:

“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

23 Pastaj iu drejtua të gjithëve:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë.

24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?

26 Për të vërtetë, kujt t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të hyjë në lavdinë e vet, të Atit dhe të engjëjve të shenjtë.

27 Për të vërtetë po ju them: disa këtu të pranishëm nuk do të vdesin, para se ta shohin Mbretërinë e Hyjit.”

28 Reth tetë ditë pas këtyre predikimeve, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur.

29 Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima.

30 Dhe ja, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia.

31 Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem.

32 Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të;

33 dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit:

“Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte.

34 Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika.

35 Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ i Zgjedhuri! Atë dëgjojeni!”

36 Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm.

Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.


37 Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, i doli përpara një turmë e madhe e popullit.

38 Dhe ja, papritmas, një njeri prej popullit, bërtiti:

“Mësues, po të lutem, ma shiko djalin tim: është i vetmi që kam!

39 E kap shpirti i keq e menjëherë bërtet. E tund andej‑këndej dhe e bën të shkumojë dhe mezi largohet prej tij pasi e dërrmon krejtësisht.

40 I luta edhe nxënësit e tu që ta dëbojnë, por nuk ia dolën.”

41 Jezusi u përgjigj:

“O brezni e pafe dhe e prishur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t’ju duroj? Sille këtu djalin tënd!”

42 E, ndërsa djaloshi po afrohej, e kapi djalli, e hodhi për tokë dhe e përplaste. Jezusi iu kërcënua shpirtit të ndytë, pastaj e shëroi djaloshin dhe ia dorëzoi të atit.

43 Të gjithë mbetën të mrekulluar prej madhërisë së Hyjit.

@@@

Ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte, Jezusi u tha nxënësve të vet:

44 “Thadroni mirë në zemër këto fjalë që po ju them: Biri i njeriut do të bjerë në dorë të njerëzve.”

45 Por ata nuk e morën vesh këtë fjalë. Kjo për ta mbetej fshehtësi e nuk e kuptonin. Madje kishin frikë ta pyesnin për këtë fjalë.

46 Ndër ta lindi kjo çështje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.

47 Jezusi, duke e ditur ç’mendime u vlonin në zemër, e mori një fëmijë, e afroi pranë vetes,

48 dhe u tha:

“Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua, e kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua. Përnjëmend, kush është ndër ju më i vogli, ai është vërtet i madh.”

49 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha:

“Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse nuk vjen pas teje me ne.”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Mos ia ndaloni, sepse, kush nuk është kundër jush, është me ju.”

51 Kur erdhi koha që Jezusi të ngrihej nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem.

52 Përpara dërgoi lajmëtarët e vet. Këta shkuan dhe hynë në një fshat samaritanësh për të përgatitur ardhjen e tij.

53 Por ata s’deshën ta pranojnë aty, sepse ishte nisur për Jerusalem.

54 Kur e panë këtë gjë, nxënësit ‑ Jakobi e Gjoni, thanë: “Zotëri, a do të urdhërojmë ‘që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhdukë?’“

55 Jezusi u kthye kah ata dhe i qortoi.

56 Dhe u nisën për një fshat tjetër.

57 Ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha:

“Unë dua të vijë pas teje ngado që të shkosh!”

58 Jezusi iu përgjigj:

“Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!”

59 Një tjetri i tha:

“Eja pas meje!”

Por ai iu përgjigj: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!”

60 “Lëri ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!”

61 Atëherë i tha një tjetër:

“Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.”

62 “Kushdo ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!”



Fjala e Zotit