1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:
2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë.
3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë.
4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.
5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët.
6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para,
7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër.
9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell!
10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin!
11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj.
12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.
13 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiellit! Ju vetë nuk hyni as nuk i lini të hyjnë ata që duan të hyjnë!
14
15
Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që kërkoni det e tokë për të fituar një proselit e, kur kthehet, e bëni bir të ferrit dy herë më të keq se veten!
16 Vaj për ju, udhëheqës të verbër, që thoni: ‘Nëse ndokush betohet me Tempull, ai betim s’detyron, por, nëse betohet me arin e Tempullit, atëherë e detyron betimi.’
17 Të marrë e të verbër! Po cili është më i madh: ari apo Tempulli, që e shenjtëron arin?
18 Ju thoni edhe: ‘Kush betohet me lter s’detyron ai betim, porse, kush betohet me dhuratën që është mbi lter, atëherë e detyron betimi!’
19 Të verbër! Po çka është më e madhe: dhurata apo lteri që e shenjtëron dhuratën?
20 Tashti kush betohet me lter, betohet me të dhe me krejt çka ka në të!
21 Kush betohet me Tempull, betohet me të dhe me Atë që banon në të.
22 Kush betohet me Qiell, betohet me fronin e Hyjit dhe me Atë që rri në të.
23
Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë.
24
Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!
25 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e papërkormëri!
26 Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!
27 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhuara me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie.
28 Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi.
29 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u ndërtoni profetëve varrezat e u stolisni të drejtëve monumentet
30 dhe thoni: ‘Të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve.’
31 Kështu ju vetë dëshmoni kundër vetvetes se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
32 Mirë, pra, kryeni ç’filluan baballarët tuaj!
33 Shlliga e gjarpërinj gjarpërinjsh! Si do t’i shpëtoni dënimit për ferr?!
34 Ja, pra, për këtë punë unë po dërgoj ndër ju profetë, dijetarë e njerëz të shkolluar. Disa prej tyre do t’i vritni, disa të tjerë do t’i kryqëzoni e disa të tjerë do t’i frushkulloni në sinagoga tuaja e do t’i salvoni prej qyteti në qytet
35 që të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë që u derdh mbi tokë që prej gjakut të Abelit të drejtë deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakisë që ju e vratë ndërmjet shenjtërores e lterit.
36 Për të vërtetë po ju them: të gjitha këto do të bien mbi këtë brezni.”
37 “Jerusalem, Jerusalem, vrastar i profetëve e që me gurë i mbyt ata që Hyji i dërgoi te ti! Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klloçka i bashkon zogjtë e vet nën krahë... por ju nuk deshët!
38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet juve e shkretë!
39 Jo, po, unë po ju them: nuk do të më shihni më që tani e derisa të thoni:
‘Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit!’“