1 Kur iu afruan Jerusalemit e mbërritën në Betfage, në malin e Ullinjve, atëherë Jezusi dërgoi dy nxënës
2 e u tha:
“Shkoni në fshatin që është përballë! Aty menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur e me të një gaç. Zgjidhini e m’i sillni!
3 Nëse ndokush ju thotë gjë, thuajini: po i duhen zotërisë dhe menjëherë do t’i lëshojë.”
4 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e profetit që thotë:
5 ‘Thuajini bijës së Sionit:
ja, Mbreti yt po vjen te ti
i butë, kalor mbi gomare
e mbi gaç, zog të gomares.’
6 Nxënësit shkuan e bënë siç u urdhëroi Jezusi,
7 sollën gomaren e kërriçin. Mbi ta vunë petkat e veta, e Jezusi hipi mbi to.
8 Moria e popullit shtroi petkat e veta gjatë rrugës e të tjerët thenin degë lisash dhe i qitnin rrugës,
9 e populli, që shkonte para e pas tij, brohoriste:
“Hosana Birit të Davidit!
Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit!
Hosana në qiejt më të lartët!”
10 Kur Jezusi hyri në Jerusalem, mbarë qyteti u çua në këmbë dhe pyeste: “Kush është?”
11 E turma i përgjigjej: “Ky është Profeti, Jezusi prej Nazaretit të Galilesë!”
12 Pastaj Jezusi hyri në Tempull dhe i dëboi të gjithë ata që shisnin e blenin në Tempull. Këmbyesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave bankat.
13 Dhe u tha: “Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Shtëpia ime do të jetë shtëpi lutjeje,’
ndërsa ju po e shndërroni në shpellë cubash!”
14 Në Tempull iu paraqitën të verbër e të çalë dhe i shëroi.
15 Kur kryepriftërinjtë e skribët panë mrekullitë që bëri dhe djelmoshat që po brohorisnin në Tempull: ‘Hosana Birit të Davidit!’ u zemëruan
16 dhe i thanë:
“A po dëgjon, ç’po thonë këta?”
“Po, si jo!? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Po ju, a kurrë nuk keni lexuar:
‘Prej gojës së foshnjave e të ferishteve ia përgatite lavdinë vetes?”
17 Atëherë i la, doli nga qyteti për të shkuar në Betani dhe atje e kaloi natën.
18 E në mëngjes, kur po kthehej në qytet, pati uri.
19 Afër rrugës pa një fik dhe iu afrua, porse, pasi në të nuk gjeti tjetër përveç gjetheve, i tha: “Kokërr më prej teje kurrë e për këtë jetë mos u lidhtë!” Dhe menjëherë fiku u tha.
20 Nxënësit, kur e panë këtë gjë, u habitën e thanë:
“Si mundi të thahej menjëherë fiku?!”
21 Jezusi u përgjigj:
“Për të vërtetë po ju them: në paçit fe dhe në mos dyshofshit, do të bëni jo vetëm sa iu bë fikut, por edhe nëse i thoni këtij mali: çohu e hidhu në det, do të bëhet ashtu.
22 Dhe nëse besoni, do të fitoni gjithçka të kërkoni me lutje.”
23 Kur Jezusi hyri në Tempull e aty po mësonte, iu afruan kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit dhe i thanë:
“Me ç’pushtet je duke bërë kështu? Kush ta dha këtë pushtet?”
24 Ai u përgjigj:
“Edhe unë do t’ju bëj një pyetje të vetme. Nëse ju më përgjigjeni, edhe unë do t’ju tregoj me ç’pushtet i bëj këto.
25 Nga ishte pagëzimi i Gjonit: Nga Qielli apo nga njerëzit?”
Por ata mendonin me vete: “Në qoftë se themi: nga Qielli’, ai do të na thotë: ‘Përse atëherë nuk i besuat?’
26 e nëse i përgjigjemi: ‘prej njerëzve’, kemi frikë popullin, sepse të gjithë e mbajnë Gjonin për profet.”
27 Atëherë iu përgjigjën:
“Nuk e dimë!”
“As unë, pra, ‑ u tha ai ‑ s’po ju tregoj me ç’pushtet i bëj këto vepra!”
28 “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’
29 Ai iu përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi.
30 Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai iu përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi.
31 Cili prej të dyve e kreu vullnetin e të atit?”
I thanë:
“I pari!”
“Përnjëmend po ju them: ‑ vazhdoi Jezusi ‑ tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit.
32 Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”
33
“Dëgjojeni shëmbëlltyrën tjetër:
Ishte një zot shtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte.
35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë.
36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’
38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’
39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.
40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”
41 Iu përgjigjën:
“Të këqijtë do t’i shfaros keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”
42 Jezusi u tha:
“A nuk e lexuat asnjëherë në Shkrimin e shenjtë:
‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit
u bë guri i këndit;
kjo është vepër e Zotit,
sa mrekulli në sytë tanë!’
43 Prandaj ‑ po ju them ‑ juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj!”
44
45 Kryepriftërinjtë e farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta.
46 Kërkonin ta zinin, por druanin popullin sepse e mbante për profet.