1 Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin
2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!”
3 E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.
4 Sepse Gjoni i kishte thënë: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!”
5 Herodi donte ta vriste, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet.
6 Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të ftuarve dhe aq i pëlqeu Herodit,
7 sa që me përbetim i premtoi se do t’i jepte çkado që t’i kërkonte.
8 Ajo, e mësuar prej së ëmës: “Ma jep ‑ tha ‑ këtu në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit!”
9 Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të ftuarve, urdhëroi t’i jepej.
10 Dërgoi dikë dhe ia preu Gjonit kokën në burg.
11 Kokën e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës.
12 Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin, e varrosën, shkuan dhe i treguan Jezusit.
13 Kur dëgjoi Jezusi, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar ‑ në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve.
14 Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.
15 Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë:
“Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëri njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.”
16 Jezusi u përgjigj:
“Nuk është nevoja të shkojnë: jepuni ju të hanë!”
17 Ata iu përgjigjën:
“S’kemi këtu veçse pesë bukë e dy peshq.”
18 Jezusi vijoi:
“M’i sillni këtu!”
19 Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar.
I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.
20 Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa.
21 E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj.
22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin.
23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.
24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër.
25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det.
26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën.
27 Por, menjëherë Jezusi u tha:
“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”
28 Pjetri u përgjigj:
“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”
29 “Eja!” ‑ i tha.
Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi.
30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:
“Më shpëto, o Zot!”
31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:
“Fepakët! Përse dyshove!”
32 Kur hynë në barkë, pushoi era.
33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:
“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”
34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret.
35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët.
36 I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.