1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi.
2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.
3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve.
4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).
5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:
“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”
6 Ai u përgjigj:
“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:
‘Ky popull më nderon me buzë,
kurse zemra e tyre është larg meje.
7 I kotë është kulti që më bëjnë,
kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit
‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’
8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”
9 Dhe u tha:
“Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj!
10 E pra, Moisiu tha:
‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’
dhe:
‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’
11 E ju përkundrazi thoni:
‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’,
12 atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës.
13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”
14 Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes dhe i tha:
“Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend!
15 S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër.
16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”
17 Kur u nda prej turmës e hyri në shtëpi, nxënësit e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrës.
18 Ai u tha:
“Si? Po as ju nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni? Po a nuk e kuptoni se asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër njeriun,
19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark e del në nevojtore?”
Kështu Jezusi i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.
20 Dhe vazhdoi:
“Çka del prej njeriut ajo e bën të papastër,
21 sepse prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet,
22 kurorë‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia.
23 Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”
24 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Tirit. Hyri në një shtëpi e dëshironte të mos e dijë kush, por nuk mundi të mbetej i fshehur.
25 Sepse menjëherë e mori vesh një grua, vajza e së cilës kishte në trup shpirtin e ndytë. Ajo erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.
26 Gruaja ishte pagane me prejardhje sirofenikase. I lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj.
27 Ai i tha:
“Prit njëherë të ngihen fëmijët, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve.”
28 Ajo u përgjigj:
“Po, Zotëri! Por, edhe këlyshët hanë nën tryezë dromcat e fëmijëve!”
29 Ai iu përgjigj:
“Shko lirisht në shtëpi se, në saje të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës sate!”
30 Ajo shkoi në shtëpi dhe e gjeti fëmijën në shtrojë. Djalli kishte dalë.
31 Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.
32 I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të.
33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën,
34 i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!”
35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin.
37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin:
“Gjithçka bëri mirë!”
“Ky po bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin memecët!”