1 Gjithçka ju urdhëroj, ruani e zbatoni; as mos shto gjë, as mos mungo”!
2 “Po edhe sikur të ngrihet në mesin tënd ndonjë profet ose ndonjë ëndërrtar dhe të shtron një shenjë ose një mrekulli,
3 dhe sikur ajo shenjë ose mrekulli e parashtruar, të vërtëtohet, por ai të thotë: ‘Të ndjekim të tjerë zota ‑ që ti nuk i ke njohur ‑ e t’u shërbejmë atyre’,
4 mos i dëgjo fjalët e atij profeti ose ëndërrtari, sepse Zoti, Hyji juaj, ju vë në provë, për të ditur a e doni apo nuk e doni atë me gjithë zemër e me gjithë shpirt.
5 Ndiqni Zotin, Hyjin tuaj, druani atë, mbani urdhërimet e tija, dëgjojeni zërin e tij, shërbejini atij e qëndroni të lidhur ngushtë me të!
6 Kurse ai profet dhe ai ëndërrtar i rremë, le të vritet, sepse ka folur me qëllim që t’ju largojë prej Zotit, Hyjit tuaj, i cili ju nxori nga toka e Egjiptit e të shpërbleu prej shtëpisë së skllavërisë; deshi të të bëjë ta lësh rrugën që ta ka urdhëruar Zoti, Hyji yt. Zhduke të keqen prej mesit tënd!
7 Nëse do ta mbushë mendjen yt vëlla, biri i nënës sate, ose biri yt, ose bija jote, ose gruaja që e përaqafon, ose miku që e do si jetën tënde, e fshehtazi të thotë: ‘Eja t’u shërbejmë zotave të huaj’, të cilët nuk i njohe ti as etërit e tu,
8 hyjnive të popujve të afërt ose të largët që ju rrethojnë prej njërit në skajin tjetër të vendit ‑
9 mos prano, mos dëgjo, as të mos e falë syri yt që të kesh mëshirë e ta mbash fshehtë,
10 por vritie! Së pari le të lartësohet dora jote për ta vrarë e pastaj le ta lartësojë dorën e vet mbarë populli:
11 lë të vritet me gurë, sepse deshi të të largojë prej Zotit, Hyjit tënd, që të nxori nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë,
12 që, kur të dëgjojë mbarë Izraeli, të ketë frikë, që të mos gjendet më ndokush në mesin tënd që ta bëjë një gjë të tillë.
13 Në qoftë se në ndonjë ndër qytetet që Zoti, Hyji yt, do të t’i japë për të banuar në to, dëgjon se thonë disa:
14 ‘Dolën bijtë e Belialit prej mesit tënd dhe i ngashënjyen banorët e qytetit të vet dhe thanë: ‘Ejani t’u shërbejmë zotave të huaj’, që nuk i njohët,
15 më së pari bëj hetime me kujdes e, pasi ta kesh peshuar hollë e hollë, po gjete se është e vërtetë çfarë thuhet: se është bërë kjo paudhësi në mesin tënd,
16 goditi me tehun shpatës banorët e atij qyteti dhe asgjësoje atë me gjithçka ka.
17 Pastaj mblidhi mbarë plaçkat në sheshin e tij dhe jepu zjarr bashkë me mbarë qytetin si fli shkrumbimi për nder të Zotit, Hyjit tënd. Le të mbetet gërmadhë e përhershme: të mos ndërtohet më askurrë!
18 Asgjë prej atyre që kanë qenë goditur me “mallkim”, të mos kapet assesi për dorën tënde që të largohet Zoti prej hidhërimit të zemërimit të vet, të ketë mëshirë për ty e të të shumojë siç iu përbetua etërve të tu;
19 kurdo që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, t’i ruash të gjitha urdhërimet e tija, që unë sot po t’i urdhëroj dhe të kryesh çfarë u pëlqen syve të Zotit, Hyjit tënd.”