1 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Judesë (dhe) në anën përtej Jordanit. Prapë u mblodh rreth tij një turmë e madhe populli dhe ai përsëri nisi t’i mësojë siç e kishte zakon.
2 Atëherë (iu afruan farisenjtë) e, për ta sprovuar, e pyetën:
“A ka leje burri ta lëshojë gruan?”
3 Ai u përgjigj:
“Çka ju urdhëroi Moisiu?”
4 Ata i përgjigjën:
“Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e divorcit e të lëshohet. ’“
5 Jezusi u tha:
“Atë rregullore Moisiu e shkroi për ju për arsye të kryeneçësisë suaj.
6 Por në fillim të botës, Hyji ‘i krijoi mashkull e femër.
7 Prandaj njeriu do ta lërë babain e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet,
8 e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Këndej pra, nuk janë më dy, ‑ por një trup i vetëm.
9 Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë ta ndajë!”
10 Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë.
11 Ai u tha:
“Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës.
12 Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”
13 Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin.
14 Jezusit, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha:
“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit!
15 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.”
16 Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
17 Kur doli në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti:
“Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?”
18 Jezusi iu përgjigj:
“Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm!
19 Urdhërimet i di: ‘Mos vra! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babain tënd e nënën!’“
20 Ai iu përgjigj:
“Mësues, të gjtha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”
21 Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha:
“Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!”
22 Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.
23 Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet:
“Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!”
24 Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha:
“Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit!
25 Më lehtë është të përshkohet gamilja nëpër vrimë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!”
26 Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri‑tjetrit:
“Atëherë kush do të mund të shëlbohet?”
27 Jezusi ua nguli sytë dhe tha:
“Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.”
28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha:
“Ja, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.”
29 Jezusi iu përgjigj:
“Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat
30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.
31 Shumë nga ata që janë të parët do të jenë të sprasmët, ndërsa shumë të sprasmë do të jenë të parët.”
32 Ishin në udhëtim e po ngjiteshin në Jerusalem. Jezusi u printe. Nxënësit çuditeshin, por e ndiqnin edhe pse me frikë. Jezusi rishtas i mblodhi rreth vetes të Dymbëdhjetët e filloi t’u tregojë se çka do t’i ndodhë:
33 “Qe se po ngjitemi në Jerusalem e Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do ta lëshojnë në duar të paganëve.
34 Do ta vënë në lojë, do ta pështyjnë, do ta frushkullojnë e do ta vrasin. Por ai, pas tri ditësh, do të ngjallet.”
35 Atëherë Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë:
“Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.”
36 “Çka dëshironi ‑ u tha Jezusi ‑ të bëj për ju?”
37 Ata i thanë:
“Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”
38 Jezusi u përgjigj:
“Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?”
39 “Jemi të zotët!” ‑ iu përgjigjën ata.
Jezusi vijoi:
“Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem.
40 Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time ‑ kjo nuk është në pushtetin tim ta jap ‑ kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.”
41 Kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u hidhëruan me Jakobin e në Gjonin.
42 Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha:
“Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre.
43 Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj,
44 dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve,
45 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.”
46 E arritën në Jerihon. Kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte.
47 Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtiste:
“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
48 Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort:
“Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
49 Jezusi zuri vend e tha:
“Thirreni!”
Ata i bënë zë të verbërit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!”
50 I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.
51 Jezusi e pyeti:
“Çka dëshiron të bëj për ty?”
“Rabbuni! Që të shoh!” ‑ u përgjigj i verbëri.
52 Jezusi i tha:
“Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!”
53 Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë pas Jezusit.