< Mt 15 Mt 17 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 16)
16

1 Disa farisenj e disa saducenj iu afruan Jezusit me qëllim që ta zinin ngushtë e kërkuan prej tij t’u dëftojë një shenjë prej qiellit.

2 Ai u përgjigj:

“Kur bëhet mbrëmje, thoni: ‘Do të jetë mot i mirë se u skuq qielli.’

3 Kurse në agim: ‘Sot kemi stuhi, sepse qielli është i kuq e i vranët.’ Kështu, ju dini t’i shpjegoni dukuritë e qiellit, por shenjat e kohës nuk jeni të zotët t’i kuptoni!

4 Breznia e prapë dhe lavire kërkon shenjë! Por s’do t’i jepet asnjë shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.”

Dhe i la e shkoi.


5 Kur u nisën nxënësit të kalojnë në anën tjetër, harruan të marrin bukë.

6 Jezusi u tha: “Hapni sytë dhe ruajuni prej tharmit të farisenjve e të saducenjve!”

7 Ata mendonin me vete e thoshin: “Pse s’morëm bukë!”

8 Jezusi e hetoi dhe u tha:

“Fepakët! Pse mendoni me vete: ‘Pse s’kemi bukë?’

9 Po ju a ende nuk kuptoni? Po a nuk u bien në mend pesë bukët për pesë mijë njerëz dhe, edhe sa shporta mblodhët?!

10 Edhe shtatë bukët për katër mijë vetë, dhe sa shporta mblodhët?

11 Si nuk kuptoni se nuk qe fjala për bukë kur thashë: ‘Ruajuni prej tharmit të farisenjve e të saducenjve!’“

12 Atëherë e morën vesh se nuk u tha të ruhen prej tharmit të bukës, por prej mësimit të farisenjve e të saducenjve.


13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:

“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”

14 Ata u përgjigjën:

“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”

15 “Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”

16 Iu përgjigj Simon Pjetri:

“Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”

17 Atëherë Jezusi i tha:

“I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell!

18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!

19

Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”

20 Atëherë i urdhëroi nxënësit që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.

21 Që atëherë Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrisnin e të tretën ditë do të ngjallej.

22 Atëherë Pjetri e ndau veças e filloi ta qortojë:

“Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë!”

23 Jezusi u kthye e i tha Pjetrit:

“Shporru meje, he djallë! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

24 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!

25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.

26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet?

27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

28 Përnjëmend po ju them: Disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa ta shohin Birin e njeriut duke ardhur me mbretërinë e vet.”



Fjala e Zotit