1
“Mos gjykoni, që të mos gjykoheni!
2 Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet.
3 Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd?
4 Dhe, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Prit të ta nxjerr lëmishten nga syri yt’, ndërsa ke traun në syrin tënd?
5 Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.
6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.”
7 “Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet!
8 Sepse, kush lyp, i jepet, kush kërkon gjen, e kush troket, i çelet.
9 Dhe, a gjendet njeri ndër ju, që po i lypi i biri bukë, i jep gur?
10 Ose, po i lypi peshk, i jep gjarpër?
11 Po ja, pra, nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin.
12
Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”
13 “Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të!
14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak nga ata që e gjejnë!”
15 “Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë.
16 Do t’i njihni prej fryteve të tyre. A thua vilet rrushi prej ferrave ose fiqtë prej murrizave?
17 Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira, kurse çdo pemë e keqe jep fryte të këqija.
18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një pemë e keqe nuk mund të japë fryte të mira.
19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr.
20 Kështu, pra, do t’i njihni profetët prej veprave të tyre.”
21 “Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.
22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?’
23 Atëherë unë do t’u them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o keqbërës!”
24 “Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb.
25 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb.
26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë.
27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!”
28 Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij,
29 sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.