1 ”Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet.
2 E, si u mor vesh me punëtorët me nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet.
3 Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa disa të tjerë duke ndenjur të papunë në treg
4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’
5 Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu.
6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’
7 Ata iu përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’
8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën ‑ fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’
9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar.
10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar.
11 Duke e marrë i ankoheshin të zotit të shtëpisë
12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’
13 E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u more vesh me mua për nga një denar?
14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty!
15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’
16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”
17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha:
18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje,
19 e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.”
20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka.
21 Jezusi i tha:
“Çka dëshiron?”
Ajo iu përgjigj:
“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”
22 Jezusi u përgjigj:
“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”
“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.
23 Jezusi vijoi:
“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”
24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit.
25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:
“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet.
26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj,
27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj,
28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”
29 Kur po dilnin nga Jerihoni, iu vunë pas shumë njerëz.
30 Dhe ja, dy të verbër, që rrinin në skaj të rrugës, si morën vesh se po kalonte Jezusi, ia filluan të bërtasin: “Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne!”
31 Populli u bërtiti të heshtnin, por ata klithën edhe më tepër: “Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne!”
32 Jezusi u ndal, i thirri dhe u tha:
“Çka kërkoni të bëj për ju?”
33 Ata iu përgjigjën:
“Zotëri, që të na çelen sytë!”
34 Jezusi pati dhembshuri për ta e ua preku sytë.
Ata menjëherë panë dhe u nisën pas tij.