1 Ndër ato ditë u bashkua përsëri turmë e madhe populli. Pasi s’kishin çka të hanë, Jezusi i thirri nxënësit e u tha:
2 “Po më dhimbsen këta njerëz se ja, ka tri ditë që po rrinë me mua e nuk kanë çka të hanë.
3 Nëse i nisi të shkojnë të uritur në shtëpitë e veta, do të mbesin udhës. Disa prej tyre kanë ardhur prej së largu.”
4 Nxënësit e tij iu përgjigjën:
“E si mund t’i ngijë kush me bukë këtu, në këtë vend të shkretë?”
5 Ai i pyeti:
“Sa bukë keni?”
“Shtatë! ‑ iu përgjigjën ata.
6 Atëherë i urdhëroi turmës së popullit të ulet për tokë, i mori shtatë bukët, u falënderua, i ndau dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para. Ata ia dhanë popullit.
7 Kishin edhe pak peshq të vegjël. I bekoi edhe ata dhe u urdhëroi t’ua ndajnë.
8 Hëngrën dhe u nginë. Çuan copa që tepruan shtatë shporta.
9 Ishin rreth katër mijë vetë. Atëherë i përcolli të shkojnë.
10 Menjëherë hyri në barkë me nxënësit e vet e shkoi në rrethinën e Dalmanutës.
11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të rragaten me të. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit.
12 Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: “Përse kjo brezni kërkon shenjë? Për të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë!”
13 Atëherë i la, përsëri hipi në barkë dhe kaloi në anën tjetër.
14 Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë.
15 Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!”
16 Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!”
17 Jezusi e hetoi atë gjë e u tha:
“Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?
18 ‘Me sy në ballë e nuk shihni,
me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’
Po a nuk po ju kujtohet
19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!”
20 “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?”
“Shtatë!” ‑ iu përgjigjën.
21 “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.
22 Dhe arritën në Betsaidë. Aty i sollën një të verbër dhe iu lutën ta prekte.
23 Ai e mori për dore të verbërin, e qiti jashtë fshatit, i pështyu në sy, vuri duart mbi të dhe i tha:
“A sheh gjë?”
24 Ai i hapi sytë dhe tha:
“Po shoh njerëz... më duken si drurë... ecin.”
25 Pastaj Jezusi prapë i vuri duart mbi sytë e të verbërit. I verbëri pa qartë. U shërua. Shihte mirë, gjithçka.
26 Jezusi e nisi të shkojë në shtëpi e i tha: “Mos hyr assesi në fshat!”
27 Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet:
“Çka thonë njerëzit, kush jam unë?”
28 Ata iu përgjigjën:
“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa të tjerë Elia, disa të tjerë prapë se je njëri ndër profetët.”
29 Atëherë i pyeti ata:
“Po ju, kush thoni se jam?”
“Ti je Mesia!” ‑ iu përgjigj Pjetri.
30 Ai u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të.
31 Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh.
32 Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë.
33 Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
34 Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha:
“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.
35 Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.
36 E njëmend, çka i vlen njeriut të fitojë mbarë botën, nëse e humb jetën e vet.
37 Çka mund të japë njeriu si këmbim për jetën e vet?
38 Për të vërtetë, kujtdo t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të patenzonë e mëkatare, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të arrijë në lavdi të Atit të vet me engjëjt e shenjtë.”