1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte:
2
“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet.
3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë.
4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thuajini të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majura! Gjthçka është gati! Ejani në dasmë!’
5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet.
6 Të tjerët, pastaj, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë.
7 Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre.
8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë.
9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’
10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.
11 Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha:
12 “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?” Ai s’e çeli gojën.
13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e hidheni jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’
14 Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”
15 Atëherë farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë.
16 Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë:
“Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk shikon ç’pozitë kanë njerëzit!
17 Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatimi apo jo?”
18 Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha:
“Shtiracakë, pse po më sprovoni?
19 Ma tregoni monedhën e tatimit!”
20
Ata ia sollën një denar.
“E kujt është ‑ u tha ‑ kjo fytyrë e ky mbishkrim?”
21 “E Cezarit!” ‑ iu përgjigjën ata.
Atëherë Jezusi u tha:
“Jepini, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.”
22 Kur e dëgjuan përgjigjen, u habitën, e lanë dhe shkuan.
23
Atë ditë erdhën tek ai disa saducenj që thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurish. Ata e pyetën:
24 “Mësues! Moisiu tha: ‘Nëse ndokush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij për t’i lindur vëllait të vet trashëgimtarë.’
25 Tashti, ndër ne ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq e, pasi nuk pati fëmijë, ia la gruan vëllait të vet.
26 Kështu ndodhi me të dytin, me të tretin... deri tek i shtati.
27 Dikur, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja.
28 Në ringjallje, pra, gruaja e cilit ndër këta të shtatë do të jetë? Sepse, të gjithë e patën grua!”
29 “Ju jeni gabim ‑ u përgjigj Jezusi ‑ sepse nuk e merrni vesh Shkrimin e shenjtë as pushtetin e Perëndisë.
30 Sepse, në ringjallje as meshkujt s’marrin gra as femrat burra, por janë porsi engjëjt e Hyjit në qiell.
31 E për sa i përket ringjalljes së të vdekurve a nuk keni lexuar çka ju tha Hyji?
32 ‘Unë jam Hyji i Abrahamit, Hyji i Isakut, Hyji i Jakobit?’ Ai nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve!”
33 Kur e dëgjoi populli, u mrekullua nga mësimi i tij.
34 Farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan
35 dhe njëri prej tyre [mësues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti:
36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
37 Jezusi u përgjigj:
“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde!
38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim.
39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’
40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”
41 Kur u bashkuan farisenjtë, Jezusi i pyeti:
42 “Çka mendoni për Mesinë? Biri i kujt është?”
“I Davidit.” ‑ iu përgjigjën ata.
43 Ai u tha:
“E si atëherë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, e quan Zotërinë e vet, kur thotë:
44 ‘I tha Zoti Zotërisë tim:
rri në të djathtën time
derisa t’i vë armiqtë e tu
shtrojë për këmbët e tua?’
45 E nëse Davidi e mban për Zotëri të vetin, si mund ta ketë bir?”
46 Asnjëri s’qe i zoti t’i përgjigjë asnjë fjalë. E, që prej kësaj dite, askush s’guxoi ta pyesë më.