< Mt 12 Mt 14 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 13)
13

1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit.

2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.

3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.

Kështu u tha:

4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën.

5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë.

6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë.

7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën.

8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.

9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Pse po u flet me shëmbëlltyra?”

11 Ai u përgjigj:

“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën.

12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka.

13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë.

14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:

Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni,

mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni.

15

Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja,

u bë i rëndë ndër veshë,

sytë i janë mbyllur,

që të mos shohë me sy,

të mos dëgjojë me veshë,

që të mos kuptojë shpirti i tyre

e të mos kthehen.

E unë i kisha shëruar!”

16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë!

17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”

18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit:

19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’.

20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon,

21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin.

22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt.

23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”

24 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet.

25 Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi.

26

Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra.

27 Shërbëtorët iu afruan të zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra?

28 Ai u përgjigj: ‘Armiku e bëri këtë!’Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’

29 Jo ‑ u përgjigj ai ‑ se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin!

30 Lërini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim!’“

31 Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet.

32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”

33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet e gjitha.”

34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra

35 që të plotësohej fjala e profetit:

‘Do të flas në shëmbëlltyra,

do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.

36 Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën:

“Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.”

37 Ai u përgjigj:

“Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut.

38 Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut.

39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt.

40 Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës.

41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq,

42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.

43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.

Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me thesarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.

45 Pastaj Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme.

46 Kur gjen një perlë me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.

47

Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku.

48 Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin.

49 Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve

50 dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”

51 “A i kuptuat të gjitha këto?

“Po! ‑ iu përgjigjën ata.

52 E ai u tha:

“Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.”

53 Kur Jezusi i kreu së treguari këto shëmbëlltyra, shkoi prej andej.

54 Si erdhi në qytetin ku ishte rritur, i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: “Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit?

55

Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit Jakob, Jozef, Simon e Judë?

56 Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat e tij? Nga, atëherë, i erdhën këtij të gjitha këto?”

57 E kjo u shkaktonte mosbesim në të. Prandaj Jezusi u tha: “Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet!”

58 Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli.



Fjala e Zotit