< Lp 15 Lp 17 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 16)
16

1 “Mbaje muajin Abib dhe kremtoji Pashkët për nder të Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti, Hyji yt, në muajin e Abibit natën të ka nxjerrë nga Egjipti.

2 Kushto si fli të Pashkëve për nder të Zotit, Hyjit tënd, në vendin që Zoti, Hyji yt, ta ketë zgjedhur për të banuar Emri i tij, bagëti të trasha e të imëta.

3 Me këtë fli mos ha asgjë të mbrume. Gjatë shtatë ditëve ha bukë të pabrume ‑ bukën e mjerimit ‑ sepse ke dalë përngut nga Egjipti, që për tërë jetën tënde ta kujtosh ditën e daljes prej Egjiptit.

4 Të mos shihet tek ti, askund brenda kufijve të tu, brumë për shtatë ditë; as prej mishit që të kesh prerë në mbrëmje të ditës së parë të mos mbetet për në mëngjes.

5 Nuk bën ta kushtosh flinë e Pashkëve në cilindo ndër qytete të tua që Zoti, Hyji yt, ka për të ta dhënë,

6 por vetëm në atë vend që Zoti, Hyji yt, ta ketë zgjedhur për të banuar Emri i tij, aty kushtoje flinë e Pashkëve në mbrëmje, në perëndim të diellit, në atë kohë kur ke dalë prej Egjiptit.

7 Zije dhe haje në atë vend që ta ketë zgjedhur Zoti, Hyji yt, e në mëngjes ngrihu e shko në çadrat e tua.

8 Për gjashtë ditë ha bukë të pabrume, të shtatën ditë le të mbahet tubimi kremtor për nder të Zotit, Hyjit tënd. Mos bëj kurrfarë pune!”

9 “Numëroji shtatë javë prej ditës në të cilën ua ke vënë draprin të korrave.

10 Atëherë kremto festën e Javëve për nder të Zotit, Hyjit tënd, duke sjellë ndihmesë vullnetare prej dorës sate prej atyre të mirave me të cilat do të të ketë bekuar Zoti, Hyji yt.

11 Gostitu në praninë e Zotit, Hyjit tënd, ti, djali yt e vajza jote, shërbëtori yt, shërbëtorja jote edhe leviti që është brenda qytetit tënd, i ardhuri, bonjaku e vejusha që janë tek ti në vendin që Zoti, Hyji yt, ta ketë zgjedhur për banesë të Emrit të vet.

12 Le të të bjerë ndër mend se edhe ti ke qenë skllav ne Egjipt. Prandaj mbaji e zbatoji këto urdhërime.

13 Edhe të kremten e Tendave festoje shtatë ditë pasi t’i kesh bashkuar prodhimet e lëmës e të shtrydhësit.

14 Gostitu në festën tënde ti, djali yt e vajza, shërbëtori yt e shërbëtorja, leviti dhe ardhacaku, bonjaku e vejusha që jetojnë në qytetin tënd.

15 Festo për shtatë ditë në nder të Zotit, Hyjit tënd, në atë vend që ta ketë zgjedhur Zoti, sepse Zoti, Hyji yt, do të bekojë të gjitha prodhimet e tokës sate dhe të gjitha veprat e duarve të tua e do të jesh i lumtur.

16 Tri herë në vit çdo mashkull yti do të paraqitet në praninë e Zotit, Hyjit tënd, në vendin që ai ta ketë zgjedhur: në të kremten e Të pabrumeve, në të kremten e Javëve dhe në të kremten e Tendave. Të mos dalë para Zotit duathatë,

17 por secili le të kushtojë sa mundet sipas bekimit që t’ia ketë dhënë Zoti, Hyji yt.”

18 “Në çdo qytet që do të ta japë Zoti, Hyji yt, cakto gjykatës e mbikëqyrës për çdo fis tëndin. Ata le ta gjykojnë popullin me drejtësi.

19 Mos e shtrembëro drejtësinë. Mos ji pajambajtës. Mos merr dhurata, sepse dhuratat i verbojnë sytë e të dijshmëve dhe e dëmtojnë çështjen e të drejtëve.

20 Drejtësinë, dhe vetëm drejtësinë kërko, që të jetosh dhe ta marrësh për pronë tokën që Zoti, Hyji yt, ka për të ta dhënë.”

21 “Mos ngul banir as kurrfarë lënde përbri lterit të Zotit, Hyjit tënd, që do ta ndërtosh.

22 Mos ngul as gurngul, që e urren Zoti, Hyji yt.



Fjala e Zotit