< Mt 8 Mt 10 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 9)
9

1 Jezusi hipi në barkë, kaloi në anën tjetër dhe shkoi në qytetin e vet.

2 Dhe ja, ia sollën para një të paralizuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: “Guxim, biro! Të janë falur mëkatet!”

3 Dhe ja, disa prej skribëve menduan me vete:

“Ky po blasfemon!”

4 Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, tha:

“Pse mendoni keq në zemrat tuaja?

5 Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngrihu e ec!?’

6 ‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë ‑ i tha atëherë të paralizuarit ‑ Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”

7 I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet.

8 Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh.


9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij.

11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:

“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”

12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve!

13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”

14 Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë:

“Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

15 Jezusi u përgjigj:

“A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.

16 Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe.

17 As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re hidhet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.


18 Ndërsa Jezusi po ua mësonte këto, ja se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: “Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.”

19 Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij.

20 Dhe ja, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut prej dymbëdhjetë vjetësh, iu afrua pas shpine e ia preku kindin e petkut të tij,

21 sepse thoshte në vete: “Do të shërohem nëse ia prek qoftë edhe vetëm petkun e tij! “

22 Jezusi u soll, e pa dhe i tha: “Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!” Dhe gruaja u shërua në atë moment.

23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë,

24 u tha: “Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle.” Ata e përqeshën.

25 Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit.

26 Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.

27 Kur Jezusi u nis prej andej, shkonin pas tij dy të verbër duke bërtitur e thoshin: “Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!”

28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan e Jezusi u tha: “A besoni se mund ta bëj këtë gjë?” Ata iu përgjigjën: “Po, Zotëri!”

29 Atëherë ua preku sytë e tha: “U bëftë sipas besimit tuaj!”

30 Dhe atyre iu çelën sytë. Atëherë Jezusi i urdhëroi: “Kini kujdes! Askush të mos e dijë!”

31 Por ata, posa dolën, e përhapën zërin për të nëpër mbarë krahinën.

32 Posa dolën këta, ja se i sollën një memec të djallosur.

33 Pasi e nxori djallin, memeci foli. Njerëzit të mrekulluar, thoshin: “Kurrë s’u pa një gjë e tillë në Izrael!”

34 Ndërsa farisenjtë thoshin: “Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve.”

35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.

36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari.

37 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak.

38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”



Fjala e Zotit