1 Atëherë disa farisenj e skribë nga Jerusalemi iu afruan Jezusit e i thanë:
2 “Pse nxënësit e tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!”
3 Ai u përgjigj:
“E ju pse e shkelni urdhrin e Hyjit për shkak të mësimit tuaj?
4 Sepse Hyji ka thënë: ‘Nderoje babain dhe nënën tënde’ dhe ‘Kush e mallkon të atin e të ëmën le të ndëshkohet me vdekje.’
5 Kurse ju mësoni: ‘Kushdo i thotë babait e nënës: ‘Ndihma që prej meje të takon ty, le të jetë dhuratë e shenjtë Tempullit’,
6 ai s’është më i detyruar ta ndihmojë të atin. Kështu ju e shlyet fjalën e Hyjit në emër të mësimit tuaj.
7 Shtiracakë! Bukur parafoli për ju Isaia, kur tha:
8 ‘Ky popull më nderon me buzë
e zemra e tij është larg meje.
9
Nderimi që ma japin është i kotë
sepse si mësim të Zotit mësojnë
urdhra të nxjerrë prej njerëzve.’“
10 Atëherë e grishi popullin t’i afrohej dhe i tha:
11 “Dëgjoni e merrni vesh mirë! Njeriun nuk e bën të papastër ç’hyn në gojë, por ç’del nga goja ‑ ajo e bën njeriun të papastër!”
12 Atëherë iu afruan nxënësit e i thanë:
“A e di se farisenjtë, posa e dëgjuan këtë fjalë, u shkandulluan?”
13 Jezusi u përgjigj:
“Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë.
14 Hiquni tyre! Janë të verbër dhe prijës të verbërish. E kur i verbëri i prin të verbërit, të dy bien në gropë.”
15 Atëherë Pjetri i tha:
“Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë!”
16 Ai u përgjigj:
“Si? As ju nuk po kuptoni?
17 Po a nuk e merrni vesh se gjithçka hyn në gojë, shkon në bark e del e mbaron jashtë?
18 Kurse çka del nga goja, del nga zemra e kjo e bën njeriun të papastër.
19 Sepse nga zemra dalin qëllimet e këqija, vrasjet, kurorëthyerjet, fëlligështia, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
20 Këto e përlyejnë njeriun. Të hajë njeriu me duar të palara, kjo s’e bën njeriun të papastër.”
21
Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit.
22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!”
23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë:
“Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”
24 Ai u përgjigj:
“Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”
25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha:
“Më ndihmo, o Zot!”
26 Jezusi iu përgjigj:
“Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.”
27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
28 Atëherë Jezusi iu përgjigj:
“O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!”
Në atë moment bija e saj u shërua.
29 Jezusi u nis prej andej, ra bregut të detit të Galilesë, u ngjit në një kodër e u ul të rrijë atje.
30 Iu afrua një turmë e madhe e popullit që sillte me vete të shqepët, të verbër, dorëcungë, memecë e shumë të tjerë. I ulën para tij dhe ai i shëroi.
31 Populli u mrekullua duke parë se si memecët flisnin, dorëcungët u shëruan, të shqeptët ecnin drejt, të verbërit shihnin dhe i dha lavdi Hyjit të Izraelit.
32 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes nxënësit e vet e u tha:
“Më dhimbset ky popull se, ja, ka tri ditë që rri me mua e nuk ka çka të hajë. Nuk dua t’i nis të uritur që të mos u bie të fikët udhës.”
33 Nxënësit iu përgjigjën:
“Po ku të gjejmë këtu në shkretëtirë aq bukë sa të ngijmë gjithë këtë popull?”
34 Jezusi pyeti:
“Sa bukë keni?”
“Shtatë bukë e pak peshq të vegjël” ‑ iu përgjigjën ata.
35 Atëherë i dha urdhër popullit të ulej për tokë.
36 Pastaj mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi Hyjin, i theu, ua dha nxënësve të vet e nxënësit popullit.
37
Të gjithë hëngrën deri sa u nginë, e me copat që tepruan, çuan plotë shtatë shporta.
38 Ata që hëngrën ishin, përpos grave e fëmijëve, katër mijë burra.
39 Kur e shpërndau popullin, hyri në barkë e shkoi në Krahinën e Magadanit.