< Lp 8 Lp 10 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 9)
9

1 “Dëgjo, o Izrael: sot po kalon përtej Jordanit për të shpronësuar popuj më të mëdhenj e më të fortë së vetja jote; qytete të mëdha e të fortifikuara deri në qiell,

2 madje edhe një popull të madh, shtat lartë, enacitët. Ti i njeh, ti ke dëgjuar se thuhet: atyre askush s’mund t’u qëndrojë përballë.

3 Dije, pra, se sot Zoti, Hyji yt, do të kalojë para teje. Ai është zjarr që përpin. Ai do t’i godasë e do t’i shtrojë para teje. E ti atëherë do t’i dëbosh e do t’i shfarosësh me të shpejtë, ashtu si të ka thënë Zoti.

4 E kur Zoti, Hyji yt, t’i ketë dëbuar para teje, ruaj se thua në zemrën tënde: ‘Në saje të drejtësisë sime ma dha Zoti për pronë këtë tokë, ’ sepse Zoti i dëbon para teje ata popuj për shkak të paudhësive të tyre.

5 Por ti nuk do të hysh për ta trashëguar vendin e tyre në saje të drejtësisë sate ose të zemrës sate të mirë; arsyeja është se ata popuj vepruan keq, e për të futur ty, Zoti, Hyji yt, do t’i asgjësojë ata dhe kështu do ta mbajë fjalën me të cilën iu përbetua etërve të tu: Abrahamit, Izakut e Jakobit.

6 Pranoje, pra, se Zoti, Hyji yt, nuk ta dha për trashëgim këtë tokë të mrekullueshme në saje të drejtësisë sate: përkundrazi, ti je një popull tejet kokëfortë.”

7 “Le të të bjerë në mend dhe mos e harro assesi sesi e bëre të hidhërohet në shkretëtirë Zoti, Hyji yt. Që prej ditës që dole nga Egjipti, derisa arritët këtu, gjithmonë i keni kundërshtuar Zotit.

8 Ju edhe në Horeb e hidhëruat Zotin dhe deshi t’jua tresë farën.

9 Kur u ngjita unë në mal për të marrë rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes që lidhi me ju Zoti, dhe qëndrova në mal dyzet ditë e dyzet net, pa ngrënë bukë e pa pirë ujë,

10 atëherë Zoti m’i dha dy rrasat e gurta, të shkruara me gishtin e Tënzot që përmbanin të gjitha urdhërimet që jua tha prej zjarrit në mal kur u bë tubimi i gjithmbarshëm i popullit.

11 Pasi kaluan dyzet ditë dhe po aq net, Zoti m’i dha dy rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes

12 dhe më tha: ‘ngrihu vrik dhe zbrit prej këndej, sepse populli yt mëkatoi! Populli që e nxore nga Egjipti përnjëherë e la rrugën që i kam urdhëruar! Punuan për vete idhullin!’

13 E atëherë më tha :’Mirë po e shoh se ky popull është kokëtrashë!

14 Më lër t’ua humbas farën e t’ua zhduk emrin e tyre nën kupën e qiellit! Atëherë prej teje do të bëj një popull më të fortë e më të madh se ky.’

15 E kur, duke u kthyer, po zbrisja nga mali që digjej flakë e në të dy duart mbaja dy rrasat e besëlidhjes

16 dhe pashë se ju kishit mëkatuar kundër Zotit, Hyjit tuaj, dhe se kishit punuar viçin prej metalit dhe e kishit lënë aq shpejt udhën që Zoti jua kishte urdhëruar,

17 kapa dy rrasat, i flaka me të dy duart e mia dhe i copëtova para syve tuaj.

18 Atëherë rashë me fytyrë për dhe para Zotit. Për dyzet ditë e dyzet net ‑ si më parë ‑ as hëngra bukë as piva ujë për shkak të të gjitha mëkateve tuaj që i bëtë kundër Zotit duke e ngucur të hidhërohet.

19 E kisha frikë hidhërimin dhe felgrimin e tij që ishte ndezur flakë kundër jush dhe deshi t’jua treste farën. Por edhe kësaj here Zoti më dëgjoi.

20 I hidhëruar fort edhe me Aronin, deshi edhe ta asgjësonte; u luta po ashtu edhe për të.

21 Atëherë mëkati që ju kishit bërë, d. m. th. viçin, mora dhe e dogja në zjarr, e bëra copë e thërimë, dhe pasi e bëra krejtësisht pluhur, e hodha në përruan që rrjedh nga mali. «

22 “Po ashtu edhe në Taberë, në Masë e në Cibrotataavë e hidhëruat Zotin.

23 E kur Zoti ju dërgoi prej Kadesbarnesë e ju tha: ‘Ngjituni dhe pushtojeni tokën që jua dhashë’, ju e përbuzët urdhrin e Zotit, Hyjit tuaj, dhe nuk i bësuat, e nuk deshët ta dëgjonit zërin e tij;

24 gjithmonë qetë kryengritës kundër Zotit që ditën që fillova t’ju njoh.

25 Rashë përmbys para Zotit dhe për ato dyzet ditë e dyzet net i lutesha me përultësi që të mos ju zhdukte siç ishte kërcënuar.

26 Në lutje i thosha: O Zot, Hyj, mos e asgjëso popullin tënd, trashëgimin tënd! Ti vetë e shpëtove me madhërinë tënde dhe e nxore nga Egjipti me dorë të pushtetshme.

27 Le të të bien në mend shërbëtorët e tu Abrahami, Izaku e Jakobi! Mos i vër vesh ngurtësisë, paudhësisë dhe mëkatit të këtij populli,

28 që të mos thonë ndoshta banorët e vendit prej nga na nxore: ‘Zoti nuk mundi t’i çojë në tokën që ua pati premtuar; i urrente: për këtë edhe i nxori, që t’i vriste në shkretëtirë.’



Fjala e Zotit